Tensioni në Veri, Stoltenberg: NATO është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa ushtarake në Kosovë

Jun 1, 2023 | 9:41
SHPËRNDAJE

NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Capture

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

“NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo. Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj. Protestues serbë kanë nisur të mblidhen edhe në Leposaviq, ku para objektit të komunës duken ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se pas bisedës së djeshme me kolonelin e trupave amerikane të KFOR-it dhe pas kërkesave të kësaj partie, misioni i NATO-s i ka dislokuar forcat e veta në pesë pika në qendër të Zveçanit.

Kjo, sipas Rakiqit, është bërë me qëllim që “të parandalohet hyrja e njësisë speciale të Policisë [së Kosovës]” dhe “të mos ndodhë ndonjë incident”.

Forcat e KFOR-it janë të pranishme në rrugët e Zveçanit që nga pasditja e djeshme, por nga KFOR-i nuk kanë konfirmuar se arsye për këtë është parandalimi i Policisë së Kosovës. Rakiq tha se pret që KFOR-i “ta mbrojë popullin që proteston”. Në protestën e sotme në Zveçan janë edhe minatorët. Rakiq tha se ata nuk kanë mundur ta bëjnë punën e tyre që nga e premtja. Minatori i minierës Crnac, Darko Milloviq, i cili foli për mediat në emër të kolegëve të tij, tha se prodhimi është pezulluar që nga e premtja “për shkak se forcat speciale kanë bllokuar flotacionin dhe nuk lejojnë kamionët të transportojnë minerale nga miniera në flotacion”. Ai tha se pagat e tyre varen nga ajo që prodhojnë.

Stoltenberg: Dhuna kundër KFOR-it, “krejtësisht e papranueshme”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se dhuna kundër paqeruajtësve të misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë ishte “krejtësisht e papranueshme”. Përleshjet midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – komunë në veri të Kosovës – lanë 30 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues, më 29 maj.

Trazirat në veri të Kosovës u intensifikuan prej se kryetarët shqiptarë morën detyrën në këtë zonë me shumicë serbe, më 26 maj./rel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura