U shpall “Hero i Popullit” në moshën 13-vjeçare, kush ishte Nik Pjetër Ndreka! Dëshmia e rrallë e kreut të Degës: Regjimi akuzoi babanë tim se e kishte vrarë

Mar 1, 2024 | 14:58
SHPËRNDAJE

NGA DASHNOR KALOÇI/ Në rubrikën dosier të numrin të djeshëm, publikuam një histori të shkurtër rreth historisë së pionerit Nik Pjetër Ndreka, me origjinë nga zona e Vermoshit, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike më 20 qershor të vitit 1952, kur ishte në moshën 13-vjeçare dhe regjimi komunist e shpalli “Dëshmor i Atdheut”, duke i akorduar titullin e lartë “Hero i Popullit”, me motivacionin: “Pioner, shembull i lartë patriotizmi dhe besnikërie për mbrojtjen e atdheut dhe fitoret e revolucionit popullor, mbeti i vrarë nga diversantët, në mbrojtje të kufijve shtetërorë të Republikës Popullore të Shqipërisë”!

MixCollage-01-Mar-2024-02-50-PM-1649

******

Nisur nga ky fakt, edhe historiografia e regjimit komunist e para viteve ’90, e ka paraqitur Nik Ndrekën, sikur ai është vrarë nga diversantët dhe atij i janë kushtuar shumë shkrime, artikuj në libra, gazeta dhe revista, reportazhe, kinoditarë, dokumentarë televiziv, madje edhe një film i ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, me titull “Lugina e Pushkatarëve”, e gjithashtu i janë ngritur lapidarë, buste dhe me emrin e tij janë pagëzuar shkolla, rrugë, etj. Nisur nga sa më sipër, që iu bë emrit dhe figurës së tij, për afro 40 vjet me radhë, të gjithë shqiptarët e kanë njohur atë ngjarje, ashtu si u është servirur nga propaganda zyrtare e asaj kohe.

Por, edhe pse në arkivat e shtetit shqiptar, nuk ka asnjë dokument të vetëm, (në mënyrë shteruese), ku të thuhet se, Nik Ndreka është vrarë nga diversantët, zyrtarisht ai version, do mbetej si i tillë deri më 15 dhjetor të vitit 2023, kur gazetari, studiuesi dhe historiani i njohur, Kastriot Dervishi, zbuloi dhe publikoi një dokument arkivor të vitit 1952, ku komandanti i Kufirit të Ministrisë së Brendshme, nënkolonel Ndreko Rino, në komunikatën ditore të datës 26 qershor 1952, ndërmjet të tjerash shkruante: “Në lidhje me komunikatën tonë nr.173, datë 22.6.1952, ky Sektor njofton se sipas analizës së bërë në vend nga Komanda e Batalionit dhe shokët e Zbulimit, rezulton se pioneri Nik Pjetri, nuk është vrarë me thikë nga diversantët, por është gremisur vetë nga shkëmbi”.

Për më shumë, lidhur me këtë ngjarje, në këtë shkrim po publikojmë një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, me z. Nikoll Hysaj, i biri i Pjetër Gjeka Hysaj, (i akuzuar si një nga vrasësit e Nik Pjetër Ndrekës), i cili që nga viti 1979, kur u arratis nga Shqipëria, ndodhet me banim në SHBA.

Zoti Nikoll, a mund të na thoni diçka shkurtimisht, rreth origjinës dhe historisë së familjes suaj?

Origjina e familjes sime është nga fshati Vermosh i Kelmendit, i Malësisë së Madhe, i cili është fshati më i thellë në zonën kufitare dhe më i njohur i anës së Veriut. Ne vijmë nga një familje me tradita patriotike, ku dy gjyshërit e mi, kanë luftuar kundër turkut dhe shkjaut. Luc Mark Gjeloshi, ka qenë ai që ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq me Ded Gjon Lulin, Dom Nikën, Mirash Ucin dhe Zenel Shabanin. Ne jemi vrarë shumë me shkjetë, si për mbrojtjen e kufirit, për tokat e bjeshkët, etj. Edhe në luftërat kundër turkut, ka marrë pjesë gjyshi im, i cili ka qenë, komandant i forcave të armatosura të Kelmendit. Madje, për të, ka shkruar dhe Miss Edit Durham, në librin e saj “Kujtimet e Malësisë”. Po kështu, në vitet 1939-1944, ne si familje e ndihmuam Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe babai im, Pjetri, u rreshtua me forcat partizane, i priti ata në shtëpi, mori pjesë në organizimet e tyre dhe pas Luftës, ai ishte komandant i Postës Kufitare të Vermoshit.

Kur dhe përse filloi përndjekja e familjes suaj nga regjimi komunist?

Pas prishjes së marrdhënive të Shqipërisë me Jugosllavinë, një kapter i quajtur Ahmet Nika, i Komandës së Vendit, shkon në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe bashkë me shefin e Sigurimit të asaj Dege, hartojnë një listë me 48 burra të Vermoshit, për t’i arrestuar të gjithë, për burg. Një vit më parë, një kushëririn tim, Marsh Vatën, e pushkatuan pa gjyq dhe pa asnjë faj. Kështu, popullit nisi t’i hyjë frika dhe sidomos, pas asaj liste që u hartua nga Dega e Brendshme, sepse u mësua se kush e kishte emrin aty. Nga familja ime, u arratisën gjashtë meshkuj: i zoti i shtëpisë, Çun Nishku, babai im, Pjetër Gjeka, Muho Çuni, Gjon Çuni, Prel Çuni dhe Marka Gjeka, kurse nga bashkëfshatarët, mund të përmend: Nikoll Toma, që ishte dhe me kryesori, Nikoll Gjetja, Nikoll Mala, Zef Baci, Fran Zef Deda e Fran Mirakaj. Të gjithë këta, në atë kohë, ishin me detyra shtetërore, pra si të thuash, njerëz të qeverisë.

Pas arratisjes së këtyre, çfarë ndodhi me pjesën tjetër të fshatit, pra me familjet e tyre që mbetën aty?

Kur u arratisën këta, në shtator të 1948-s, në shtëpinë e Prek Calit, ku ishte Komanda e Vendit, erdhën nga Shkodra shumë forca policore e ushtri dhe i bashkuan të gjitha këto familjet e të gjithë burrave që u arratisën dhe i futën në postë. Më pas, aty sollën të gjitha mushkat dhe kuajt e fshatit, pasi do t’i dërgonin nga Vermoshi, në Han të Hotit, (73 km. rrugë në këmbë) dhe prej aty, do t’i dërgonin në kampin e internimit të Tepelenës. Pjesa më e madhe e tyre, ishin pleq, plaka, fëmijë dhe njerëz që nuk ishin në gjendje për me ecë në këmbë. Një nga ata, isha edhe unë, vetëm 18 muajsh. Fati im, ishte se mua më morën në një mushkë, e cila nga që ishte e egër, më rrëzoi midis pluhurit. Nëna ime u kthye me më marrë mua, por ata nuk e lanë.

Dhe unë kam jetuar për tre muaj, shtëpi më shtëpi, në atë fshat, ku nënat e reja që kishin fëmije sa unë, më mbanin mua si femijën e vet. Pas tre muajsh, ka dalë gjyshja (nëna e nënës, nga Shkreli) dhe ka ardhur aty e më ka marrë. Ajo nuk kishte asnjeri në shtëpi, pasi djalin e vetëm, 22 vjeç, pra dajën tim, ia kishte pushkatuar Partia dhe ajo ishte e vetme, pa njeri në shtëpi. Aty tek ajo gjyshe, unë kam jetuar shtatë vjet. Ndërsa nana ime, Age, vëllai Gjergji, Katrina, Gjeloshi, Lula, Prena dhe Mara, si dhe disa kushërinj tanë, i dërguan të gjithë në internim, në Tepelenë. Nëna ime mbeti në internim deri në vitin 1953, pasi më 18 shtator 1952, babanë tim, Pjetër Gjekën, e vrasin forcat e kufirit.

Si dhe përse ndodhi vrasja e tij?

Ishin dy djem, kushërinj tanët, jetimë, pa nanë dhe pa babë, të cilët pushteti i kishite bërë kulakë, duke u sekuestruar të gjithë pasurinë dhe këta të dy jetonin në mjerim të madh. Kështu daja i tyre, Mark Pashku, bashkë me babën tim, u detyruan dhe erdhën fshehurazi nga jashtë, pra nga Jugosllavia, për me i marrë dhe me i nxjerr në Mal te Zi. Në atë kohë që baba erdhi me marrë ata dy fëmijët, ra në pritë me forcat kufitare, fare afër shtëpisë sonë, që ishte bërë posta kufitare dhe e vranë ushtarët, duke e konsideruar diversant.

Të nesërmen, e kanë marrë trupin e vdekur të babës dhe e kanë sjellë afër postës, ku ishte shtëpia dhe e kanë varur në një pemë kumbulle. Pas kësaj, kanë dërguar disa bashkëfshatarë tanët, për të bërë disa veprime, që janë tepër çnjerëzore. Me një fjalë, për ta masakruar kufomën e tij, gjë e cila, nuk ka qenë kurrë në traditën e shqiptarit dhe për më shumë, ajo gjë ka qenë e ndaluar edhe me kanun. Por fatkeqësisht, ajo gjë ndodhi…

Konkretisht, si e masakruan kufomën?

Çfarë t’ju them?! Fillimisht, babës i kanë futur duhan në gojë, pastaj e kanë ngrit prej aty, duke e tërhequr zvarrë për 2 km, në një vend ku nuk kishte varre, por që një vit më parë, kishin pushkatuar një fshatar tonin, Dod Prek Nikën. Donin t’i fusnin të dy në një gropë. Dy burra, Nik Gjetja dhe Nik Gjeloshi (të cilëve u jam shumë mirënjohës), nuk kanë pranuar ta tërheqin zvarrë kufomën e babës, duke thënë: “Me e dit që desim, nuk e bëjmë këtë punë.

Ai është fshatari ynë dhe ne, nuk e bëjmë këtë gja kurrë”. Kur e kanë çuar aty afër varrit, ka qenë gjëja më e tmerrshme. Dy komunistë, (nuk ka nevojë me ua përmendë emrin, se e di i gjithë Vermoshi, kush janë ata), kanë nis me e zhvesh kufomën dhe ia kanë marrë rrobat, këmishën, pantallonat, kapotën, këpucët, etj., të gjitha me gjak. Kurse një burrë tjetër, të cilit gjithashtu, i jam mirënjohës, kur e kanë shti babën në gropë dhe kanë dashtë me i hedh edhe gurë në fytyrë, (pasi ka qenë pa arkivol), ai burrë trim dhe fisnik, ka hequr shallin e vet dhe me të, i ka mbuluar fytyrën. Kështu ndodhi kjo punë, por ajo çka ishte më e rënda, ishte një ngjarje tjetër, që do ta rëndonte familjen tonë, edhe më shumë se vdekja e babës, pasi ajo akuzë, do të na ndiqte gjatë ne, si familje.

Konkretisht, për çfarë ngjarje bëhet fjalë?

Po në verën e vitit 1952, pra dy-tre muaj para se të ndodhte ngjarja ku vranë babën tim, Pjetrin, një nxënës i shkollës së Vermoshit, i quajtur Nik Pjetër Ndreka, fshatar që shkonte me bagëti, rrëzohet e bie nga shkëmbi dhe humb jeten. Pasi e kanë nxjerrë, atë e sollën në shtëpi, ku janë kryer ritet mortore dhe e kanë varrosur me nderimet e fshatit, si një njeri, që ka rënë aksidentalisht nga shkëmbi. Natyrisht dhimbja ishte shumë e madhe, pasi ai ishte vetëm 13 vjeç dhe atë ngjarje e kanë parë nja 20 fshatarë të tjerë, të cilat ashtu si ai, ishin me bagëti aty.

Babai i tij, Pjetër Ndreka, që në atë kohë ishte në Velipojë, (ku dhe banonin ata si familje aso kohe, pasi në Vermosh, ata vinin vetëm për verim, me kullot bagëtinë), e ka marrë vesh pas nja shtatë ditësh vdekjen e djalit. Sepse siç dihet, në atë kohë, nuk kishte telefon dhe duhej 3- 4 ditë me dal nga Velipoja, në Vermosh, në këmbë, se as rrugë makine nuk kishte. Më vonë, Pjetër Ndreka, me, apo pa dëshirën e tij, pranoi versionin që i thanë ata të Partisë dhe Sigurimit Shtetit. Kështu në një mënyrë aspak burrnore, ai përgatiti intrigën, për me e mbrojt dhe favorizu familjen e vet, duke thënë se: “Pjetër Gjeka, (pra babai im), dhe një kushëri i tij, i quajtur Mark Pashku, diversantë të UDB-së, të ardhur nga Jugosllavia, ma kanë vra djalin, duke e hedhur në greminë”. Dhe pas kësaj, kufomën e djalit të tij, Nikës, e marrin nga varret familjare dhe e varrosin te shkolla, ku ishin varret e dëshmorëve të fshatit Vermosh.

Kjo gjë, pra version që Nik Ndreka u vra nga diversantët dhe varrimi i tij, u bënë në mënyre zyrtare?

Po, patjetër, në mënyrë zyrtare u bë. Më vonë, prapë e marrin Nik Ndrekën edhe nga Vermoshi dhe e dërgojnë në “Varrezat e Deshmorëve” të Shkodrës, duke i bërë ceremoni dhe duke e varrosur, si “Hero të Popullit”. Ma vonë, për çdo vit, në fshatin tonë, bëhej përkujtimi i tij. Shkollës së fshatit, i vunë emrin “Nik Pjetër Ndreka”, mbaheshin mitingje, fjalime, vinin nga Ministria e Brendshme, Kadri Hazbiu etj., dilte Bilal Parruca, Prokop Murra, Muho Asllani, e njerëz të tjerë të qeverisë dhe flisnin para popullit, që ishte aty. Po kështu, për çdo natë kur në “Radio Tirana” ishte emisioni “Radio-posta”, me kërkesa të dëgjuesëve, ishte dhe kënga për Nik Ndrekën, ku rapsodi popullor, këndonte: “Si në befasi e kapën Nik Ndrekën, duke u lëshu mbi të furish, si zagarët kur bien në mish”.

Po kështu në atë kohë, janë luajtur edhe filma të Kinostudios “Shqipëri e Re”, si: “Lugina e Pushkatarit”, janë shkruar libra shkollorë e jashtëshkollorë, janë luajtur drama e shumë e shumë gjëra të tjera, në emrin e Nik Ndrekës, pra që i kushtoheshin atij. Emri i tij u popullarizua aq shumë, saqë edhe në Kampin e Pionerëve “Qemal Stafa”, te “Plepat e Durrësit”, një kompani kishte emrin “Nik Ndreka” dhe një bust të tij, duke e barazuar atë me Ylbere Bylykbashin dhe Met Hasën, dy pionerë të tjerë “Heronj të Popullit”, që ishin vrarë në Luftën Nacionalçlirimtare.

Populli i Vermoshit, a e dinte se babai juaj, nuk kishte gisht në këtë ngjarje?!

I gjithë Vermoshi e dinte shumë mirë, se ajo që thuhej ishte e pavërtetë dhe se babai im, Pjetër Gjeka, nuk kishte fare gisht në atë ngjarje, pasi kur ka rënë Nik Ndreka nga shkëmbi, siç ju thashë pak më parë, aty kanë qenë rreth 20 fshatarë (çobanë) të tjerë, por nuk mund të guxonte të fliste njeri. Madje atë gjë, e vërteton edhe një film dokumentar, ku thuhet se, Nik Ndrekën, e pyetën diversantët, se ku ështe kufiri? Kjo është absurde ta mendosh… Andej nga ana jonë, por dhe kudo tjetër, kësaj i thonë: “Po i thotë djali babës, hajde të tregoj, se ku i kemi arat”?! Them kështu, pasi ata ishin vëndali dhe si babai im, Pjetri, e Mark Pashku, (i cili ishte kushëri i dytë i Nik Ndrekës), e dinin me pëllëmbë atë vend dhe nuk kishin nevojë me pyet Nikën, 13-vjeçar.

Në dijeninë tuaj, kush ishte organizatori kryesor, që e kurdisi këtë ngjarje?

Këtë ngjarje, sigurisht që e organizoi qeveria me organet e veta përkatëse, Sigurimin e Shtetit, etj., për qëllime që tash dihen prej gjithkujt, pra me kriju urrejtje për “armiqtë e popullit”, siç konsideroheshin Mark Pashku dhe babai im, Pjetër Gjeka. Por, mendoj se, ajo më kryesorja, ishte për të krijuar përçarje te familjet e asaj zone kufitare, në mënyrë që në rast të ndonjë provokacioni nga jashtë, ata të mos kishin mbështetje në popull, siç dhe ngjau me të vërtetë, me ngjarjen e vrasjes së babait tim, që u tregova pak më parë. Por fatkeqësisht, edhe Pjetër Ndreka, që e pranoi atë pavërtetësi, duke u bërë palë në një ngjarje dhe histori të sajuar, duke akuzuar dy burra, se kishin vrarë dhe masakruar një fëmijë 13 vjeç.

Si rrodhi jeta e familjes suaj, pas kësaj ngjarjeje?

Për familjen tonë, pas kësaj, pati shumë fatkeqësi të tjera të reja. Pasi u vra baba, u burgosën Zef Miraka-Hysaj, Nikoll Zef MirakajHysaj, (të dy nga shtëpia jonë), me akuza të montuara, pa kurrfarë baze, sikur kishin strehuar diversantë, etj. Më vonë, kanë futur në burg edhe tre të tjerë nga familja jonë: Gjelosh Çuni-Hysaj, Gjon Çuni-Hysaj dhe Prek Pashku-Hysaj, të tre me nga 9 vjet burg, të akuzuar për agjitacion e propagandë. Pas kësaj, deri në moshën 7 vjeç, unë u rrita te gjyshja ime, nëna e nënës, Age Fran Lumaj. Ajo na rriti, ajo na ushqeu dhe na dha shkollën fillore. Kurse 7-vjeçaren, unë e kam mbaruar në Vermosh, më andej, nuk më kanë lejuar të vazhdoj më shkollë. Ne na konsideronin në atë mënyrë, sa mua më vinte shumë turp, për atë gjë që bëhej ndaj nesh.

Kur e ke ndjerë veten më keq, si “djali i kriminelit”?!

E kam ndjerë sidomos, kur bëhej mitingu përkujtimor për Nik Ndrekën, kur luhej drama, pasi njerëzit thoshin se “aty ishte edhe djali i kriminelit”. Në Vermosh, nuk ndihesha  shumë keq, se ata e dinin të vërtetën, por, po të shkoje në fshatra të tjera dhe andej nga Shkodra, atë ngjarje e kanë besuar dhe nuk u dukej ndonjë gjë e pavërtetë.

A ju është dhënë ndonjëherë mundësia, për të biseduar me Pjetër Ndrekën, për atë ngjarje?

Gjatë periudhës së diktaturës, jo vetëm që asnjëherë nuk patëm bisedu, por as e çoja nëpër mënd atë gjë! Ne nuk patëm guxuar të flasim, pasi Pjetër Ndreka, ishte një njeri, që kur dilte në bjeshkë, rrinte me njerëz të udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës apo, anëtarë të Byrosë Politike. Pjetri ishte në presidium me Kadri Hazbiun e kuadrot e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, sa herë që përkujtohej “DDita e Kufirit”, “5 Maji”, apo aktivitete të tjera të asaj ministrie, etj.

Ku i çuan ata, pra familjen e Nik Pjetër Ndrekës, pas asaj ngjarjeje?

Pas vdekjes së Nikës, ata i çuan në Milot të Kurbinit ku Pjetrit me familjen e tij, shteti i dha vilën e Abaz Kupit, një ndërtesë dykatëshe, me shumë dhoma e me oborr, kurse fëmijët e tij, i dërguan në shkolla të larta dhe u bënë kuadro, oficerë, mjekë, ekonomistë, etj.

Kur dhe pse vendosët që të arratiseshit nga Shqipëria?

Siç ju thashë, çdo ditë e më shumë, rëndohej gjendja ime, jo ekonomike, pasi për ekonomi, nuk ikën burri nga vendi i vet, por gjendja shpirtërore dhe presioni i madh që më bëhej për shkaqe politike, pra të biografisë, nga Sigurimi i Shtetit, madje duke arritur deri në kërcënime, që në rast se nuk do bashkëpunoja me ta, do të më arrestonin. Nisur nga kjo gjendje tejet e vështirë dhe pa asnjë shpresë, vendosa me u arratis nga Shqipëria dhe më 14 korrik 1979, arrita ta kaloja kufirin shtetëror në zonën e Vermoshit, të cilën e njihja me pëllëmbë dhe të dilja në Malin e Zi, pa më diktu fare rojet e Postës së Kufirit. Por edhe pse e njihja shumë mirë atë zonë dhe shpresoja se nuk do më kapnin, por asgjë nuk mund të përjashtohej, pra edhe mund të diktohesha dhe kapesha prej tyre.

Nisur nga kjo, unë pata vënë 3 kallëpe dinamiti në brez, me fitil të hapur, pra gati me i ndez dhe kisha vendosur se, po të me kapnin forcat kufitare, do t’i ndizja dhe do të hidhja veten në erë.

Pasi kaluat kufirin dhe dolët në Mal të Zi, si vepruat, çfarë bëtë më tej?!

Kur dola në Mal të Zi, si për koincidencë, te shtëpia e parë që shkova e trokita, ishte pikërisht ajo e Mark Pashkut, i cili ishte akuzuar bashkë me babën tim, gjoja si vrasës të Nik Pjetër Ndrekës. Pasi jam dorëzuar tek ai, kemi lajmëruar organet kompetente, të cilat kanë ardhur dhe më kanë mbajtur 20 ditë të izoluar e pastaj më kanë marrë në intervista ata të zyrës së emigracionit, siç veprohej me të gjithë ata që kalonin kufirin. Jugosllavët më lejuan të shkoja në Belgjikë, ku nga aty erdha në Itali dhe aty fitova azilin politik për në SHBA, ku jetoj edhe sot me familjen time, që e krijova aty.

Pas viteve ’90, a tentuat të vinit në Shqipëri dhe në Vermosh për të hequr atë “njollë” që regjimi komunist ua kishte vënë me pa të drejtë, pra sikur babai juaj, ishte vrasësi i Nik Pjetër Ndrekës?

Unë fillimisht kam ardhur në Shqipëri që në 1991-shin dhe kam shkuar në Vermosh me deputetin e zonës së asaj kohe, (të ndjerin Dodë Kaçaj, përfaqësues i Partisë Demokratike), dhe aty ka ardhur një ekip i “Radio Televizionit Shqiptar”, me gazetarin e njohur Bujar Muharremi, ku u bë një kronikë televizive, sipas asaj që kishte ndodhur me familjen time, vite më parë. Dhe po atë vit, kemi gjetur eshtrat e babës, në atë përroin që u tregova pak më sipër dhe i kemi varros me ceremoni, sipas traditës sonë. Në atë ceremoni, kanë marrë pjesë edhe nga familja e farefisi i Nik Pjetër Ndrekës. Ne si malësorë, e kemi zakon, që i vajtojmë ata që varrosim dhe një nga ata që vajtonin, ishte kushërini i Nik Pjetër Ndrekës, Zef Gjergj Ndreka (Deda), i cili i ka thirr vaj, babës tim.

Krahas këtyre, a u diskutua në atë kohë e vërteta e asaj ngjarje, pra, që nuk ishte babai juaj, vrasësi i Nik Pjetër Ndrekës?

Për këtë gjë, kam ardhur prapë një vit më vonë, për të nxjerrë të vërtetën e historisë së babait tim. Kam shkuar në Vermosh dhe sipas zakonit, kam mbledhur të gjithë burrat në derë të kishës, ku kisha dhe kamerën që i regjistronim bisedat e gjithsecilit. Aty u kam thënë: “Në rast se ju thoni, se Nik Ndrekën e ka vrarë babai im dhe Mark Pashku, do ta pranoj dhe të themi publikisht se e kanë vrarë ata”.

I gjithë fshati, më shumë se 100 burra, kanë dalë në atë moment dhe kanë thënë se: “Ne kemi qënë aty dhe e kemi parë dhe e kemi ditur, që ka qenë një gënjeshtër, por nuk kemi pasur se çfarë të themi, se ashtu ishte koha atëherë. Nuk guxonim dot të flisnim ndryshe asaj, çka kishte thënë Partia dhe qeveria”. Pra, ajo që ishte thënë deri atëherë, se gjoja baba im dhe Mark Pashku, kishin vrarë Nik Pjetër Ndrekën, ishte një legjendë e krijuar nga Partia dhe Sigurimi i Shtetit, se si e si me përça familjet e mëdha, pasi me këtë familje, ne kemi miqësi dy herë. Kemi dy bijat tona, të martuara në shtëpinë e tyre. Krejt farefisi i Pjetër Ndrekës, si: Kol Ndreka, Nikoll Ndreka, Rrok Ndreka, etj., nuk e kanë pranuar kurrë, që babai im dhe Mark Pashku, të kishin gisht apo lidhje në vrasjen e Nikës.

Po vetë Mark Pashku, që ishte i akuzuari kryesor për vrasjen e Nik Ndrekës, a ka ardhur në Shqipëri pas vitit 1990, për të sqaruar të vërtetën e kësaj historie?

Po, edhe Mark Pashku ka ardhur në vitin 1995 dhe i ka takuar të gjithë njerëzit, si dhe dy axhat e Nikë Pjetër Ndrekës, shtëpi për shtëpi, (se Marku ishte kushëri i tyne) dhe u ka kërku të thonë publikisht, se si ishte e vërteta e asaj historie. Ata i kanë thënë me i falë, se ata e kanë ditur se ka qenë rrenë, por, “nuk kemi pasur se çfarë të bëjmë”. Pas kësaj, ai ka shkuar te Pjetër Ndreka në Milot dhe i ka thënë atij: “Pjetër, ne jemi kushërinj, dy breza, zgjidh kë të duash dhe silli këtu. Unë të bëj be, në kishë, a ku të duash ti, se as nuk kam pasur dijeni dhe as kam gisht, në vrasjen e djalit tuaj”. Pjetri i është pergjigjur se: “nuk besonte në be”. Dhe Marku i ka thënë: “Kurrë mos besofsh dhe pushka top, t’u bëftë”. Pas kësaj, ne menduam se familja e Pjetër Ndrekës, duhej të distancohej nga shpifjet, ose të përdorte traditën e zakonit malësor, por nuk ndodhi kështu.

Po ju personalisht, a tentuat të takoheshit me njerëz të afërt të Nik Pjetër Ndrekës?

Ne u takuam me gjithë të afërmit e tij, me axhat e Nikës dhe të gjithë e pranuan se ajo gjë, ka qenë e gënjeshtërt, por me Pjetrin, kurrë. Pjetri ka qenë një njeri, që ka pranuar dhe vënë gjakun e djalit, mbi interesat e familjes. Se të përdorësh gjakun e fëmijës, është e turpshme. Në qoftë se ai, ka përfituar merita me Nikën, nga ana e regjimit komunist, ai ka përçarë familjen, se siç thashë, Mark Pashku ka qenë kushëriri i tij. Pra, të ulesh një burrë shtëpie dhe të çosh një fëmijë, është një gjë e keqe. Ndërsa kjo familje, pra ajo e Pjetër Ndrekës, ka qenë dhe është një familje e mirë dhe shumë e nderuar, përveç Pjetrit, që ka pranuar dhe ka ngrënë bukën e turpit, bukën e marres, siç i themi ne malsorët. Por, në rast se kjo gjë, për kohën e komunizmit i falet, se ashtu ishte sistemi që përgatiste skema dhe përçarje nëpër familje të ndryshme sipas interesave të tij, nuk mund t’i falet kjo gjë, pas viteve ’90.

Pra, kur erdhi demokracia, ai duhet të dilte dhe të kërkonte falje, ashtu siç kane bërë ata burra që kanë zhveshur kufomën e babait tim, që kanë kërkuar falje. Dhe prandaj, unë nuk ua përmenda emrat atyre. Pjetri duhet të kishte përdorur zakonin e malësorit. Për mua, dënimi më i madh për një njeri, është dënimi që të jep historia. Ta dënosh një njeri, duke u bazuar në historinë e vërtetë, është gjëja më e madhe. Dhe unë këtë gjë, po ia le historisë. Edhe Nik Ndrekën e Pjetër Ndrekën, ua le historisë që ta gjykojë dhe familja e tij, le të prononcohet publikisht, ashtu siç i ka hije malësorit, shqiptarit, të vërtetës./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura