Tatimi i pagave nën 30 mijë Lekë, Ministria e Financave: Spekulim. S’ndryshon skema aktuale

Aug 7, 2015 | 22:20
SHPËRNDAJE

Ministria e Financave ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuara nga mediat për një draft ligjor që po përgatit Qeveria ku parashikohet të tatohen edhe pagat nën 30 mijë lekë të reja. Sipas draftit,  për herë të parë është vendosur tatimi mbi fitimin 5% për pagat deri në 15 mijë lekë në muaj. Aktualisht ky tatim është zero për pagat deri në 30 mijë lekë në muaj.

cani
Por Ministria e Financave i ka quajtur këto spekulime, teksa nënvizon: “Asnjë diskutim dhe asnjë vendimmarrje nuk ka në lidhje me mundësinë e ndryshimit të skemës aktuale të tatimit progresiv mbi të ardhurat personale”.

Ja njoftimi i Ministrise se Financave:

Ministria e Financave është e detyruar të hedh poshtë të gjitha spekulimet e bëra në lidhje me draft ligjin për të ardhurat tatimore. Varianti i shpërndarë për mendim është jo zyrtar, por  në shenjën e vullnetit të bashkëpunimit të mirë me palët e interesuara për të fituar kohë pasi javën e parë të shtatorit ne duhet të vazhdojmë dialogimin me ekspertin e FMN. Në të gjithë draftin dhe jo vetëm në nenin 25, shifrat dhe disa nga konceptet e reja janë vendosur gjithmonë në kllapa dhe në germa korsive për të dalluar faktin që ato janë thjesht ilustrime. Koincidenca e përputhjes me disa nga ato që përdoren aktualisht, është keqkuptuar duke dhënë shkas për spekulim.

E vërteta është qe ministria e Financave po përgatit një ligj të ri për tatimin mbi të ardhurat duke shfuqizuar legjislacionin ekzistues të mbingarkuar nga ndryshimet e shumta në vite dhe për të pasur në një ligj tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin.

Gjithçka tjetër që po komentohet e thuhet është, në mos dashakeqe, spekulative. Asnjë diskutim dhe asnjë vendimmarrje nuk ka në lidhje me mundësinë e ndryshimit të skemës aktuale të tatimit progresiv mbi të ardhurat personale. Kur projekt ligji do të dërgohet zyrtarisht për mendim, do të jetë gjithë hapësira e duhur dhe transparenca maksimale për diskutim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura