“Tradhtare”, “Shtrigë e shitur”- Rrëfimi i rrallë i partizanes Agllaia Zoto: Enver Hoxha më solli Kadri Hazbiun në Sofje duke më kërkuar divorcin

Jun 17, 2022 | 21:50
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Jetëshkrimi i Agallaia Zotos është një histori e rrallë, ku bashkëjeton shkëlqimi dhe drama, miqësitë e sinqerta dhe pabesitë me intriga e kurthe, karriera spektakolare dhe ndëshkimet e befta.

Agallia Zoto -partizania rrefimi-Enveri11-1

Nga qelitë e UDB-së, në auditorët e Sofjes për t’u diplomuar juriste, pastaj në Tiranë, prokurore përballë diversantëve dhe pjesëtarëve të bandave.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Kujtimet e Agllai Zotos publikuar në numrin e djeshëm të gazetës, veç këtij “shtegtimi” që i përket fillimit të viteve ‘50, zbulojnë pjesën më interesante të jetëshkrimit të saj, ku një vend të veçantë zë martesa dhe divorci me prokurorin bullgar Dhimitër Zdravçevi. Në të dyja rastet, kujton Agllaia, përcaktues ishte Enveri, i cili bekoi i pari këtë lidhje dhe po i pari urdhëroi prishjen e saj kur u prishëm me Moskën.

Sakaq, gruaja që ndau jetën midis Sofjes dhe Tiranës veçon përjetimet nga vitet kur ushtroi detyrën e Zëvendësministres së Drejtësisë së Bullgarisë. Rebelimi për padrejtësitë e regjimit, pas shkarkimit nga funksioni, do ti kushtonte një kalvar të tërë vuajtjesh e persekucioni.

Ndëshkimin së pari do ta merrte në zyrën e kryetarit të shtetit, i cili me dy fjalë “do ta presim gjuhën”, e shpalli zyrtarisht të padëshirueshme dhe të rrezikshme. Në vijim Agllaia Zoto tregon mënyrën si u kryqëzua nga shërbimet sekrete dhe KGB-ja, të cilat e gjurmonin për ta risjellë në Sofje ku ishte dënuar me pushkatim…

***

Në Tiranë erdhëm pasi bëmë muajin e mjaltit në Greqi. Kur mbërritëm, na thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe na qortuan pse kishim takuar në Athinë dajën tim, vëllain e Uranisë. Kjo e revoltoi shumë tim shoq, Dhimitrin, dhe aty për aty shpërtheu me zemëratë:

“Kush jeni ju që na kërkoni llogari nga do shkojmë e kë do takojmë?! Unë shkoj ku të dua e takohem me kë dua! Vetëm regjimet fashiste mund të sillen kështu!”. U rikthyem në Sofje. Peripeci të tjera të paparashikueshme na dolën përpara. Kështu deri në fillimin e viteve ‘60, ku drama jonë arriti kulmin. Ishte koha kur Shqipëria u divorcua me Bashkimin Sovjetik.

Njëherazi Tirana kishte nisur fushatën kundër vendeve satelite të Moskës ku përfshihej dhe Bullgaria, e cila kishte mbështetur qëndrimet e Hrushovit. Unë që kisha mbetur midis Shqipërisë dhe Bullgarisë, fillova të përballesha me të papritura të dhimbshme. Martesa me prokurorin bullgar shikohej me sy jo të mirë nga krerët e politikës shqiptare. Për këtë arsye, në këtë periudhë, me porosi të Enverit erdhi dy herë në Sofje Kadri Hazbiu dhe më kërkonte me ngut të ndahesha me Dhimitrin që të mos konsiderohesha revizioniste.

Ishte diçka dramatike. Refuzimi, sipas logjikës së regjimit, do të thoshte goditje fatale jo vetëm për mua. Do të thoshte burg për nënën, vëllezërit, internim deri te gjenerata e shtatë e të afërmve. Veç Kadri Hazbiut erdhi me këtë mesazh në Sofje dhe Aleko Sheti një kushëri ynë që ishte funksionar i lartë i Ministrisë së Jashtme. Unë u ndava me bashkëshortin, por nuk ishte vetëm kjo arsyeja e divorcit.

Ishte momenti kur edhe marrëdhëniet shtetërore ishin futur në krizë të thellë. Pastaj unë isha shpallur zyrtarisht e rrezikshme dhe e padëshiruar në Bullgari. Më lehtë bëja punë propagandistike në regjimin fashist e nazist se në regjimin komunist të Sofjes. Aty ishte instaluar një diktaturë krejtësisht çnjerëzore…

DORËHEQJA NGA DETYRA E PROKURORES

Nuk ishte një dorëheqje në kushte normale, po diçka e detyruar, e imponuar forcërisht. Një ditë më thirri Prokurori i Përgjithshëm, i cili e kishte bërë gati letrën e dorëheqjes dhe ma zgjati ta firmosja.

Ky me sa dukej ishte një ritual krejt formal. Teksa priste të nënshkruaja dokumentin ogurzi, prokurori më sqaroi se po të kundërshtoja dorëheqjen me vullnetin tim, do më përjashtonin zyrtarisht nga detyra dhe kjo do të shoqërohej me pasoja të rënda, çka parashikonte se në këtë rast nuk do të gjeja punë as për të pastruar shkallët e pallateve.

Shkurt, nuk mbetej gjë tjetër vetëm të pranoja zgjidhjen e ofruar. Me dorën që më dridhej hodha firmën në letrën që më ofroi Prokurori dhe u largova. Ika që aty e dërrmuar, por nuk dija ku të shkoja. Një moment thashë të shkoja për t’u qetësuar në Novazagora te shoqja ime e ngushtë, Sllavka Jani, e cila ishte drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë. Mora makinën dhe u nisa.

Pas 120 kilometrave rrugë ndalova para portës së saj. Kur po i bija ziles për t’u futur brenda, më zunë me forcë për krahu dy burra dhe më urdhëruan të shkoj me ta. I pyeta kush ishin dhe ata më nxorën dokumentin e Policisë Sekrete pa fol. Sakaq, më morën në makinën e tyre dhe bashkë me ta shkuam te shtëpia ime. Aty më kërkuan t’i qerasja. U hodha pijen që kisha. Mora një gotë dhe për vete. Një moment njëri kërkoi ujë dhe u çova. Kur u ktheva në gotën time diçka kishin hedhur dhe sa e vura në buzë rashë përdhe. Nga ai çast nuk mbaj mënd gjë.

Të nesërmen e shoh veten në një nga dhomat e çmendinës, ku kishte dhe disa të tjerë, kryesisht opozitar të ndëshkuar të regjimit. Mbaj mend që më jepnin ilaçe me grusht dhe me impononin që t’i pija me zor. Më hapnin gojën me forcë dhe më hidhnin ujë në fyt duke më mbajtur në këmbë deri sa i kaloja poshtë. Herë pas here më merrnin dhe më çonin në një bodrum që ishte dy kate më poshtë dhe aty më lidhnin këmbë e duar. Sakaq nuk vononte dhe vinin dy bullgare që fillonin me rrebeshin e sharjeve “Armike e Popullit”, “Tradhtare”, “Shtrigë e shitur” duke më qëlluar me çfarë të mundnin.

Orë të tëra kalonin kështu nën një torturë të tmerrshme. Pastaj më merrnin zvarrë e më çonin në dhomë. Kanë qenë ditë e net ferri ato që edhe varrit kam për t’ia treguar. Po e keqja nuk mbyllej këtu. Pas këtij kalvari, erdhi radha për të më bërë kafshë eksperimentale për auditorët e bluzave të bardha.

Më merrnin me forcë dhe më shpinin në Fakultetin e Mjekësisë, më vinin përballë studentëve dhe profesorëve të psikiatrisë dhe më fusnin nga goja ca ilaçe të provuara rishtas te minjtë dhe kafshët e tjera. Qëndroja e ngrirë në karrige sa fillonte efekti i tyre. Pastaj profesorët afronin aty studentët dhe flisnin për to duke vëzhguar nga afër reagimet e mia. Një tmerr i jashtëzakonshëm. Një tjetërsim njerëzor i paimagjinueshëm. Do kalonin kështu seanca pa mbarim. Do vazhdonte kjo histori pa ndërprerje rreth një vit. Ndoshta do të kalonte më tej, po deshi fati dhe shpëtova krejt rastësisht…

SHPËTIMI NGA FERRI I PSIKIATRISË

Gjatë seancave që bënim në auditorin e Fakultetit të Mjekësisë, një ditë më njohu njëri nga profesorët e psikiatrisë. Ai e kuptoi lojën që ishte bërë dhe organizoi largimin tim nga ky ferr. Madje, mundësoi edhe largimin tim në Francë. “Shko aty, më tha dhe dëshmoi Perëndimit skëterrën e Lindjes”. Dhe ika kaçakçe, si i thonë. Qysh në fillim u vendosa në Paris. Shkova tek avokati i njohur Pjer Kalor, i cili ishte anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Francës dhe njëri nga avokatët e Nelson Mandelës.

Duke i kërkuar ndihmë, i shpjegova arsyet pse kërkoja të sistemohesha aty, duke u përqendruar kryesisht në rrethanat e divorcit me burrin, gjë që ishte e vërtetë, por jo arsyeja kryesore e largimit tim nga Bullgaria. Me ndihmën e Pjer Kalorit mund të vë në vijë çështjen e dokumenteve. Fillova të integrohem në jetën e Parisit. Pasi mora veten nga vuajtjet e çmendinës, nisa nga puna për të pasqyruar skëterrën e vendeve totalitare të Ballkanit. Bëra intervista në Radio, në Televizion, shkrova libra.

Kryemesazhi i tyre: denoncimi i diktaturës së regjimeve komuniste të Ballkanit. Në një kohë të shkurtër botova shtatë libra me këtë temë. Jehona e tyre ishte e madhe sidomos në opinionin francez. Ndërkaq, mjaft syresh kishin rënë dhe në dorën e zbulimeve sekrete bullgare, të cilat bashkë me KGB-në ishin vënë në gjurmimin tim dhe ishin përfshirë në misionin për të më rikthyer në Sofje ku më kishin dënuar në mungesë me vdekje për veprimtari antikomuniste antibullgare.

Pikërisht për t’u mbrojtur nga këto tentativa, kisha kërkuar mbrojtjen e Ministrisë së Brendshme të Francës . Gati çdo ditë ndihesha e ndjekur dhe e gjurmuar prej tyre. Një darkë, teksa kthehesha në shtëpi pas një takimi ndërkombëtar në Odeon, ku isha ftuar nga Sekretari i Përgjithshëm Ilva Lutirner (profesor filozofie në Sorbon), konstatova se banesa ime ishte kontrolluar dhe gjithçka në të ishte bërë rrëmujë.

Atëherë banoja në Ruidesen, në rrugën e Senes Nr. 32, kati i shtatë, që ishte dhe kati i fundit. Agjentët e KGBsë ishin futur nga lart dhe gjatë zbritjes kishin rrëzuar dhe kundrabufenë duke lëshuar përtokë xhama, filxhanë, pjata e gjithçka tjetër që ishte në të. E kuptova menjëherë qëllimin e plaçkitjes. Gjithsesi, operacioni kishte qenë pa pasoja. Po raste të tilla kam përjetuar me dhjetëra. Unë e dija që më ndiqnin. Në konfidencë, kryetari i Gjykatës së Lartë të Bullgarisë më kishte njoftuar se në Sofje më kishin dënuar me vdekje në mungesë…

NË NDJEKJE NGA KGB DHE POLICIA SEKRETE BULLGARE

Gjithçka bëhej që të më kthenin me çdo kusht në Bullgari dhe me këto prova, me këto botime, me këto foto kamera të më dënonin me vdekje. Pra, materiali ishte i bollshëm, madje nuk kishte nevojë për kaq shumë. Me gjysmën e veprimtarisë që kisha konsumuar, e përligjja sipas logjikës së ligjit të tyre dënimin maksimal. Në atë periudhë, siç e thashë, botimet e mia bënë jehonë të madhe në Paris.

Mjaft profesorë të shquar shkruanin atëherë se shkrimet e Agllaia Zotos kanë një vlerë të veçantë edhe nga fakti që ajo kritikon zbatimin e keq dhe jo të drejtë të filozofisë së socializmit, por jo ideologjinë, sepse vazhdon të aspirojë një shoqëri njerëzore humane dhe të drejtë. Po të më pyesësh sot se a e do atë regjim, unë do të thosha: Kurrë ashtu si ka qenë. Asnjëherë shoqëria njerëzore mos provoftë një skëterrë të tillë! Premtuam shumë në fillimet tona ne ish-partizanët e ish-komunistët, por një vrimë në ujë u bë.

Sidoqoftë, veprimtaria krijuese në Paris më dha mundësinë për t’u njohur me shumë personalitete franceze. Do të veçoja këtu njohjen me Pjer Kaldor, një figurë e shquar kjo e Francës së asaj periudhe. Miqësia me të do më shtonte të tjerë shokë e miq të fushës së kulturës, të artit e të shkencës. Mbështetja dhe inkurajimi i tyre ka qenë shumë e madhe.

Prej saj jo vetëm që kam përfituar shumë nga ana profesionale e krijuese, por kam marrë dhe shumë vlerësime nga institucione prestigjioze. Kështu në vitin 1975 jam dekoruar me medalje argjendi si grua simbol për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe paqen botërore. Ishte në nderin tim që këtë dekoratë ma dorëzoi artisti me famë botërore Zhan Gobel. Medaljen e dytë e kam marrë nga Fondacioni “Pro Patria”.

Sakaq kam marrë dhe një medalje të tretë, të cilën ma ka dorëzuar prefekti i Athinës. Po këto nuk janë të vetmet dekorata. Gjashtë të tilla i kam marrë për kontributin gjatë viteve të luftës. Nejse. Le të vazhdojmë për përkrahjen që më kanë dhënë personalitetet franceze. Me mbështetjen e një gruaje të shquar, e cila ishte anëtare e KQ të Francës dhe kryetare e sindikatave franceze, jam njohur me Miteranin. Jam takuar me të disa herë, bile deri vonë kam pasur dhe korrespodencë me letra.

Më vlerësonte për guximin në luftën për të drejtat e njeriut dhe shpirtin e sakrificës. Një komuniste ndryshe nga Shqipëria, më prezantonte shpesh me bashkëpunëtorët e tij. Një nga letrat e fundit e kam botuar të plotë në librin tim. Përfundimisht në Francë gjeta lirinë e shumë dëshiruar, po vështirësi kisha jo pak. Me mbështetjen e Pjer Kaldor siguroja një rrogë mujore. Sakaq merresha edhe me përkthime. Fakti që dija shtatë gjuhë të huaja, më jepte avantazh jo të vogël në këtë punë.

Një nga prokurimet e mia të asaj periudhe ishte njohja e mënyrës së jetesës së aristokracisë franceze. Shkova një ditë te katedralja “Madalena”. Në qendër të saj pashë në tavolinë një grua që shkruante pa e çuar kokën. Rreth e qark saj ishin me dhjetëra gra të tjera. Një moment u bëra kurioze dhe u afrova te gruaja që shkruante në bllok. E pyeta çfarë bënte dhe m’u përgjigj aty për aty: Unë jam përgjegjëse e gjithë atyre grave që kanë nevojë për një këshillë, për një përkrahje, për ndihmë morale. Mblidhemi këtu dhe pastaj shkojmë dhe pimë ndonjë çaj. Po, ju, më pyeti ajo, cila jeni. Sakaq i thashë diçka mbi personin tim.

“Ju qenkeni shumë interesante”, më tha dhe më ftoi të nesërmen në shtëpi. Shtëpinë e kishte në Zhamizhel, afër banesës sime. I kërkova të më ndihmonte për të kontaktuar me gratë aristokrate dhe ajo më premtoi pa hezituar. “Do të të njohë unë, – tha-, me disa mikesha të mija, disa janë nga familja mbretërore franceze dhe disa nga princeshat bjelloruse që jetojnë në Paris prej vitesh”. Që të nesërmen më njohu me dy të tilla. Unë e pata të vështirë të punoja për to, pasi vetëm procesin e hekurosjes mund të bëja në banesat e tyre dhe asgjë tjetër…

 

LEXO KETU:

“Nga qelitë e Serbisë, te dasma me prokurorin e Sofjes”-Rrëfimi i rrallë i partizanes: Martesa me Dhimitër Zdravçevin u miratua nga Enveri, por… (PJESA 2)

Historia e rrallë e partizanes që provoi tmerrin e shërbimeve sekrete komuniste: Ju rrëfej prapaskenat e eliminimit të shoqes time Ramize Gjebrea (Pjesa 1)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura