Testimi i mësuesve, Nikolla: Nis me Tiranën në nëntor

Oct 24, 2015 | 9:32
SHPËRNDAJE

Rreth 1700 mësues e drejtorë të shkollave në kryeqytet janë të parët që do t’i nënshtrohen provimit në fillim të muajit nëntor, i cili është parashikuar të zgjasë për tri ditë në gjashtë qendra vlerësimi. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, mblodhi dje mësuesit e drejtorët e shkollave të kryeqytetit, duke i siguruar se ky proces vetëm sa do t’i bëjë më të aftë e jo t’u kushtojë vendin e punës.

1440585759lindita-nikolla

“Është një proces që ndodh për herë të parë, është tërësisht transparent. Nuk ka pyetje që të ketë nevojë që ju të shfletoni e lexoni, janë pyetje të thjeshta që lidhen me atë që ju bëni çdo ditë në orën e mësimit. Askush nuk është i humbur apo i kërcënuar në këtë proces. Përkundrazi, do ta bëjë më të sigurt”. Mësuesit e Tiranës presupozohet të jenë më të njohur me teknologjinë e është vendosur të testohen në krye të herës.

Ndërsa për ata në rrethe do të bëhen përgatitje shtesë. “Datat do të shpallen shumë shpejt, pasi të merren informacionet në të gjitha rrethet e Shqipërisë se sa të aftë janë mësuesit të përdorin teknologjinë e informacionit”, nënvizoi ministrja. Testimi do të zhvillohet në 6 qendra, në gjimnazet e Tiranës: “Partizani”, “Ismail Qemali”, “Petro Nini”, “Sami Frashëri”, “A. Z. Çajupi”, “Sinan Tafaj”. Testimi do të zhvillohet online, me disa turne, në klasa me maksimumi 20 mësues.

PROCESI
I gjithë ky proces vlerësimi bëhet me qëllim hartimin e një databaze mbi aftësitë e mësuesve. Deri më tani ishin kreditet e fituara nga agjenci të licencuara që u kthyen së fundmi në pazare që tregonin aftësitë e tyre. Por tashmë është rezultati i testimit tregues i nivelit të mësuesve.

“Ka pasur raste kur një mësuesi për të marrë disa kredite i është dashur të paguajë para tek agjenci të akredituara nga MAS, pa marrë kurrfarë trajnimi. Ne do ta zhbëjmë këtë treg informaliteti duke kthyer këtë proces mbi baza të vërteta shkencore”, sqaroi Nikolla. Por jo vetëm kaq. Pas këtij procesi, ministria do të orientojë dhe financat që do t’i shërbejnë krijimit të mësuesit model që përkthejnë çdo investim të qeverisë në cilësi.

“Mbi bazën e të dhënave që do të krijohen, Qeveria dhe MAS do ta kenë shumë herë më të qartë se ku do të investohen financat për zhvillimin profesional të mësuesve”. Për pjesën e fundit të këtij procesi, ajo e kualifikimit e zhvillimit profesional, mësohet të vijë në ndihmë ekspertiza italiane. Sipas MAS, mendohet të përdoren të gjitha burimet që vijnë jo vetëm nga ministria e rajoni, por edhe nga vetë shkolla për plotësimin e nevojave të mësuesve për të rritur performancën.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura