‘Thellimi i krizës në vend’ – Meta: Jeta e qytetarëve po bëhet e papërballueshme! Qeveria na refuzon prej një viti propozimin për lehtësimin e barrës fiskale

Sep 19, 2023 | 14:39
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, denoncoi thellimin e krizës së çmimeve në vend, çka sipas tij po e bën jetesën e qytetarëve të papërballueshme.

ilir meta

Në mesazhin e tij, Meta thekson se propozimi i Partisë së Lirisë për lehtësimin e barrës fiskale mbahet pezull prej një viti në Parlament.

Ndër të tjera, kreu i Partisë së Lirisë thotë se “kriza e naftës është rikthyer në vend, duke i’u afruar çmimit të 200 lekëve deri në 220 lekë për litër duke qenë shumë më shtrenjtë se në Gjermani dhe në vendet e tjera të zhvilluara të Europës”

Mesazhi i plotë i kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

“Në vendet e rajonit dhe në Europë niveli i inflacionit po stabilizohet, në Shqipëri ndodh e kundërta.

Kriza e çmimeve vijon të thellohet edhe më shumë, njësoj si në fillimet e luftës në Ukrainë dhe rritja e këtyre çmimeve të çdo produkti dhe shërbimi po e bën jetesën e qytetarëve tanë edhe më të papërballueshme.

Ushqimet dhe produktet bujqësore dhe blegtorale kanë pësuar një rritje gati dyfish duke cenuar shumë rëndë buxhetin e familjeve shqiptare, ndërsa kriza e naftës është rikthyer në vend, duke i’u afruar çmimit të 200 lekëve deri në 220 lekë për litër duke qenë shumë më shtrenjtë se në Gjermani dhe në vendet e tjera të zhvilluara të Europës, edhe e pakrahasueshme me vendet e rajonit sidomos me fqinjët tanë Kosovën apo Maqedoninë.

Qeveria po refuzon me kokëfortësi lehtësimin nga barra fiskale, propozim që Partia e Lirisë e ka bërë prej gati një viti në Parlament.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura