Telegrami sekret/ Skenari i Hitlerit për t’i joshur shqiptarët përmes “ofertave” me natyrë nacionaliste më ‘43! Çfarë i shkruante Jakomoni konsullit gjerman në Tiranë

Jun 5, 2024 | 12:35
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Zbarkimi i forcave Aleate në Normandi të Francës me 6 qershor 1944, pra 80 vjet më parë, shënon padyshim një nga ngjarjet më unike dhe më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore.

Pavarësisht fortifikimit të hekurt me urdhër të veçantë të Hitlerit, të rreth 2 mijë e 400 miljeve të bregdetit francez dhe pranisë së shtuar të Wehrmachtit gjerman në këtë zonë, përmes këtij aksioni madhor njëditor, rreth 167 mijë ushtarë anglo-amerikanë arritën të vendosen në tokën franceze, të gatshëm për t`i dhënë goditjen përfundimtare ushtrisë naziste. Çmimi ishte jo vogël, sepse po në këtë ditë u desh të vriteshin gjatë luftimeve të ashpra rreth 4 mijë e 400 ushtarë aleatë. Megjithatë, misioni u krye. Në ditët në vijim, përmes zbarkimeve të mëtejshme në Normandi, trupat anglo-amerikane do të dyfishoheshin në rreth 320 mijë ushtarë, të cilët shpejt do të ndërmerrnin pa ndërprerje operacione të suksesshme luftarake duke çliruar fillimisht, për rreth vetëm një muaj, të gjithë veriun e Francës. Më pas, deri në fund të gushtit 1944, numri i forcave anglo – amerikane në Francë do të shkonte deri ne dy milion, të cilat do të çlironin me radhë thuajse të gjitha vendet e Europës Perëndimore, përfshi këtu edhe vetë Gjermaninë. Luftimet më të ashpra me ushtrinë hitleriane do t`i kishin në të ashtuquajturën Beteja e Urës së Remagenit, e cila i duhej domosdoshmërish Ushtrisë Aleate për të kaluar lumin e Rinit. Kjo betejë zgjati 18 ditë, nga 7 deri me 25 mars 1945. Pas kësaj fitoreje të çmuar, trupat anglo-amerikane ju drejtuan Berlinit, për tu bashkuar aty me trupat sovjetike në fillim të majit të po atij viti. Vetëm pak ditë më vonë, me 8 maj 1945 do të nënshkruanin po aty, së bashku, kapitullimin pa kushte të Gjermanisë hitleriane.

-1200-630-tirana-pas-luftes-se-dyte-boterore-compressor
Tirana gjatë Luftës së II Botërore

Në fakt, përgatitja e kushteve të nevojshme për zbarkimin përfundimtar Aleat në Normandi do të bëhej fillimisht nga vetë Aleatët përmes operacioneve të suksesshme ushtarake në Veri të Afrikës, e më pas edhe në Sicili.

Ballafaqimi ushtarak mes forcave anglo amerikane me ato italo – gjermane që ndodheshin tashmë në Veriun e Afrikës, bëhej njëkohësisht si për kontrollin e Mesdheut dhe depërtimin më pas me krahëmarrje në Europën Jugore, ashtu edhe për aksesin në burimet kryesore të naftës së Lindjes së Mesme. Në këtë kuadër, për Gjermaninë dhe Italinë, qëndrimi aty kishte rëndësi gjithashtu edhe për ndërprerjen e furnizimit të Britanisë me lëndë të parë e me burime njerëzore nga shtetet e tjera të Afrikës e Azisë që bënin pjesë në Komonuelthin Britanik. Nga ana tjetër, sipas Aleatëve anglo-amerikanë, lufta në këtë hapësirë do të lehtësonte gjithashtu edhe presionin e madh ushtarak gjerman në Frontin e Lindjes (ish-Bashkimin Sovjetik). Bazuar në këtë strategji, nga luftimet mes Aleatëve (Britani e ShBA) dhe Fuqive të Boshtit (Itali e Gjermani) në Veri të Afrikës, gjatë Luftës së dytë Botërore, konkretisht në periudhën 13 shtator 1940 deri me 13 maj 1943, mund të përmenden: a) Lufta në Shkretëtirën Perëndimore (Perëndimi i Egjiptit dhe Lindja e Libisë); b) Operacioni Torch (Në veri të Marokut dhe Algjerisë); si dhe c) Lufta apo Fushata e Tunizisë.

a)Lufta në Shkretëtirën Perëndimore filloi me 13 Shtator 1940 kur trupat italiane të vendosura në Lindje të Libisë sulmuan forcat britanike në Perëndim të Egjiptit. Britanikët u kundërpërgjigjen dhe lufta do të përfundonte me 22 Janar 1941 në qytetin Tobruk të Libisë, me humbjen e Italisë. Për të mbrojtur aleatin e vet, Italinë, në fillim të shkurtit 1941 Gjermania do të ndërhynte menjëherë me forcat e saj ushtarake të drejtuara nga Gjenerali Erwin Rommel, duke vendosur kontrollin e plotë në të gjithë këtë hapësirë të shkretëtirës. Megjithatë, rreth 20 muaj më vonë, riorganizimi i forcave britanike në Afrikën Veriore do të bënte të mundur që nën drejtimin e Gjeneralit të mirënjohur Bernard L. Montgomery, me 23 Tetor 1942 të sulmonin trupat e Rommelit, duke i detyruar të tërhiqen përfundimisht drejtë Tunizisë me 23 Janar 1943.

b) Operacioni Torch është aksioni ushtarak i zbarkimit të trupave anglo – amerikane në Marok dhe Algjeri në Nentor të vitit 1942. Ky operacion i drejtuar nga Gjenerali i mirënjohur amerikan Dwight D. Eisenhower synonte para së gjithash të vinte nën kontrollin Aleat këtë hapësirë që mbahej e pushtuar nga Qeveria Kolaboracioniste Franceze e Vishisë. Në këtë periudhë, Franca kishte në këtë territor (Marok, Algjeri e Tunizi) rreth 125 mijë forca ushtarake. Mendohej se realizimi i këtij objektivi do të bënte të mundur gjithashtu edhe përgatitjen për zbarkimin Aleat në Europën Jugore. Në këtë operacion ushtarak që zgjati rreth një javë (nga 8 deri me 16 nëntor 1942), forcat e përbashkëta anglo – amerikane vunë në dispozicion rreth 350 anije lufte, 500 anije transportuese dhe rreth 107 mijë trupa ushtarake, të cilat zbarkuan jo vetëm nga ujerat e Mesdheut, por edhe nga ato të Oqeanit Atlantik.

Adolf-Hitler-and-Joachim-Von-Ribbentrop1
Joachim von Ribbentrop dhe Adolf Hitler

c)Operacioni ushtarak i forcave anglo – amerikane në Tunizi fillon me 5 janar 1943 dhe vazhdon për disa muaj, deri me 13 maj 1943, kur forcat ushtarake italo-gjermane, të rrethuara nga të gjitha anët në bregdetin tunizian prej trupave aleate, u detyruan të dorëzohen. Në duart e anglo – amerikanëve ranë rreth 250 mijë ushtare italianë e gjermanë si dhe qindra tanke e mijëra avionë luftarakë të Forcave të Boshtit.

Sukseset e mësipërme të forcave anglo – amerikane krijuan kushtet e nevojshme për të vazhduar më tej me pushtimin e Sicilisë përmes Operacionit ushtarak me emrin Husky, i cili zgjati nga 9 korriku deri me 17 Gusht të vitit 1943. Pushtimi i Sicilisë u realizua përmes goditjeve të fuqishme nga ajri, shoqëruar më pas me zbarkimin masiv me anë të mjeteve lundruese amfibe. Rreth 180 mijë ushtarë amerikanë e britanikë u vendosën në këtë ishull. Pavarësisht humbjeve dhe problemeve në koordinimin e veprimeve luftarake, në këndvështrimin strategjik, Aleatët arritën objektivat e tyre kryesore, që do të thotë: a) Largimi nga ky ishull i të gjitha forcave ushtarake të Boshtit; b) Hapja për herë të parë që nga viti 1941 i të gjitha rrugëve detare të Mesdheut për anijet tregtare; c) Krijimi i mundësive për riorganizimin dhe përgatitjen e veprimit të mëtejshëm ushtarak Aleat në Europë; si dhe d) Lehtësimi i Frontit të Lindjes, pasi Hitleri u detyrua të anulonte për disa kohë ofensivën në Kursk të Bashkimit Sovjetik, për të dërguar një pjesë të forcave ushtarake në Itali.

Ende pa mbaruar pushtimi i Sicilisë nga aleatët (përfundimisht ishulli Sicilisë u pushtua me 17 Gusht 1943), me 25 Korrik 1943, për shkak të humbjeve të mëdha e të pashmangshme në këtë front lufte, Këshilli i Madh Fashist në Itali votoi një mocion mosbesimi kundër Musolinit dhe mbi këtë bazë Mbreti italian, Viktor Emanueli, e shkarkoi menjëherë atë si kryetar të Qeverisë, duke e vënë njëkohësisht edhe në kushte izolimi (arresti). Gjermania hitleriane është tashmë shumë e alarmuar. Asaj i duhet të marrë sa më shpejt masa për të kontrolluar territorin italian si dhe të përgatitet sa më mirë për t`i rezistuar zbarkimeve të tjera të Forcave Aleate në Europë. Dhe duket qartë se për Hitlerin, një nga mundësitë më reale për zbarkimin e radhës të forcave anglo – amerikane në Europë mund të ishte Bregdeti Shqiptar. Kjo jo vetëm për shkak të pozicionit gjeografik, por edhe të faktit të largimit të mundshëm e shumë të shpejtë të trupave italiane nga territori shqiptar, duke krijuar kështu një vakum të konsiderueshëm që mendohej se mund të plotësohej nga Forcat Aleate, simpatia ndaj të cilave ishte rritur ndjeshëm në Shqipëri gjatë vitit 1943.

Mëkëmbësi i Mbretit italian në Shqipëri, Francesko Jakomoni, do t`i thoshte Konsullit gjerman në Tiranë në shkurt të vitit 1943 se “…për shkak të zhvillimeve në Afrikën e Veriut, vazhdon të rritet edhe armiqësia e shqiptarëve ndaj Italisë, sepse edhe besimi i tyre në fitoren e Boshtit ka humbur gjithnjë e më shumë terren. Tashmë në Shqipëri në modë është dëgjimi i Radio Londrës…”. Pikërisht për këto arsye mendohej se pas largimit të italianëve, Forcat Aleate mund të zbarkonin lehtësisht në bregdetin shqiptar, e më pas, nga territori shqiptar do të mund të shpërndaheshin për të marrë nën kontroll të gjithë Ballkanin. Ndaj qeveria naziste duhej të vepronte pa vonesë për të dërguar sa më shpejt trupat e saj të përforcuara në Shqipëri. Por më parë i duhej të siguronte mbështetje politike e popullore sa më të gjerë në vendin tonë, gjë që në atë periudhë nuk ishte shumë e lehtë. Për këtë arsye, Qeveria Naziste duhej të planifikonte fillimisht joshjen e shqiptarëve përmes “ofertave” me natyrë nacionaliste, ashtu siç kishte vepruar më parë edhe Qeveria Fashiste e Musolinit. Ciano thekson ndër të tjera qartësisht në Ditarin e tij se ” … mbështetja e nacionalizmit shqiptar, veçanërisht për çështjen e Kosovës e Çamërisë, është mënyra më e mirë për të fituar simpatinë e tyre….”. Të njëjtën gjë duhej të bënin tani me shumë shpejtësi edhe gjermanët, por me ndryshimin se ato nuk kishin qenë asnjëherë prezent aty ushtarakisht dhe se nuk kishin shumë informacion mbi Shqipërinë, pasi në kuadër të “kompromiseve” brenda Boshtit, vendi ynë i ishte lënë tërësisht Italisë.

Të gjitha këto shfaqen mjaft mirë në një telegram tepër sekret që Ministri i Jashtëm nazist Joachim von Ribbentrop, një prej njerëzve më të afërt të Hitlerit, i dërgon me urgjencë Ambasadës Gjermane në Romë me datë 21 gusht 1943. Telegrami në fakt i drejtohet personalisht të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës gjermane në Romë, i cili duhet t`ia përcillte menjëherë atë Konsullit të Përgjithshëm gjerman në Shqipëri, Martin Schliep, që do të mbërrinte aty, pra ne Romë, po atë ditë me avion të veçantë nga Tirana. Siç do të shihet, përmes këtij telegrami, Ribbentrop, duke bërë vërejtje për shkak të informacioneve të pakta e shpeshherë kontradiktore të Konsullatës së Përgjithshme gjermane në Tiranë, e ngarkon posaçërisht z. Schliep të paraqesë sa më parë një analizë sa më të plotë mbi gjendjen politike në Shqipëri, duke bërë njëkohësisht edhe rekomandimin e personave që mund ta drejtonin vendin tonë, pas pushtimit ushtarak nga trupat gjermane, të cilat do të kishin si detyrë kryesore mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e bregdetit shqiptar nga një zbarkim i mundshëm i Forcave Aleate në Shqipëri. Ndër të tjera, në këtë telegram të datës 21 gusht 1943, thuhet: “Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Itali, ka për ne interes tepër të veçantë të kemi një pasqyrë sa më të qartë të situatës politike në Shqipëri.

frocat gjermane
Forcat gjermane në Shqipëri

Kjo sepse mund të kemi zhvillime të mëtejshme në Itali, të cilat mund të çonin në largimin përfundimtar të forcave italiane nga Shqipëria. Duke pasur parasysh zbarkimin e trupave angleze e amerikane në Italinë e Jugut, në këndvështrim të masave të domosdoshme ushtarake, duhet të marrim urgjentisht një vendim politik lidhur me raportet që duhet të mbajmë në të ardhmen me Shqipërinë. Përcaktues në këtë vendimmarrje është për ne synimi për të garantuar mbrojtjen ushtarake të Bregdetit Shqiptar, e në mënyrë të veçantë bregdetin përballë Kanalit të Otrantos.

Shqipërinë duhet ta qetësojmë politikisht duke e sqaruar se prania jonë ka për qëllim mbrojtjen e trupave tona dhe se shumë pak do të angazhohemi për ruajtjen e rendit e qetësisë në Shqipëri, pasi si qëllim kryesor do të kemi garantimin e sigurisë së lëvizjes se trupave luftarake në bregdet. Për arritjen e këtij synimi më vjen rastësisht mendimi për të vepruar sa më shpejt duke e njohur Shqipërinë si një vend të pavarur, por që duke e kushtëzuar natyrisht këtë veprim me krijimin e një Qeverie Shqiptare të aftë e me qëndrim pozitiv ndaj nesh….Personalisht nuk jam shumë i qartë se si është gjendja politike atje dhe se kush mund ta merrte në dorë qeverisjen e vendit. Telegrami juaj i datës 31 korrik 1943, i cili na ka ardhur në Berlin nga Roma me datë 2 gusht 1943, thotë se “… Është krijuar Organizata për Çlirimin Kombëtar të Shqipërisë (bëhet fjalë për krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar në Konferencën e Pezës me 16 shtator 1942 – shënimi ynë), e cila mendohet se do t`i bashkëngjitet Aleancës Anglo – Sovjeto – Amerikane. Thoni se në Komitetin Drejtues (bëhet fjalë për Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar – shënimi ynë) të kësaj organizate janë drejtuesit e bandave kryengritëse Abaz Kupi dhe Myslim Peza, si dhe disa komunistë. Përmendni gjithashtu se ka informacione për praninë e oficerëve anglezë në periferi të Tiranës.

Nga ana tjetër na keni njoftuar edhe për krijimin e një Qeverie Kombëtare Shqiptare, në krye të së cilës është Mark Gjon Markaj, si dhe Mitat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi, Basit Zame dhe Faik Çuko. Për më tepër thoni se thuajse e gjithë hapësira nga kufiri me Malin e Zi e deri në Gjirin e Vlorës, përveç qyteteve Shkodër, Durrës, Tiranë e Vlorë, ndodhet nën kontrollin e shqiptarëve. Po në këtë telegram thuhet më tej se bisedimet mes Draza Mihailoviçit me drejtuesin e njohur të bandave kryengritëse, Bajraktari kanë ecur mirë përpara në fillim, por më pas kanë dështuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështjen e Kosovës……. Këto dhe njoftime të tjera që dërgoni nga Shqipëria janë shpesh kontradiktore. Prandaj ju lutem të më dërgoni urgjentisht nga Roma një raport sa më të plotë mbi situatën politike në Shqipëri, duke më dhënë gjithashtu edhe mendimin tuaj lidhur me krijimin e një Qeverie Kombëtare të re.

Duke pasur parasysh informacionin tuaj, më duket krejt e kotë vendosja e kontakteve tona me Organizatën për Çlirimin Kombëtar të Shqipërisë, pasi aty ka edhe komunistë. Në këto kushte çështja themelore që shtrohet për ne aktualisht është të vendosim nëse do të bashkëpunojmë me një Qeveri të re Kombëtare përmendur më sipër apo me personalitete të veçanta me të cilët do të vendosnim sa më shpejt kontakte me qëllim që të krijonim e njihnim një Qeveri Kombëtare Shqiptare. E rëndësishme është për ne të dimë gjithashtu nëse ju vetë mund të vendosni kontakte me një personalitet të tillë popullor, i cili, me mbështetjen tonë politike e ushtarake do të merrte menjëherë në dorë drejtimin e vendit, duke u vendosur në krye të Qeverisë së re Kombëtare. Ju lutem që edhe pasi të bëni raportin, të prisni në Romë deri në një njoftim të dytë…”.

Të bën përshtypje gjithashtu se në fund, Ribbentrop lë sërish porosi të prerë për Ambasadën gjermane në Romë që ta asgjësojnë menjëherë këtë telegram (sofort… vernichten), së bashku me përgjigjen që do ti dërgonte atij ish Konsulli i Përgjithshëm Martin Schliep.

Kjo ishte një pasqyrë e përgjithshme mbi frikën reale që kishte Hitleri në gusht të vitit 1943 lidhur me zbarkimin e mundshëm të trupave anglo – amerikane në Bregdetin Shqiptar dhe nxitimin për këtë shkak të Qeverisë Naziste për të marrë sa më shpejt masa efektive për ta penguar apo vështirësuar sa më shumë një gjë të tillë. Për këtë qëllim, ato ishin të gatshëm të krijonin e njihnin zyrtarisht edhe një Shqipëri “të pavarur e sovrane”, me kushtin që qeveria e re të kishte qëndrime “pozitive e miqësore” me Rajhun gjerman. Ne nuk e kemi përgjigjen që do t`i dërgonte Ribbentropit ish-Konsulli i Përgjithshëm Schliep. Megjithatë, dihet se vetëm pak kohë më vonë, me çështjet e shtruara në telegramin e mësipërm do të ngarkohej Hermann Neubacher, si i dërguar i veçantë e Hitlerit në Europën Juglindore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura