“U shemb për të heshtur kritikat! Mediat nën trysni”- DASH jehonë prishjes së “Prestige Resort”: Presioni politik e korrupsioni penguan gjyqësorin! Si qeveria keqpërdori administratën

Mar 21, 2023 | 8:22
SHPËRNDAJE

Valentina Madani

Departamenti Amerikan i Shtetit jep alarmin se korrupsioni në Shqipëri është shumë i përhapur në qeveri, organet e zbatimit të ligjit dhe institucionet bashkiake.

pretige resort1

DASH risjell në vëmendje problemet e mëdha zgjedhore në Shqipëri, duke cituar një raport të monitoruesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e vitit 2021. Por, shembja e “Prestige Resort” zë një vend të rëndësishëm në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin e kaluar. Si rrallëherë, ky sulm ndaj një biznesi përmendet në raport si një trysni mbi mediat.

Në raport thuhet se disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për zbatim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike. Po ashtu përmendet shembja në dhjetor e një hoteli nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, duke përmendur si arsye shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit.

Në raport përmendet fakti që pronari i hotelit, që është edhe pronar i disa mediave dhe bizneseve të tjera, pretendon se hoteli i tij u shkatërrua për të heshtur kritikat dhe kundërshtimet, ndërkohë që qeveria tha se veproi në përputhje me ligjet në fuqi.

“Më 4 dhjetor, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit prishi një hotel duke përmendur shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit. Në datën 1 dhjetor, kompania e ndërtimit të resortit kishte depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Durrësit, duke kërkuar një vendim në pritje të shqyrtimit ligjor të urdhrit të prishjes së IKMT. Gjykata nuk caktoi menjëherë gjyqtarin dhe IKMT vazhdoi me shembjen. Pronari i hotelit, i cili gjithashtu zotëron disa media dhe biznese të tjera, pretendoi se hoteli i tij u shkatërrua për të mbytur kritikat dhe mospajtimet. Qeveria pohoi se veproi në përputhje me ligjet në fuqi dhe se kjo prishje ishte pjesë e një fushate më të gjerë për të çrrënjosur ndërtimet e paligjshme në vend”, thuhet në raport.

Aty përmenden si shembuj mbyllja me forcë e një ambienti biznesi të një deputeti të opozitës (Agron Shehaj), i cili tha se kompania e tij ishte vënë në shënjestër, pasi ai kishte akuzuar vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët e qeverisë për korrupsion. “Disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për aplikim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike.

Në tetor, IKMT dhe Policia e Shtetit Shqiptar mbyllën me forcë ambientet e biznesit të një deputeti të opozitës, duke përmendur shkeljen e kërkesave të ndërtimit dhe zënies së ndërtesave. Deputeti pretendoi se kompania e tij ishte në shënjestër pasi akuzoi vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët e qeverisë për korrupsion. Kompania ngriti padi në Gjykatën Administrative të Tiranës duke kërkuar një qëndrim në pritje të shqyrtimit ligjor dhe akses në provat mbështetëse që justifikonin sekuestrimin e hapësirës së zyrës që kishte me qira. Në nëntor bllokimi u hoq”, thuhet në raportin e DASH.

PROBLEMATIKA

Raporti i DASH vëren mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, mungesa e mediave të pavarura; dhe korrupsioni i vazhdueshëm në qeverisje, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale. Sipas raportit, këto janë disa nga problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit 2022.

“Ndonëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raport.

Në raport vëren se ka pasur edhe përparim, duke përmendur Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), i cili gjatë vitit të kaluar ka hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarët e lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar, të përfshirë në korrupsion. Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private.

Një nga problemet kryesore të përmendura në raport është gjendja e medias dhe trysnia ndaj saj. Sipas raportit, vëzhguesit pohojnë se “qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”. Ka media të lira dhe një përhapje të madhe të organeve të medias, veçanërisht në internet, që përfaqësojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh pa përgjegjësi, shpesh pa e atribuuar informacionin.

“Megjithatë, janë të pakta mediat e pavarura, pasi shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me peshë që kanë interesa të mëdha, të cilët përdorin mediat e tyre për të avancuar interesat e tyre, përfshirë përfitimin dhe nxitjen e interesave që kanë me partitë politike”, thuhet në raport.

Departamentit i Shtetit thotë gjithashtu se ka pasur raporte të besueshme sipas së cilave, përfaqësuesit e lartë të mediave përdornin organet e tyre për të ushtruar shantazh ndaj bizneseve, duke i kërcënuar ato me pasqyrim negativ.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët thuhet se kanë praktikuar autocensurë”, thuhet në raport.

Po sipas Departamentit të Shtetit, raporti i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021 vlerësoi se gazetarët mbetën të pambrojtur ndaj presionit dhe korrupsionit. Duke iu referuar këtyre zgjedhjeve, në raport thuhet se sipas Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve megjithëse zgjedhjet në përgjithësi ishin të organizuara mirë, partia në pushtet siguroi avantazhe të rëndësishme nga fakti i të qenit pushteti i saj, nga kontrolli mbi administratat vendore dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative”.

Raporti përmend gjithashtu përfitimin që shumica siguroi nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media, si edhe pretendimet e besueshme për blerje të përhapura të votave nga partitë politike dhe nxjerrjen dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave të ndjeshme personale. Në raport thuhet se disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për zbatim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura