Tirana-Shehi, dështon seanca e ndërmjetësimit/ Palët nuk gjejnë konsensus, Partizani qëndron në pritje

Dec 6, 2023 | 9:11
SHPËRNDAJE

Paraditen e djeshme është zhvilluar një tjetër seri e telenovelës “Shehi-Tirana”. Siç dihet, klubi bardheblu ka vendosur ta pezullojë nga puna trajnerin durrsak, por ka lënë aktive kontratën e tij, që skadon në maj të vitit të ardhshëm.

SHEHI Tirana

Ky i fundit kërkon që të marrë të gjitha pagat e mbetura dhe të shpallë të pavlefshëm vendimin e klubit, për t’i hapur më pas rrugën bashkëpunimit me një tjetër ekip, me shumë mundësi Partizani. Dje Shehi dhe përfaqësuesi i tij ligjor janë paraqitur në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, për seancën e radhës të ndërmjetësimit. Procedura e parë është këqyrja e një mundësie që palët të gjejnë një marrëveshje dhe të zgjidhin në mënyrë konsensuale problemin.

SHTYRJA – Ky version nuk ka ndodhur ditën e djeshme, pasi presidenti Halili dhe Shehi nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje mbi konfliktin e tyre mbi kontratën. Pas dështimit të seancës së ndërmjetësimit, është caktuar ditën e sotme një tjetër seancë mes palëve në DHKZK. Ditën e djeshme të dyja palët kanë paraqitur dokumentacionin dhe pretendimet e tyre mbi çështjen.

“Panorama Sport” ka arritur të sigurojë pamje gjatë daljes së trajnerit Shehi nga zyrat e vendosura në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Sot ai pritet të paraqitet sërish dhe në këtë seancë mund të ketë edhe konkluzione rreth së ardhmes mes Tiranës dhe trajnerit Shehi, i cili u shpall kampion në sezonin 2021-2022 me fanellën bardheblu.

PARTIZANI PO PRET – Siç gazeta e ka pasqyruar në ditët e shkuara, Partizani dhe ish-portieri e kanë një marrëveshje paraprake dhe e vetmja gjë që i ndan, është marrëdhënia kontraktuale e trajnerit me Tiranën. Kështu, me siguri në kampin e kuq po i ndjekin me shumë kujdes zhvillimet e gjyqit, teksa largimi i dy kroatëve, Marko Matijeviç dhe Mario Kuic, nga stafi teknik, është një sinjal se transferimi i Shehit te Partizani nuk do të vonojë shumë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura