“Të ecim bashkë drejt BE, ose do rrezikojmë të dështojmë”- Rama paralajmëron: Mungesa e begatisë do na bëjë të humbasin paqen

Feb 29, 2024 | 10:16
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në nisje të Samitit BE – Ballkani Perëndimor u shpreh se Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia ndërmorën nismën e Ballkanit të Hapur për të përshpejtuar procesin e Berlinit.

Rama bëri thirrje për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ndërmarrin së bashku hapa të nevojshme drejt integrimit në BE, ose në të kundërt do të dështojnë.

Ai u shpreh se “BE është më e gatshme të na ndihmojë”, por duhet “të jemi në më të gatshëm për të ndihmuar veten për të mos e humbur ketë dritare mundësie”

“Për mua është shumë e qartë se mundësia e re që përfaqëson ky plan që është jashtë kornize, është jo vetëm njohje nga ana e BE-së e përpjekjeve tona prej një dekade për  të ndërtuar një të ardhme të përbashkët kundër erërave të egra të së shkuarës, por për kështu edhe na sfidon për të dëshmuar gatishmërinë tonë për fatin e përbashkët europian. Mundësitë mund të merren ose mund të humben, ne duhet të angazhohemi plotësisht pa asnjë rezervë, pa asnjë hezitim,  pa kufizime, pa shtrëngime dhe po, të përfitojmë nga kjo mundësi.

Unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse midis tyre, megjithatë bëj thirrje që t’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara me synim për të transformuar rajonin e vendet tona.

Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh. Pikërisht 10 vjet më parë, udhëheqësit e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor u takuan në zyrën e kancelarit në Berlin, për herë të parë në historinë tonë. Objektivi nuk ishte për t’u marrë me plagët e së shkuarës po për të kapur të ardhmen që kërkon bashkëpunimin tonë si një kusht themelor për anëtarësimin ne BE. Sot ky kusht nuk është vetëm një parim i sjelljes së mirë, por një kriter për të vlerësuar pjekurinë tonë të shteteve përmes planit të ri të rritjes.

Përgjatë këtyre 10 viteve Procesi i Berlinit na ka dëshmuar se sa më e lehtë të thuash se sa të bësh është sigurimi aktual i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndërmorën nismën e Ballkanit të Hapur për të përshpejtuar procesin bazuar në parimet e Procesit të Berlinit.

Me planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapat e nevojshme për të ecur më pranë BE-së e njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku ose dështojmë së bashku. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës e as mund të sigurohet mirëqenie për njerëzit tanë pa instrumentet e paqes e të bashkëpunimit përtej kufijve, përtej gjuhëve e përtej varianteve të ndryshme të historisë.

Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë ose mungesa e kësaj begatie do të na bëjë të humbasim paqen. Kështu funksionon Bashkimi Europian, kështu duhet të funksionojë Ballkani Perëndimor. BE është tanimë me e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë më të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura