Teatri Kombëtar së shpejti te “Turbina”, në vend të tij një i ri

SHPËRNDAJE

Teatri Kombëtar po përgatitet për të ndërruar shtëpi. Pas disa muajsh, për të parë një shfaqje të Kombëtarit do të duhet të shkojmë te Qendra e re e Kulturës, e quajtur “Turbina”, si homazh të funksionit të mëparshëm që ka pasur ajo ndërtesë.

“Turbina” është ngritur në ndërtesën e ish-Laboratori Hidroteknik, përballë me gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranën e Re. Tashmë është ngritur grupi i punës dhe kur “Turbina të ketë përfunduar, atje do të jetë edhe Teatri Kombëtar.

hervin-culiiii

Drejtori i TK-së, Hervin Çuli, jep si afat muajin shkurt, por ndërkohë nga Ministria e Kulturës nuk ka ende një afat të mirëpërcaktuar. Dje, gjatë një konference për shtyp për prezantimin e kalendarit të ri artistik, drejtori Çuli u shpreh se, jo edhe për shumë gjatë, teatri do të vazhdojë të funksionojë në kushte të vështira.

“Është ngritur grupi i punës për zhvendosjen e TKsë drejt skenës ‘Turbina’. Mua për këtë më ka ardhur urdhri i ngritjes së grupit të punës, që mbaron në muajin shkurt”, tha Çuli. Ai iu përmbajt deklaratave të tij të më- parshme se infrastruktura e Teatrit Kombëtar ka marrë fund dhe se nuk mund të vazhdohet më tej. “Ky teatër nuk i reziston më kohës. Unë nuk jam partizan i arnimeve.

Muajt e dimrit do t’i përballojmë, siç kemi bërë edhe këto vite me kaldajën, që e montuam para dy vitesh. Këtu ka shumë probleme, aq sa shpeshherë edhe skenografët duhet që të jenë shumë të kujdesshëm, se si e ndërtojnë në muajt e dimrit. Kjo është situata. Ky është një teatër që i ka mbaruar misioni. Plani është që të fillojë zhvendosja, mund të mos jemi në shkurt, mbase edhe në sezonin tjetër”, tha Çuli.

Nga ana e Ministrisë së Kulturës konfirmohet zhvendosja, por pa dhënë një datë të saktë. Mësohet se zhvendosja po zhvillohet në dy faza, fillimisht baza materiale dhe pastaj trupa. Kur të përfundojë “Turbina”, përfundon edhe zhvendosja.

TEATRI I RI

Por, me sa duket, qëndrimi i TK në ambientet alternative të “Turbinës” do të jetë i përkohshëm. Drejtori Hervin Çuli thotë se në programin e qeverisë është edhe ndërtimi i teatrit të ri, por nuk dinte të thoshte asgjë më shumë. “Zoti Kryeministër ka thënë që: Ne fillojmë shumë shpejt ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Kjo është përgjigjja ime për infrastrukturën”. I pyetur nëse ka një projekt konkret për këtë, Çuli u shpreh: “Pyesni Kryeministrin për këtë!”.

Fakti që në hapësirën ku ndodhet aktualisht TK do të ndërtohet një teatër i ri, është diskutuar me kohë, madje ka hapur jo pak debate. Kjo histori ka filluar që në kohën kur Edi Rama mbante postin e ministrit të Kulturës. Asokohe u fol për prishjen e godinës italiane dhe ndërtimin e një godine shumëkatëshe, në katin e parë të së cilës do të ndërtohej teatri. Një projekt ky që u refuzua me forcë, duke e konsideruar godinën e TK si tempull të teatrit shqiptar. Por ideja e godinës shumëkatëshe, duket se është fashitur së fundmi.

Gjatë një takimi me artistë, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro premtuan se në vend të godinës ekzistuese, do të ndërtojnë thjesht një teatër. Pas deklaratës së Çulit, në Ministrinë e Kulturës ende nuk mund të thuhet ndonjë gjë konkrete për këtë plan, përveçse “do të ndërtohet, do të ndërtohet”.

Para disa ditësh, gjatë një konference për shtyp, drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Kiço Londo, u pyet se ç’do të ndodhë me godinën ku gjendet institucioni i tij, pasi në një kohë që ai ka kryer investime të reja në infrastrukturë, flitet për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, që është binjakja e TKES. Londo u shpreh se nuk ka asnjë njoftim për këtë çështje dhe se, përveç sallës ekzistuese, ka shtuar edhe dy të tjera.

PREMTIMI NJË VIT MË PARË Një vit më parë, gjatë dëgjesës publike për rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe ndërtimit të qendrës së re artistike “Turbina”, zhvilluar në ambientet e zbrazura të ish-Laboratorit, si ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ashtu dhe Kryeministri Edi Rama përmendën edhe çështjen e Teatrit Kombëtar. Të dy lanë të kuptohet që teatri i ri do të ngrihet aty ku ndodhet sot ndërtesa e vjetër.

Sipas Kumbaros, “ndërtesa e famshme e vjetër e italianëve të Luftës së Dytë Botërore e Teatrit Kombëtar mezi mbahet në këmbë, i kërcasin kokallat, kontraston me rininë e aktorëve që luajnë në të”. Duke kujtuar aktorin Kadri Roshi, sipas të cilit nëse në skenë nuk bëhesh me pluhur, nuk mund të bëhesh kurrë aktor, Kryeministri Rama me qesëndi u shpreh se po të qe për pluhur Shqipëria do të nxirrte artistë që do të çudisnin dynjanë e ne do të bëheshim qendra e botës.

“Por pluhuri i Kadriut ishte tjetër nga pluhuri i harresës në institucionet e skenës nga pikëpamja e kujdesit për infrastrukturën. Nuk po flas për plagën e vjetër, kur vite më parë thosha që ky teatër duhet shembur dhe të ndërtohet nga e para, madje këtu ka disa nga ata që më kanë kundërshtuar. Sot ai teatër po shembet vetë dhe mund të jetë skena e një tragjedie antike, të cilën ne shpresojmë që të mos ndodhë”. Që ndërtesa e Teatrit Kombëtar është degraduar, këtë e thonë vetë aktorët dhe drejtori Hervin Çuli e ka thënë me kohë se godina ndodhet në gjendje emergjente, pavarësisht arnimeve që i janë bërë herë pas here.

Dhe, pa dyshim që aktorët, gjithë stafi, bashkëpunëtorët e TK-së, spektatori po ashtu, meritojnë ambiente të denja, që politikëbërësit u premtuan se do t’i kenë. “Është koha për të rindërtuar Teatrin Kombëtar, i cili ndodhet në një vend kyç, strategjik dhe është mirë të mbetet aty.

Po sigurisht duke u zhveshur nga paragjykimet që e kanë penguar për t’u rindërtuar dhe u kanë kaluar koha, do të punojmë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, që ëndrra për një teatër modern të bëhet realitet”, tha Rama një vit më parë. Në asnjë moment nuk u fol për rikonstruksion të ndërtesës ekzistuese, por gjithçka të çon te shembja e asaj ekzistuese për ndërtimin e një të godine të re.

ALMA MILE

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.