Vendimi i Kushtetueses për pezullimin e zbatimit të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave rrezikon të fusë në kolaps procesin, çfarë do të ndodhë me 7 mijë dosjet

Nov 16, 2023 | 11:50
SHPËRNDAJE

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 77/2022 për kthimin dhe kompensimin e pronave rrezikon të fusë në kolaps gjithë procesin.

dosja e pronave

Numërohen së paku shtatë mijë dosje që ishin të pa trajtuara deri më tani dhe një fond prej 2.34 miliardësh që digjet si pasojë e pezullimit të zbatimit të ndryshimeve ligjore.

PASOJAT E VENDIMIT

Përmes një deklarate për mediat, Agjencia për Trajtimin e Pronës ka bërë një reagim në të cilin flasin për pasojat e vendimit të Kushtetueses për ligjin që ka shërbyer si pikënisje e rëndësishme për zgjidhjen e ngërçit të pronave.

“Vendimi vë në pikëpyetje një ndër proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar që prej vitit 1993 kur nga ligjvënësi u ndërmorën hapat e para në drejtim të zgjidhjes së çështjeve që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera padrejtësisht nga shteti komunist prej datës 29.11.1944.

Ky ligj, miratuar për trajtimin e pronës dhe procesin e kompensimit të pronave, ka shërbyer si hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve të shpronësuar nga shteti komunist. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, procesi i trajtimit të 7000 dosjeve të pa trajtuara është pezulluar, duke vënë në pikëpyetje një nga proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Ligji Nr.77/2022 garantonte rivlerësimin e vendimeve dhe procesit të kompensimit, duke sjellë publikimin e 3876 vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit”, citohet në njoftimin që shton më tej se pezullimi aktual i ligjit do të rezultojë në vonesa dhe shtyrje të zgjidhjes përfundimtare të procesit të kompensimit.

“Kjo ndikon jo vetëm pronarët, por gjithashtu shoqërinë shqiptare në tërësi. Fondi i kompensimit për vitin 2023, i cili do të përdorej për kompensim financiar, tani do të pësojë djegie në vlerën 2.340.000.000 lekë”, nënvizon ATP, duke e mbyllur me një thirrje drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar me përparësi këtë çështje me rëndësi jetike për përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

DOSJET DHE PARATE

Fondi për kompensimin e subjekteve të shpronësuara është një fond special, i cili akordohet nga buxheti i shtetit vit pas viti në masa të ndryshme. Duke qenë i pezulluar si proces, ATP nuk mund ta përdorë këtë fond për kompensimin e pronave të shpronësuara.

“Nëse nuk kemi një vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese brenda vitit 2024, ky fond nuk i kalon Agjencisë së Trajtimit të Pronave, çka përkthehet në djegie të këtij fondi. Agjencia vijon punën për procedurat e kompensimeve të ndërtimeve informale, që është një procedurë e veçantë nga të tjerat, por për pjesën tjetër mbetemi të cunguar dhe në pritje të vendimit të Kushtetueses”, nënvizon kreu i Trajtimit të Pronave, Geraldo Durdaj.

Formula e përcaktuar në ligjin nr.77/2022 por edhe në dy VKM-të e ndryshuara vijnë si pasojë e një vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ku ka përcaktuar se zëri kadastral do të vlerësohet me 10 për qind për të gjithë ato prona që preken nga ky vendim. Ky vendim u mor në shqyrtim dhe nga ATP dhe kolauduan me ligjin në fjalë.

Komuniteti Mysliman ka kundërshtuar ndryshimet e vitit 2022 në ligjin për trajtimin e pronës duke ankimuar në Gjykatë mënyrën sesi vlerësohej prona dhe mënyrën sesi kompensohej financiarisht ajo. Procesi i rivlerësimit me formulën e re ka përfunduar në mars 2023.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, Agjencia e Trajtimit të Pronave kishte detyrimin që brenda 90 ditëve duhej të bënte rivlerësimin e të gjitha vendimeve dhe deri në 2024-ën, rivlerësimin e atyre vendimeve që nuk janë vlerësuar asnjëherë. Vlera financiare e të gjithë vendimeve për kompensim vajti në 116 miliardë lekë, më shumë nga shuma e parashikuar më herët pas ndryshimet ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura