Tensionet në Veri të Kosovës, reagon policia: Situata tani është qetësuar, jemi në gatishmëri për të ofruar sigurinë për qytetarët

May 26, 2023 | 22:26
SHPËRNDAJE

Policia e Kosovës ka reaguar pas ngjarjeve të ditës së sotme në komunat e veriut të Kosovës, duke njoftuar se tashmë situata është qetësuar.

2PD6YOUEQNPCVPKJGG7WJLIYCM-1130x635

Përmes një njoftimi Policia thotë se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese ka asistuar kryetarët e komunave veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare komunale.

“Qëllimi primar i Policisë së Kosovës ka qenë asistimi dhe ofrimi i sigurisë ndaj kryetarëve të komunave, mundësimi i realizmit të drejtave të tyre legjitime në vendin e punës dhe siguria e lëvizjes së lirë të të gjithë personave pa dallim”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se duke e njohur të drejtën e qytetarëve për të protestuar e shprehur pakënaqësitë e tyre në formë të drejtë, paqësore e të ligjshme, ka komunikuar disa herë me ta dhe ka kërkuar lirimin e hyrjes në objekte, lejimin e hyrjes së kryetarëve në vendet e punës, e të mos cenojnë të drejtat legjitime të tyre.

“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare”.

“Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”.

Sipas Policisë individë apo grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavorr, gurë dhe mjete të rënda transportuese.

 

 “Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura