U arrestua në Rusi pasi u kap me vaj kanabsi/ Si u shkëmbye ylli amerikan i basketbollit me tregtarin e “vdekjes” Viktor Bout! Pritet me pozitivitet, s’mugojnë as kritikat

Dec 9, 2022 | 9:47
SHPËRNDAJE

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë shkëmbyer yllin e basketbollit amerikan, Brittney Griner, me tregtarin famëkeq të armëve Viktor Bout, që ndodhej në qeli prej 12 vitesh.

grinner bout

Presidenti Joe Biden tha se Griner, i cili ishte burgosur në Rusi, ishte i sigurt dhe po kthehej në shtëpi me një aeroplan nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Më vjen mirë të them se Brittney është mirë… ajo ka nevojë për kohë dhe hapësirë për t’u rikuperuar”, tha ai në Shtëpinë e Bardhë.

Bout, i njohur si “tregtari i vdekjes”, është kthyer në Moskë, raportojnë mediat ruse.

“Në mes të natës ata thjesht më zgjuan dhe më thanë ‘Mblidhi gjërat’, kjo ishte e gjitha”, tha Bout në një koment të shkurtër për një gazetar nga televizioni kombëtar, pasi mbërriti në Rusi.

Bout thuhet se zbriti nga shkallët e aeroplanit duke mbajtur një buqetë me lule përpara se të përqafonte nënën dhe gruan e tij.

Ndërsa Griner u arrestua në një aeroport të Moskës në shkurt për posedim të vajit të kanabisit.

Administrata Biden propozoi një shkëmbim të burgosurish në korrik, duke qenë të vetëdijshëm se Moska kishte kohë që kërkonte lirimin e Bout.

Shkëmbimi përfshinte dy avionë privatë që i sollën basketbollisten dhe tregtarin e armëve në aeroportin e Abu Dhabi, përkatësisht nga Moska dhe Uashingtoni, dhe më pas i dërguan në shtëpi.

Në pamjet e publikuara në mediat shtetërore ruse ata shihen duke kaluar në pistë me ekipet e tyre përkatëse.

“Shtetasi rus është kthyer në atdheun e tij”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.

Duke folur në Zyrën Ovale, gruaja e Brittney Griner, Cherelle, vlerësoi përpjekjet e administratës së Biden për të siguruar lirimin e saj.

Cherelle Griner

Sipas një deklarate të përbashkët, Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman luajti një rol udhëheqës në përpjekjet e ndërmjetësimit, së bashku me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al-Nahyan.

Trashëgimtari i fronit saudit ka marrëdhënie të mira me Vladimir Putinin e Rusisë dhe në shtator ai ndihmoi në koordinimin e një shkëmbimi kompleks të qindra të burgosurve të mbajtur nga Rusia dhe Ukraina.

Por Shtëpia e Bardhë mohoi se ishte përfshirë ndonjë ndërmjetësim.

“Të vetmet vende që negociuan këtë marrëveshje ishin Shtetet e Bashkuara dhe Rusia,” tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre.

Kur filluan negociatat për të siguruar lirimin e Griner gjatë verës, SHBA e bëri të qartë se dëshironte që ish-marinari Paul Whelan të përfshihej në një shkëmbim.

Por u bë e qartë se Whelan, i burgosur në vitin 2018 me dyshimin për spiunazh, nuk do të ishte pjesë e shkëmbimit rus.

Avokati i Bout, Alexei Tarasov, tha për televizionet ruse se që nga fillimi SHBA donte që dy nga qytetarët e saj të ktheheshin në vend dhe ministria e jashtme e Rusisë deklaroi se “Uashingtoni refuzoi kategorikisht të angazhohej në dialog”.

Paul Whelan tha për CNN se ishte “shumë i zhgënjyer” që nuk ishte bërë më shumë për ta liruar, pasi ai nuk kishte kryer asnjë krim: “Unë nuk e kuptoj pse jam ende këtu,” tha ai.

Presidenti Biden më në fund nënshkroi urdhrin për lirimin e Bout, duke e zbutur dënimin e tij 25-vjeçar, në një shkëmbim të drejtpërdrejtë me Griner.

Gruaja e Bout, Alla, tha për televizionin rus se kishte folur me të vetëm dy ditë më parë: “Ai duhej të më telefononte sonte. Tani do të shihemi dhe do të përqafojmë njëri-tjetrin. Kjo është më mirë se çdo telefonatë.”

Viktor Bout u shiti armë kryekomandantëve të luftës, duke u bërë një nga njerëzit më të kërkuar në botë.

Viktor Bout1

I quajtur “tregtari i vdekjes” për kontrabandimin e armëve në vitet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, bëmat e rusit frymëzuan filmin hollivudian të vitit 2005 Lord of War, i cili bazohej në jetën e tij.

Por në vitin 2008, ai u arrestua në një hotel në kryeqytetin tajlandez Bangkok.

Ai u ekstradua në SHAB dy vjet më vonë dhe ka kaluar 12 vitet e fundit në një burg amerikan për komplot për të mbështetur terroristët dhe për të vrarë amerikanët.

Brittney Griner, 32 vjeçe, është një nga sportistet më të njohura në Amerikë.

Gjatë sezonit të basketbollit të SHBA-së, kampionia e olimpike është një ylli për Phoenix Mercury në WNBA.

Ajo udhëtoi për në Moskë që të luante në Rusi pas mbarimit të sezonit në SHBA. Ajo tha në gjykatë rus se vaji i kanabisit i gjetur në çantën e saj kishte qenë një “gabim”.

Griner u zhvendos muajin e kaluar në Mordovia, një zonë e largët rreth 500 km, në jug-lindje të Moskës. Ajo u mbajt jo shumë larg vendit ku Paul Whelan po vuan dënimin e tij 16-vjeçar me akuza për spiunazh.

Në deklaratën e tij, Presidenti Biden tha se Rusia e kishte trajtuar rastin e Whelan ndryshe nga ai i Griner për arsye krejtësisht të paligjshme.

“Ndërsa nuk kemi arritur ende të sigurojmë lirimin e Paul, ne nuk jemi dorëzuar; ne nuk do të dorëzohemi,” u zotua ai.

Vëllai i Whelan, David, vlerësoi lirimin e Griner dhe tha se zyrtarët amerikanë e kishin paralajmëruar familjen paraprakisht se Paul Whelan nuk ishte pjesë e shkëmbimit.

“Është e qartë se qeveria amerikane duhet të jetë më e sigurt”, tha ai në një deklaratë. “Nëse Rusia do të rrëmbejnë amerikanët e pafajshëm, SHBA-ja ka nevojë për një përgjigje më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë.”

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton e dënoi marrëveshjen duke thënë se nuk ishte shkëmbim, por një dorëzim nga administrata Biden.

“Terroristët në mbarë botën do ta kenë parasysh këtë dhe kjo rrezikon amerikanët e tjerë në të ardhmen”, tha ai.

Viktor Bout

Marrëveshja u kritikua gjithashtu nga Robert Zachariasiewicz, një ish-agjent me Administratën Amerikane, i cili ndihmoi në udhëheqjen e ekipit që arrestoi Viktor Bout.

Vladimir Osechkin – një ish-deputet rus që drejton një hetim parlamentar për Bout, dhe i cili tani është një disident në Francë – tha për BBC se ai beson se Vladimir Putin donte që Bout të kthehej për shkak të asaj që ai di.

“Putini dhe gjeneralët ishin të shqetësuar se Viktor Bout mund të fillonte të ofronte prova të detajuara dhe të qëndrueshme të asaj që ai dinte për inteligjencën ruse që ndihmonte organizatat terroriste dhe organizonte sabotim jashtë vendit,” tha ai. “Ishte çështje nderi për ta që të merrnin agjentin e tyre”.

Shkëmbimi i të burgosurve të së enjtes nuk është i pari mes Rusisë dhe SHBA-së këtë vit. Marinari amerikan Trevor Reed kaloi tre vjet në burg për sulm para se të shkëmbehej prillin e kaluar për Konstantin Yaroshenko, një pilot rus i dënuar për kontrabandë kokaine.

Presidenti Biden u kërkoi amerikanëve të marrin masa para se të udhëtojnë jashtë shtetit dhe paralajmëroi për rrezikun e ndalimit të tyre.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura