“Të merren masa për shtresat në nevojë”- Banka e Shqipërisë: Kriza energjetike, rrezik për ekonominë e vendit! Problem për financat e qytetarëve dhe bizneseve

Sep 29, 2022 | 18:55
SHPËRNDAJE

Klodian Shehu, drejtor i departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë ka komentuar situatën e shkaktuar nga kriza energjetike dhe inflacioni të cilat vazhdojnë të përbëjnë një rrezik serioz për ekonominë e vendit tonë.

Banka_e_Shqiperise_hyrja_kryesore-scaled-1200x900

Ai thotë se nëse kjo krizë do të vazhdojë sfida të rëndësishme siç janë çmimet e larta të energjisë do të jenë një problem për gjendjen financiare të qytetarëve dhe bizneseve.

“Periudha në të cilën jemi aktualisht përmban disa sfida të rëndësishme që lidhen me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe kryesisht me rritjen e kostos së prodhimit për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Nëse kjo do të vazhdojë mund të jetë problem për gjendjen e financiare të bizneseve, familjeve dhe mund të sjellë rritje të kredive me probleme në sektorin bankar”, tha Shehu.

Në raportin e 6-mujorit të parë të vitit 2022, Banka Qendrore thotë se qeveria duhet të marrë masa për zbutjen e goditjes ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë.

“Në këtë skenar, në afat të shkurtër marrin rëndësi masat për zbutjen e goditjes ndaj shtresave më nevojtare të shoqërisë dhe shërbimeve kritike, për krijimin e burimeve ose rezervave financiare për blerjen e energjisë së nevojshme përgjatë periudhës së ardhshme vjeshtë-dimër, për përdorimin e energjisë ekzistuese në mënyrë eficente dhe për gjetjen e burimeve të përkohshme shtesë të energjisë”, shkruan raporti.

Nga 1 tetori Enti Rregullator i Energjisë miratoi fashat e reja të energjisë. Abonentët familjare që konsumojnë mbi 800 KWH energji në muaj do ta paguajnë më shtrenjtë atë./BW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura