Teozofia e një titulli

Dec 9, 2022 | 7:45
SHPËRNDAJE

ERJON MUÇA

ERJON MUÇA

Shpirt, fat, janë dy emra
të të njëjtit koncept.
Novalis

Aty nga mesi i gushtit, që kur libri “Njerëz të Durrësit” hyri në bibliotekën time, më ngacmon çdo mëngjes teksa marr librin e radhës, e shoh dhe duket sikur edhe ai më sheh. E ndërsa lexoj librin që mora nga biblioteka dhe “Njerëz të Durrësit” mbeti përsëri në raft. Një pyetje më nget: Ç’kuptim ka të botosh një libër me një titull që të çon të mendosh një tjetër libër, si p¸r shembull “Njerëz të Dublinit”? Ç’do të thotë të përdorësh një titull të tillë, sot, më tepër se një shekull më pas nga botimi i librit të Joyce-it? Për më tepër një libër diametralisht i ndryshëm nga ai i mësipërmi?

E këtu, për të sqaruar të gjithë ata të cilëve fjala e parë e titullit tim po i nget disi ndjesitë, hyn në skenë teozofia; kombinimi i diturisë mistike me hetimin shkencor. Kjo i shkon për shtat më tepër doktrinës filozofiko-fetare, mirëpo, nëse ne ia përballim shpirtin krijues të një autori, mistikës dhe orvatjet e një kritiku, kërkimit shkencor, krijojmë një lloj paraleleje të teozofisë. E kjo përforcohet më tepër nga kjo ese që orvatet të nxjerrë konkluzione të tjera, bazuar në kërkimet e Fatmir Mingulit.

Por, le të vijojmë akoma edhe pak me titullin.

Ç’ka dashur të shfaqë inxhinier Fatmir Minguli me vendosjen e një titulli të tillë? Joyce, më 1914, me “Njerëzit” e tij të Dublinit, na shfaqi disa copëza jete, me anokronizmat, absurditetet, paradokset, dhe groteskun, me meskinizmin, që e shoqëron njeriun megjithëse të evoluar. Na e shfaqi këtë sipas mënyrës së tij, bazuar te vëzhgimet dhe te fantazia e tij çarmatosëse.

Ndërsa Fatmir Minguli, te “Njerëzit” e vet të Durrësit, na shfaq atë ç’ka ai percepton teksa zhbiron mistikën e krijuesve, me të cilët është marrë, duke i vënë një pasqyrë përballë groteskut, duke sarkazmuar mbi ironinë, duke surealizuar surealen, duke u munduar të zhbirojë çdo nuancë hijeje që përshkon një fashë drite; kameleontik, për t’iu afruar sa më pranë shpirtit krijues të çdo krijuesi.

Kjo ka një domethënie të madhe; na tregon se ç’lloj lexuesi përpos se shkruesi dhe kritiku është Fatmir Minguli; përpos se lexon mjaft letërsi bashkëkohore dhe jo bashkëkohore, të huaj, është marrë po aq shumë edhe me letërsi bashkëkohore shqiptare.

Durrësi si Dublini, ose Dublini si Durrësi! Është një përballje sa delikate, po aq edhe efikase; kozmopolitizmi i të dy qyteteve, sipas mënyrës së tyre, kulturës së qytetërimeve që e banojnë. Është pikërisht ky kozmopolitanizëm që i bën këta libra të afërt, megjithëse diametralisht të kundërt.

Siç i thashë edhe mikut tim, Pol Milo pasi botoi romanin e vet “Medajloni Dyrrahut”: Kur ti shkruan “Dyrrahu”, mos e mendo si një libër kushtuar vetëm Durrësit si nocion gjeografik, por si një libër që i kushtohet një periudhe të gjerë historike dhe të një kulture aspak kënetore, por gjithnjë në lëvizje; kozmopolitane, pra, pak a shumë i kushtohet të gjithë Shqipërisë.

Kështu, edhe Fatmir Minguli, kur titullon librin e vet ‘Njerëz të Durrësit’ nuk thotë që këta domosdoshmërisht janë durrsakë apo banues në Durrës, por që në një mënyrë apo një tjetër i përkasin edhe Durrësit. I përkasin Durrësit në atë transformimin e vet të vazhdueshëm. Transformimi nuk është vetëm një veti e qytetit antik, por edhe një kërkesë konstante e artit. E pikërisht kjo, transformimi, është arma më e mpre por edhe një kërkesë konstante e artit. E pikërisht kjo, transformimi, është arma më e mprehtë e Fatmir Mingulit.

Ky është vetëm libri i fundit i botuar nga Fatmir Minguli se një pjesë të mirë të punimeve që përbëjnë librin i njoh prej kohësh e me pjesën tjetër po njihem tani, e përsëris: megjithëqë është një transformist i lindur, ndihet stili i tij, ndihet shija, megjithëqë gjithnjë në lëvizje. Pak a shumë, si mishërim i teorisë së Stringave.

Kam parasysh libërthin e vogël “Kanuni i Përkitun”, një ese që për ta kuptuar, ndjerë, duhet të përdorësh një lloj skeme, si ajo e Fibonacci-t, aq sa koatike në dukje, po aq e natyrshme.

Ose vëllimin me tregime “Shtëpia në rrugicë”, ku në çdo fragment duket sikur Fatmir Minguli kërkon me forcën e kulturës t’ia ngjisë në mendje lexuesit paradigmën e fizikanit Erwin Schròdinger.

Ose me romanin “Frika”, një ekzemplar kontemporan i një forme arti mjaft të vjetër; të artit nonfinito “i papërfunduar”, “indefinito”, “i papërkufizuar”. I ndërtuar në formën e një rrjete merimange, që nga larg duket sikur është ndërtuar me kuadrate përvijmshmërisht në zvogëlim, si të shkëputur. Vetëm se duhet ta shohësh më nga pranë për të kuptuar që është e ndërtuar me kuadrate përvijimshmërisht në zmadhim, nga qendra drejt ekstremeve, pa shkëputje, me një lidhje aq sa delikate, po aq të qëndrueshme.

Ose studimin “Daniel Arnaut” një shpjegim i mirëfilltë teorik i së mundurës. Te ky libër do të gjeni edhe forcën më të përqendruar të transformizmit. Dua të përdor një krahasim.

Zëreni se subjekti i këtij libri është një lule dhe Fatmir Minguli nis të trajtojë teorinë e vet mbi të mundshmen, duke nisur nga bohçja e lules dhe na thotë se sipas tij kjo lule është e tillë, ngaqë është rritur në këtë lloj kërcelli që ka transportuar ushqimin që këto lloj rrënjësh kanë mbledhur nga terreni. Mirëpo, për mua, kjo teori e së mundshmes, mund të trajtohej edhe në një tjetër mënyrë, pra, duke u nisur nga rrënjët, për të përvijuar te kërcelli dhe duke mbarur te bohçja e lules. Kjo është një nga vetitë e transformimit; autori, studiuesi, kritiku, lëviz treqind e gjashtëdhjetë gradë në veprën e vet; niset nga vetja dhe përfundon te subjekti, për të përvijuar revolucionin e vet nga subjekti te vetja.

Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë, madje, edhe më tej nuk mund të ketë pazakontësi, përderisa flasim për një njeri, një intelektual që ka dekada e dekada që evoluon. Në fakt, një pazakontësi e vogël qëndron. Më tepër se sa pazakontësi mund të quhet edhe kuantikë. Kjo kuantikë ka të bëjë me dy vepra të Fatmit Mingulit.

Përpara disa kohësh Fatmiri shkroi dramën me titull “Amfiteatri”. Një amfiteatër efemer, fiktiv, apoteoza e qerthullit grotesk njerëzor. Ndërsa tani vjen te lexuesi me veprën “Njerëz të Durrësit”, një amfiteatër real i mbushur plot me absurdin, groteskun, meskinizmin, me lëngatat dhe dashuritë, me frikën dhe gëzimin, me të cilat autorët për të cilat ka shkruar Fatmir Minguli janë marrë. Ja ku lidhet edhe kunatika, madje edhe ajo thënia fillestare e Novalis-it; krijimi dhe kritika janë dy emra të të njëjtit koncept.

E tani në mbyllje, një pyetje mund t’u lindë atyre që e lexojnë. A duhet një libër i tillë? Kujt mund t’i duhet një libër i tillë? Në fakt, nëse lind një pyetje tillë, do të thotë që jo vetëm ky libër, por asnjë libër nuk bën për atë që pyet kështu. Ndërsa për një lexues, çdo lloj libri duhet. Ndërsa për ata që janë pak më tepër se lexues, një libër i tillë është si një mik, të cilit mund t’i kërkosh përherë këshilla, për gjithçka i përket botës së krijimit që të mundon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura