Tri kandidatë për stolin e Tiranës, presidenti i klubit dëshiron trajner shqiptar! Ja emrat

May 25, 2024 | 9:11
SHPËRNDAJE

Tre emra të tjerë dalin në skenë për Tiranën. Më saktë janë trajnerët e mundshëm që mund të drejtojnë bardheblutë. I pari është Armando Cungu, i dyti Bledar Devolli dhe i treti vlonjati Gentian Mezani.TIRANA

Cungu dhe Mezani janë dy dëshira të vjetra të Refik Halilit, që edhe më parë ka dashur t’i afrojë në ekip. Devolli ka qenë i shtëpisë, por gjërat u ngatërruan kur Devolli braktisi akademinë bardheblu për të marrë Dinamon, i mërzitur edhe nga fakti se atij nuk iu ofrua ekipi i parë. Gjithsesi, gjërat kanë ndryshuar. Mezani dhe Devolli janë të lirë, por edhe të provuar në trajning. Edhe Armando Cungu është në aktivitet, por duhet të shihet nëse do të qëndrojë te Laçi.

Tre trajnerë potencialë dhe secili ka mundësi të jetë një Orges Shehi i dytë, ku te bardheblutë të nisë një cikël të gjatë fitues. Shkurt, Tirana ka ditë vendimtare përsa i përket ekipit që do të paraqitet në sezonin e ri. Presidenti Refik Halili duhet të ndajë mendjen se cilin do të emërojë trajnerin e ri. Kandidatë për të marrë drejtimin e Tiranës pas largimit të Fagut janë edhe Shpëtim Duro. Ku i fundit pa ekip mund të jetë emri surprizë i bardhebluve. Për të mos folur për Mirel Josën.

STATISTIKAT – Viti 2024 ka qenë një tmerr më vete për Tiranën. Në 18 javë të luajtura ka marrë 24 pikë, me 6 fitore dhe gjashtë barazime. Bardheblutë në 2024-ën janë të tetit në renditje dhe më keq sesa ta kanë bërë, Erzeni e Kukësi. Tiranën e shpëtojnë 4 fitoret me Kukësin dhe tri fitoret e një barazim me Dinamon, që bëjnë 22 pikë nga 50 të mundshmet. Ekipi i Tiranës ka 17 pikë më pak nga kampionati i shkuar. Jo vetëm kaq, por është 23 pikë nga sezoni që solli titullin në kryeqytet.

EUROPA – Tirana edhe pse s’merr pjesë në “Final 4”, do të luajë në Ligën e Konferencës edhe pse është renditur e pesta në kampionat, për shkak se Skënderbeu është ende i dënuar nga UEFA. Për bardheblutë, festa është dyfish, për faktin e thjeshtë se me koeficientin që ka siguruar në vitet e fundit, shkon direkt në vazon e skuadrave të forta në shortin e turit të parë në Ligën e Konferencës, me shanse më të mëdha për të kaluar një tur. Bardheblutë kanë një koeficient 5.5 për këtë edicion, mëse i mjaftueshëm për të qenë sipas përllogaritjeve mes 26 ekipeve më të forta në shortin e turit të parë ku marrin pjesë 52 skuadra.

OLSI AVDIAJPANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura