Të ndalojmë së shtiruri për universitetin! Çfarë dëshmoi protesta?

Nov 25, 2022 | 7:58
SHPËRNDAJE

Fran GjokaPROF. DR. FRAN GJOKA

Për universitet në Shqipëri, vjeshta e këtij viti filloi ndryshe nga herët e tjera, Shqetësimi i akumuluar për gjendjen e sistemit të arsimit të lartë në vend u shpërfaq publikisht, fillimisht nëpërmjet shkrimeve në shtypin e shkruar dhe jo vetëm për të kulmuar me protestën e thirrur nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) që nisi disa javë më parë nën moton “Bashkë për “Arsimin e Lartë Publik, Prioritet Kombëtar”. Pas pothuajse dy dekadash heshtje (!), profesorati shqiptar foli. Foli për atë që njeh më mirë dhe dëshiron që të bëhet e mirë, për gjendjen e pakënaqshme, në të cilën ndodhen universitetet publike dhe arsimi në tërësi në Shqipëri.

Ndonëse e rrallë si ngjarje për Shqipërinë, protesta e punonjësve universitar kundër pagave, mosmbështetjes së kërkimit shkencor dhe transparencës ishte e pritshme, madje e vonuar. Universitetet janë vatra të protestës. Këtë sugjeron historia, edhe pse Hegeli thoshte se “… njeriu nuk mëson asgjë nga historia”. Në botën e qytetëruar protestat e profesorëve janë të zakonshme, nga protestat për të drejtat civile dhe diskriminimin apo kundër aparteidit (SHBA), deri tek ato për pagat dhe kushtet e këqija (Britania e Madhe, Italia, etj.). Por, si u pa protesta e pedagogëve dhe çfarë dëshmoi ajo?

Më 15 shtator, një numër i konsiderueshëm i personelit akademik dhe ndihmës-akademik nga shumica e universiteteve publike dolën në një protestë paralajmëruese njëorëshe të pakënaqur me gjendjen e sistemit të arsimit të lartë publik në vend dhe bënë publike një peticion me 9 pika (kërkesa) drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Ministrit të Arsimit dhe Rektorëve të Universiteteve Publike ku parashtroheshin shqetësimet me karakter akademik, ekonomik dhe administrativ të punonjësve universitar që dukshëm rezononin me ato të protestës së 18 viteve më parë.

Nga 5 tetori e në vazhdim u organizuan disa protesta lokale në mjediset e universiteteve dhe kombëtare para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik në Tiranë me të njëjtat kërkesa të shpallura në peticion, për shkak të mospërmbushjes sa duhet të tyre nga ana e qeverisë. Qeveria reagoi në mënyrën e saj, që, duke hequr disa teprime, nuk ishte shumë i ndryshëm nga simotrat e saj në vendet e tjera për të njëjtën çështje. U përmendën kriza, varfëria, projektet dhe BE, por jo fakti se Shqipëria është një treg i vogël dhe nuk është anëtare e BE duke i kufizuar mundësitë. Në Poloni, një vend i zhvilluar në Europën Qendrore me të kaluar komuniste të ngjashme me tonën dhe anëtare e BE-së, shteti siguron pagën bazë sipas pozicioneve të njëjta për të gjitha universitetet, ndërkohë që ka universitete ku paga varion sipas numrit të granteve dhe fondeve të bashkëpunimit me industrinë. U tha gjithashtu se rritja e pagave duhet të bazohet në kontributin e çdo universiteti, d.m.th. në performancë. E thënë kështu duket mirë, por që të aplikohet si metër apo kriter vlerësimi do duhet të jetë i drejtë, pra, të aplikohet për çdo institucion që përfiton nga taksat.

Sidoqoftë, pagat e pedagogëve u rritën nga fondet e buxhetit të shtetit (duhet thënë me paratë e qytetarëve taksapagues) në masën 7% të krahasueshme me normën e inflacionit dhe pjesa tjetër 8% iu ngarkua universiteteve nga të ardhurat dytësore. Kërkesat e tjera mbetën pa përgjigje. Sidoqoftë, ky rezultat nuk mund të quhet humbje, pasi deri para protestës nuk u tha asnjëherë publikisht se do kishte rritje të pagave për profesoratin, por as fitore pasi nuk u përmbushën kërkesat e tjera me natyrë financiare dhe jo vetëm të një rëndësie kritike për mirëfunksionimin e universiteteve. Me sa duket, ky rezultat i pjesshëm erdhi edhe nga fakti se vala e protestës nuk e arriti asnjëherë lartësinë sa të impononte një dialog real midis përfaqësuesve të qeverisë dhe Sindikatës. Dhe kjo për disa arsye.

Së pari, duke mos qenë një tipar thelbësor i arsimit të lartë në vend dhe jo vetëm, siç do duhej të ishte, organizimi sindikalist i punonjësve universitarë, i quajtur Sindikata e Punonjësve të Universiteteve që organizoi peticionin dhe protestën, nuk arriti të ndërtojë siç duhet reputacionin e saj, pavarësisht kauzës së drejtë që mbronte. Ajo u shfaq publikisht vonë dhe mënyra e ngritjes së saj u paragjykua. Antidoti i vjetër, politizimi ose më saktë partizimi e dha efektin, duke shkaktuar një farë hutimi që deri diku e zbehu fuqinë e reagimit. Nëse jo ikonografia, retorika antiprotestë të kujtonte fundvitin 1990. Si në protestën e studentëve në 2018, edhe këtë herë nuk vlejti mësimi i vyer që ka lënë historia kur flitet për vlerësimin e akademikëve: “Së pari respekt, pastaj vlerësim”.

Së dyti, megjithëse peticioni u nënshkrua nga pjesa më e madhe e punonjësve universitare, aksioni i protestës nuk u mirëprit nga një pjesë e tyre dhe e administratës universitare, a thua se nuk ndajnë të njëjtat probleme të trajtimit financiar dhe shqetësime për gjendjen aktuale të kërkimit shkencor, duke dëshmuar ndarje politike, nepotizëm dhe favorizim për të mos shkuar më tej, që fatkeqësisht ekzistojnë në institucionet tona të dijes siç janë universitetet. Aq brutalisht u shfaqën këto fenomene sa vetëm një protestë e fuqishme kundër tyre nga shumica e profesoratit do të ishte mënyra më e mirë për të kontribuar për universitetin krahas të punuarit shumë, në mënyrë që universiteti të tërheqë më shumë studentë në auditorët e tij.

Së treti, për arsye që mund të merren me mend, protesta nuk u pasqyrua me vërtetësi nga disa media. Jo pa qëllim, kërkesa për rritjen e pagave me 50% në hapësirën e dy viteve në ndonjë rast iu servir publikut e ekzagjeruar, si kërkesë për dyfishimin e tyre. Ky, një mjet i vjetër antiprotestë. Sidoqoftë, falë kontributit të atyre mediave që pasqyruan me profesionalizëm protestën, u arrit që çështja e financimit të arsimit të lartë në vend, qoftë edhe përkohësisht, të vihet në rendin politik të ditës, duke mos lejuar që të kalojë si uji poshtë urës pa zhurmë.

Së katërti, megjithëse pati zëra shumë të spikatur në protestë, ajo nuk u mbështet sa duhet nga studentët dhe shoqëria civile. Një qëndrim që nuk pritej, pasi plotësimi vetëm i kërkesës për rritjen e financimit të kërkimit shkencor duke përmirësuar kushtet për zhvillimin e tij, do t’i shërbente direkt interesit primar të studentëve – formimit më të mirë profesional, dhe interesit shoqëror – rritjes së cilësisë së arsimit të lartë në vend.

Së pesti, koha dhe konteksti social lokal i pafavorshëm u shfrytëzuan për ta dëmtuar protestën, megjithëse vala e protestave kundër pagave dhe kostove të jetesës në rritje ka prekur të gjithë globin për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Kjo luftë është e tmerrshme, por njerëzimi ka edhe një kërcënim tjetër të madh dhe permanent që janë ndryshimet klimatike. Prandaj, është i pasaktë shikimi i protestës vetëm nga ky plan.

Nga ana tjetër, kjo protestë nxori në pah çështje të tjera të karakterit administrativ dhe akademik ende pezull, të tillë si transparenca në të gjitha dimensionet e saj brenda universiteteve si një element me rëndësi kritike në kontekstin shqiptar.

Gjendja aktuale dhe sfidat në horizont diktojnë nevojën për të ndaluar nga të gjithë së shtiruri për universitetin. Nga qeveria dhe politika për disa çështje, si: nevoja për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë për mangësitë që ka dhe që janë bërë publike; financimi i kërkimit shkencor si pjesë e pandashme e arsimit të lartë; nepotizmi, tarafi, politizimi dhe mungesa e transparencës në universitete; standardet e diskutueshme të rekrutimit dhe promovimit akademik; moszbatimi i vendimeve për transparencën mbi gradat shkencore dhe titujt akademikë; zgjedhjet universitare me rregullore gjysmake apo pa kaluar testin antiplagjiaturë dhe të vlefshmërisë së titujve akademikë, dhe nevoja për adoptimin e metodës inovative të votimit me yje (Star Voting); hapja e universiteteve dhe angazhimi i plotë i tyre në shoqëri (universitete pa mure).

Ne, profesorët dhe studentët nuk mund të vazhdojmë të bëjmë sikur për çështje të tilla si: funksionimi jo si duhet i organeve drejtuese, p.sh. senatet akademike, të cilat thuajse nuk prodhojnë as debat apo rezoluta për çështje që prekin universitetin, dhe as transparencë buxhetore; mangësitë në infrastrukturë (sidomos laboratorët mësimorë) që lehtëson mësimdhënien, përmirëson rezultatet e studentëve dhe tërheq më shumë prej tyre në auditorë; aksesi direkt i kufizuar i studentëve të masterit shkencor në laboratorë; mospërputhshmëria e programeve të studimit me tregun e punës që ndryshon; menaxhimi i teksteve shkollore në universitete si pjesë e menaxhimit të mësimdhënies; shtrenjtësa e diplomave në raport me cilësinë e arsimimit; aplikimi i metodave motivuese në mësimdhënie; shpërndarja e të ardhurave që siguron institucioni ndërmjet personelit akademik dhe ndihmës. Vetëm duke thënë të vërtetën dhe duke punuar për të, arsimi dhe universitet tona do të mund të ndryshojnë me të njëjtin ritëm me të cilin ndryshon shoqëria jonë dhe bota përreth.

* UBT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura