Urdhërarrestet e SPAK, tre punonjës policie të përfshirë në rrjetin kriminal! Kush është ish-efektivi i RENEA-s që u kap me 113 mijë euro në makinë, në kërkim edhe ish-drejtuesi i lartë

May 18, 2024 | 8:51
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Dje u bë me dije se në kuadër të megaoperacionit të SPAK ishin lëshuar edhe tre urdhërarreste për zyrtar të Policisë, një prej të cilëve i arrestuar edhe më herët por që ishte lënë i lirë nga Gjykata.

altin morina2

Nga të dhënat që u bënë me dije saktësohet se një prej të kërkuarve është një nga drejtuesit më të njohur të policisë, i cili në fakt ka drejtuar një mori strukturash në radhët e policisë, nëpër komisariate të rëndësishme dhe në drejtori Policie po kaq të rëndësishme për sa i përket dinamikës së zhvillimit të krimit në vendin tonë. Bëhet fjalë për Erigert Mitrin, për të cilin ende nuk dihet se cila është përfshira e tij në këtë rrjet të madh kriminal të cilin SPAK pretendon që e ka goditur.

URDHËRARRESTET PËR POLICËT

Sipas të dhënave bëhet me dije se Erigert Mitri, i cili më herët ka mbajtur pozicion si drejtues i Policisë Lezhë, Klodian Jashari, punonjës i Kufirit dhe Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s, janë shpallur në kërkim, ku ky i fundit është një emër i njohur për policinë. Altin Morina u kap duke qarkulluar me një automjet tip ‘Audi Q8’ me 113 mijë euro, një shumë paundësh dhe lekësh në Tiranë rreth një vit me parë. Ndërkohë, Erigert Mitri aktualisht mban postin e specialistit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Për operacionin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka publikuar edhe pamjet e operacionit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministri thekson se lufta kundër krimit të organizuar është e pandalshme dhe po jep rezultate.

“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shkruan ministri i Brendshëm.

EFEKTIVI I RENEA-S

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me një prej personave, për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër arrest. Bëhet fjalë për ish-efektivin e forcave RENEA, Altin Morina. Ky i fundit rreth një vit më parë u kap duke qarkulluar me një automjet tip ‘Audi Q8’ me 113 mijë euro, një shumë paundësh dhe lekësh në Tiranë. Në prill të vitit të kaluar, gjykata la të lirë, ish-efektivin e forcave RENEA, Altin Morina.

43-vjeçari, me detyrë në atë kohë shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi. Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.

“Nuk ka prova, këto para i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunoj me organin e akuzës për t’i dhënë prova që kanë të bëjnë me arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit. Po shkoja në shtëpi, te Komuna e Parisit, dhe isha drejtuar në ish-‘Bllok’ ku banoj”, – tregoi në atë kohë ish-efektivi.

LUL BERISHA DHE TË TIJTË

Ndonëse janë nën disa masa arresti, grupi i Lulzim Berishës janë thuajse të gjithë të lirë, përveç vetë ishkapos së bandës famëkeqe dhe gjakësore të Durrësit. Sipas të dhënave SPAK ka lëshuar urdhër-arrest edhe për vetë Lulzim Berishën, i cili aktualisht rezulton i burgosur në Spanjë.

Ish-kreu i bandës së Durrësit, që ka qenë në kërkim policor që nga viti 2022, u arrestua në Spanjë më 14 dhjetor 2023. Ai fshihej në Spanjë me letra bullgare dhe pritet që të ekstradohet në vendin tonë. Përveç tij, të kërkuar janë edhe Plaurent Dervishaj, kunati i tij dhe Endrit Dokle, i cili kohëve të fundit është përfolur për një mori ngjarjes të rënda të ndodhura mes Lezhës dhe Fushë-Krujës. Po ashtu, janë në kërkim edhe grupi kriminal i Fushë-Krujës, ku përveç djemve të familjes Bami, sipas të dhënave një tjetër emër i dyshuar për një sërë ngjarjesh, Marklen Haka është shpallur në kërkim.

Policia ka kryer kontrolle në banesat e tyre, por është e çuditshme që asnjë prej tyre nuk është gjendur nëpër banesa. Policia mësohet se ka sekuestruar një sërë provash materiale, por ende nuk janë mësuar se çfarë në të vërtetë. Operacioni mësohet se është në vijim, kryesisht në Tiranë, në zona në të cilat prej disa vitesh nuk ndërhyn Policia e Shtetit! Edhe Vlora, Lushnja edhe Durrësi vijojnë të jenë nën mbikëqyrjen e policisë për të bërë të mundur sigurimin e sa më shumë provave për të vënë pra drejtësisë një mori personazhesh të rëndësishëm të botës së krimit e jo vetëm!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura