Takimi misterioz në anijen e NATO-s në Adriatik/ “Pakti i prishur i Enver Hoxhës”, dëshmia e panjohur që kryqëzoi Teme Sejkon

Jan 24, 2023 | 12:55
SHPËRNDAJE

ARTUR MEÇOLLARI
Kapiten i rangut të parë

Ka qenë 17 janari i vitit 1958 kur Teme Sejko u emërua komandant i Marinës Ushtarake Shqiptare. Ai u gradua Kundëradmiral më 8 korrik 1959 dhe u lirua nga detyra e komandantit të Flotës Luftarake më 5 korrik 1960, duke shërbyer në këtë detyrë për mbi dy vjet dhe në periudhën më dinamike të saj.

teme sejkooooo

U arrestua më 28 korrik 1960 dhe u dënua me vdekje për tradhti më 27 maj 1961. Teme Seiko vdiq i masakruar nga Sigurimi më 31 maj 1961 dhe ende nuk ka një varr…

KUSH ISHTE KUNDËRADMIRAL TEME SEJKO?

Teme Sejko, djalë i një familje çame, ka lindur në Konispol më 25 korrik 1925. Familja e tij kishte banuar në fshatin Manxhar të Filatit (Greqi). Më 1920-1922, familja e tij u shpronësua nga qeveria greke dhe u detyrua të vendoset në Konispol. Në mars 1843 Teme Sejko, në moshën 19-vjeçare, del partizan në çetën “Çamëria” dhe bëhet anëtar i PKSH . Në tetor 1943 merr detyrën e komisarit të kompanisë dhe vijon përgjegjës për rininë.

Me krijimin e Brigadës së Parë merr detyrën e komisarit të batalionit dhe nga tetori 1944 deri në çlirimin e vendit kryen detyrën e zëvendëskomisarit të Brigadës 18-të Sulmuese. Mbas çlirimit u emërua shef i sigurimit të ushtrisë dhe në nëntor të vitit 1946 u nis për studime në akademinë “Frunce” në ish-BS për dy vjet. Mbas kthimit nga ish-BS, në nëntor 1949, u emërua shef i shtabit të Divizionit të Mbrojtjes Popullore dhe nga maji deri shtator 1949 ka kryer detyrën e komandantit të divizionit.

Nga 5 shtatori 1949 deri më 11 dhjetor 1955 Teme Sejko, tashmë me gradën kolonel ka kryer detyrën e Drejtorit të Zbulimit të Ushtrisë. Në dhjetor 1955 shkon përsëri për tre vjet studime në Akademinë “Voroshillov” në ish-BS. Mbas kthimit, më 17 janar 1958, emërohet komandant i Marinës Luftarake, e cila më 14 gusht 1958 do të merrte emrin Flota Luftarake Detare.

Më 8 korrik 1959, merr gradën e kundëradmiralit. Kundëradmiral Teme Sejko, në detyrën e komandantit të FLD, do të shoqëronte Nikita Hurshovin, Enver Hoxhën, Otto Grotevaldi, Mehmet Shehut, Marrshallin Malinovski, në Bazën Detare të Pashalimanit dhe gjatë lundrimit me Bazën Lundruese “TOMORRI” për në Sarandë.

Në 5 korrik 1960 me argumentin se do të dërgohej përsëri për studime në ish-BS, kundëradmiral Teme Sejko lirohet nga detyra e Komandantit të FLD dhe del në dispozicion. Ai u arrestua në datën 28 korrik 1960, në orën 10:00 në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku. Po në të njëjtën datë u arrestua vëlla i tij Taho Sejko, Drejtor i Parkut Automobilistik në Shkodër, dhe Tahir Demi, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasantit.

“TRADHTARI” TEME SEJKO, NË BANKËN E TË AKUZUARVE

Janë shkruar dy libra në kohën e komunizmit për “tradhtinë” e Teme Sejkos, si poliagjent grek, jugosllav, amerikan, etj., i cili bashkë me grupin e tij çam synonte rrëzimin e pushtetit popullor. Libri i parë është publikuar në ish-BS me titull “Procesi gjyqësor për komplotin që kishte qëllim likuidimin e Republikës Popullore të Shqipërisë” dhe i dyti në Shqipëri me titull “Dështimi i radhës: komploti i Teme Sejkos”. Të dy këta libra e trajtojnë këtë proces sipas orientimit dhe vijës politike të Partisë, pa iu referuar provave dhe fakteve.

Ndërkaq, kohët e fundit janë zbuluar dokumente që kanë hedhur dritë me prova shkresore dhe dëshmi se i gjithë procesi kundër kundëradmiral Teme Sejko ishte një proces i montuar dhe që u mbështet vetëm në dëshminë pa prova të të akuzuarit për agjent grek Kosta Fili. Ato konfirmojnë se procesi gjyqësor ndaj Teme Seikos dhe “grupit armiqësor të Konsiplolit”, është ngritur vetëm mbi akuza të manipuluara. Është kjo një histori që fillon në vitin 1957 kur dy agjentë të Sigurimit, “Trimi” (Skënder M.Hoxha) dhe “Gjoksi” (Braho Emini) pasi mbërritën në Shqipëri më 18 prill 1957, dëshmuan se zbulimi amerikan merrte informacione në zonën e Konispolit nëpërmjet një kanali komunikimi dhe se zbulimi i tij ishte shumë i vështirë.

Ata përmendën shumë emra, por jo emrin e Teme Seikos. “Dyshimet” për Teme Sejkon do të nisnin në vitin 1959, kur ky mbante detyrën e komandantit të FLD, mbas arrestimit të disa agjentëve grekë, të cilët në radhe deklaronin në hetuese se Teme Sejko ishte agjent, por në dëshmitë e tyre nuk ka prova. Sejcilit prej tyre këtë gjë ia kishte thënë dikush, një grup thashethemesh në një qark të mbyllur, ku Kosta Fili ishte strumbullari i tyre. Kjo periudhë përkon dhe me përgatitjet e vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri në maj-qershor 1959.

Mbas thashethemeve të sajuara, më 14 korrik 1960, dy javë përpara arrestimit të kundëradmiral Teme Sejko, kryetari i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, gjeneral major Halim Xhelo, vuri në përgjim aktiv 2A ish-komandantin e FLD Teme Sejko dhe në 5 korrik u arrestua. Provat kundër Teme Sejkos ishin: Kosta Filit i kishte thënë Haki Rushiti se Teme Sejko ishte agjent. Theodhori Veto nuk dëshmoi me prova kush ia kishte thënë apo nga e dinte aktivitetin armiqësor të Teme Sejkos. Kostandin Petro Vaso ia kishte thënë Theodhori Vetose se Teme Sejko ishte agjent. Dhimo Gërburës ia kishte thënë Lole Gogose se Teme Sejko ishte agjent, të cilit ia kishte thënë djali i tij Theodhori Gogo. Përgjimi i Muharrem Rustemi (Mane) mund dhe krijoi dyshime për Teme Sejkon si agjent, por nuk është provë kundër tij.

Vetë Teme Sejko do të ishte kontradiktor lidhur me aktivitetin e tij “agjenturor”. Në 10 gusht 1960, dy javë mbas arrestimit, i pyetur nga Halim Xhelo do të deklaronte: “Unë Teme Sejko nuk i kam shërbyer ndonjë zbulimi të huaj….”. Por në 10 tetor 1960 do të dëshmonte “Kam marrë pjesë në një organizatë armiqësore, e cila kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit popullor..”, dëshmi të cilën do ta përsëriste edhe gjatë procesit gjyqësor. Por, në asnjë rrethanë Teme Sejko nuk dha prova të aktivitetit të tij agjenturor.

Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut do të nxirrte në dritë manipulimin e dëshmisë së dëshmitarit kryesor ndaj Teme Sejkos, Kosta Fili. Në dëshminë e tij më 28 qershor 1983 në burgun e Burrelit, ai do të deklaronte se përfshirjen e Teme Sejkos në vitin 1959 si agjent ia kishte sugjeruar Kadri Hazbiu. Ndër të tjera, ai do të shprehej: “Në këtë kohë unë ndodhesha në birucën nr.7 në burgut e Tiranës. Ishte dimër. Natën vonë më erdhi Nevzat Haznedari, më mori të lidhur e më çoi në zyrën e Kadri Hazbiut ku ishte i pranishëm edhe Rexhep Kolli. Pinë nga një kafe. Kadri Hazbiu më tha: ‘Të fola këtu, është bërë një tenxhere me kabuni. Shiko se mos i hedhësh një grusht kripë brenda e pastaj përgjigjesh ti me kokë’. Po më tha kush se duhet, unë ia hedh. Kadriu më tha: ‘Do dalësh dëshmitar kundër Teme Sejkos, do të thonë këta shokët se çfarë do thuash’. Unë i thashë mjerë familja që kam në Greqi”.

Në 27 maj 1961, Gjykata e Posaçme e Gjykatës së Lartë dha vendimin duke e dënuar Teme Sejkon me vdekje (pushkatim). Fati i Teme Sejkos ngeli për shumë vite i paqartë. Në vitin 1983 u hodh dyshimi se Kadri Hazbiu mund ta kishte lejuar Teme Sejkon të kishte ikur në ish-BRSS, dhe ishte rasti për të goditur Kadri Hasbiun.

Por gjatë procesit gjyqësor të vitit 1983 u provua se Kadri Hasbiu me grupin e tij nuk kishin ekzekutuar vendimin e gjykatës, por i kishin marrë jetën Teme Sejkos më 31 maj 1961. Grupi i përbërë prej pesë vetësh, e rrahën me dru dhe e tërhoqën me litar te fyti deri sa vdiq. Dhe të gjitha me dijeni të Kadri Hazbiut. Por kalvari i familjes së Teme Sejkos dhe komunitetit çam nuk do mbaronte këtu. Vëllai i tij Taho Sejko u dënua me vdekje.

Familja e tij, gruaja dhe dy djemtë, u internua në Berat. Në vitin 1973, djali i Teme Sejkos, Sokol Sejko, në moshën 23 vjeç, arrestohet me akuzën se do digjte Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” dhe dënohet me vdekje. Po ashtu edhe vëllai tjetër Sulo Sejko do të kryente vetëvrasje, kurse djali tjetër, Rajmond Sejko, u fut në burg për agjitacion e propagandë. Mbas arrestimit të djalit, bashkëshortja e Teme Sejkos, Shpresa Sejko, kreu vetëvrasje.

Ndërkaq, Kosta Filit, edhe pse ishte dënuar me vdekje, do t’i falej jeta dhe do të lirohej mbas 30 vitesh, në vitin 1989. Komuniteti çam në këtë periudhë pësoi një goditje të jashtëzakonshme.

Shumë prej tyre u arrestuan dhe dënuan. Goditja e Teme Sejkos duhej justifikuar duke krijuar një grup “armiqësor” çam. Më 14 mars 1961, ministri i Brendshëm njoftonte Komitetin Qendror të PPSH-së mbi zhvillimin e hetimeve. Në këtë raport thuhet se në gjysmën e dytë të vitit 1960 u arrestuan “një grup elementësh armiq të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja” që përbëhej nga 38 persona, prej të cilëve 20 ishin anëtarë të PPSH-së. Elementë kryesorë përcaktoheshin Teme Sejko, Taho Sejko, Tahir Demi dhe Avdyl Resuli.

Ai shkruante se “Me përjashtim të 9 personave, të gjithë të tjerët janë nga krahina e Çamërisë”. Sipas dokumenteve të CIA-s, numri i personave të dënuar me vdekje dhe burgim, të internuar apo vetëvrarë në komunitetin çam, për të justifikuar “tradhtinë” e teme Sejkos mund të jetë deri në 200 vetë.

DOKUMENTET “SEKRETE” AMERIKANE MBI “AGJENTIN” SEJKO

Qysh në 1957, organet e Sigurimit të Shtetit kishin informacion se zbulimi amerikan merrte informacione në zonën e Konispolit nëpërmjet një kanali komunikimi. Kjo gjë sot vërtetohet edhe nga dokumentet e CIA-s të 18 shkurtit 1954 dhe 28 shkurtit 1956, tashmë të deklasifikuara. Në Konispol funksiononte një celulë komunikimi e CIA-s, por në asnjë rast nuk përmendet Teme Sejko ose vëllai i tij, Taho Sejko. Pra, të dhënat e Sigurimit të Shtetit përputhen me të CIA-s për ekzistencën e një celule proamerikane, por, jo për Teme Sejkon.

Gjithashtu, edhe mbas arrestimit të Teme Sejko, ka dokumente të CIA-s lidhur me dënimin e tij. Por në asnjë rast dënimi i tij nuk trajtohet si një goditje ndaj CIA-s, por si një çështje që lidhej me luftën për pushtet në Tiranë nën influencën e BRSS, tashmë të drejtuar nga Nikita Hrushov.

Në një dokument tjetër të CIA-s të 1962-it, ku trajtohen marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, shprehimisht thuhet se “Gjyqi spektakolar ndaj kundëradmiral Teme Sejkos dhe të tjerëve, gjoja për komplot pro-perëndimor, ishte në fakt një përfshirje në komplot për të zëvendësuar drejtuesit aktual me njerëz shërbëtor të Moskës”. Ndërkohë, në një dokument tjetër të CIA-s, të datës 15 shkurt 1961, rezulton se “Kundëradmiral Teme Sejko dhe shumë ushtarak të lartë me shumë mundësi ishin drejtuesit e një komploti që ndodhi verë e fundit, sipas një numër raportimesh”.

Këto dokumente konfirmojnë se CIA e konsideron Teme Sejkon si një pro-sovjetik dhe nuk e vë në dyshin qëndrimin e tij në këtë lidhje, sakaq, komplotin e konsideron të inspiruar nga Moska. Por, fakti se regjimi e konsideronte si një komplot pro-perëndimor për CIA-n nuk u provua gjatë procesit gjyqësor.

TEME SEJKO DHE VIZITA MISTERIOZE NË NJË ANIJE TË NATO-S

Ish-komandanti i Gjuajtësit të Madh “Semani”, Dhimogjen Gjergji në librin e tij “Udhëve të jetës” (2011) hedh dritë mbi një histori të panjohur më parë për Teme Seikon.

Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai: “Kur unë u bëra komandant gjuajtësi (anije kundër nëndetëse), në arkivin e anijes gjeta një dokument hedhur pakujdes në të cilin ndër të tjera shkruhej “Ora …. morëm në bord Komandantin e Flotës të pashoqëruar nga asnjë anëtar i Shtabit të Flotës dhe të Brigadës së Rajonit të Mbrojtjes Ujore.

Lundruam në perëndim të ishullit të Sazanit. Dolëm në ujërat neutrale. Errësirë e plotë. Deti me dallgë. U urdhëruam të ndezim dritat e lundrimit. Pas dy minutash u fikën ato. Një dritë përpara nesh filloi për pak çaste të ndizej e fikej. Komandanti i Flotës urdhëroi t’i afrohemi anijes së panjohur dhe të zbresim në të. Me shumë vështirësi u afruam dhe lamë komandantin e Flotës atje, duke na thënë që nesër në orën 05:00 të shkonim ta merrnim përsëri. Tipin dhe flamurin e anijes nuk mundëm ta identifikonim. Natën ne vrojtuam një anije italiane, e cila vinte vërdallë nëpër det. Në orën 05:00 shkuam në koordinatat ku lamë komandantin e Flotës dhe ai hipi në bordin e anijes. I thamë për anijen italiane që lundronte aty. Ai na foli ashpër se përse u morëm me atë anije. Lundruam në drejtim të Vlorës. Akostimi në ujin e ftohtë. Zbret komandanti i Flotës. Kthehemi në Sazan….”. Dhimogjen Gjergji një nga oficerët me integritet të FLD deri më 28 dhjetor 1967 ka qenë komandant i GJMD “Semani”. Ai do të shërbente në Flotën Detare mbas vitit 1974 në Sarandë dhe më pas në Komandën e FLD-së. Ai doli në pension në fillim të viteve 90-të dhe ndërroi jetë më19 dhjetor 2019. Përpara se komandant i GJMD “Semani” të emërohej Dhimogjen Gjergji, midis 15 mars 1958 dhe 8 tetorit 1964 komandant të GJMD “Semani kanë qenë kapiten lejtnant Mehmet Karashabani, kapiten lejtnant Petrit Hysi, Kapiten Përllumb Kasëmi dhe major Sandër Gjeçi. Gjatë kohës që komandant i FLD-së ka qenë kundëradmiral Teme Sejko (17 janar 1958 – 5 korrik 1960) komandant të GJMD kanë qenë kapiten lejtnant Mehmet Karashabani (15 mars 1958 – 22 shtator 1958) dhe kapiten lejtnant Petrit Hysi (22 shtator 1958 – 30 dhjetor 1961). Por, në shënimin e tij komandant Dhimogjen Gjergji përmend “Brigadën Rajonale të Mbrojtjes Ujore” dhe jo “Grupin Rajonal të Mbrojtjes Ujore”. Më 15 mars 1958 kur katër GJMD erdhën nga ish-Bashkimi Sovjetik, ata u përfshinë në Grupin Rajonal të Mbrojtjes Ujore, me vendbazim në Sazan. Mbas ardhjes edhe të disa anijeve të tjera dhe ato që priteshin gjatë 1959 dhe 1960 ky grup u riemërua më 8 janar 1959 Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Ujore. Pra, sipas komandant Gjergjit, kjo ngjarje ka ndodhur mbasi grupi ishte transformuar në brigadë, dmth mbas datës 8 janar 1959 dhe deri në 5 korrik 1960. Në këtë periudhë komandant i GJMD “Semani” ka qenë Petrit Hysi, i emëruar më 22 shtator 1958 dhe larguar më 30 dhjetor 1961.

Siç shprehet Gjergji, ai nuk ka qenë dëshmitar i ngjarjes, por e ka lexuar në një nga ditarët e anijes. Ditarët e GJMD, si të çdo anije luftarake, ishin dokumente sekrete dhe shënimet mbaheshin në mënyrë kronologjike që nuk linte mundësi korrigjimi. Ato kishin një afat ruajtje 10 vjet dhe më pas asgjësoheshin.

Unë kam qenë për gati katër vjet komandant i GJMD “Vjosa”, simotër e “Semanit” dhe për shkak të natyrës së detyrës dhe praktikës që zbatohej edhe në kohën time, jam i bindur se ky deklarim i komandant Dhimogjen Gjergji është i vërtet edhe pse nuk është i provuar me fakte. Zakonisht ditarët nuk dorëzoheshin, por mbaheshin për 10 vjet në një miniarkivë të anijes dhe mbas 10 vjetësh asgjësoheshin me procesverbal. Siç shprehet Gjergji, ky shënim është “hedhur pa kujdes”, që nënkupton nuk duhej të hidhej në ditar. Gjatë karrierës time kam pasur shumë raste, ku detyra e ngarkuar, me porosi nga lartë ose me vetëdije, asnjë element i saj nuk hidhej në ditarin e anijes, për të ruajtur sekretin e informacionit. Nga përshkrimit të motit, ngjarja e përshkruar nga Komandant Gjergji duket se ka ndodhur në periudhën e fundvitit 1959 dhe fillimit të 1960, mbas vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri 25 maj-4 qershor 1959. Gjuajtësi i Madh Detar ka një efektiv rreth 40 vetë.

Ndoshta jo të gjithë mund kenë kuptuar çfarë ka ndodhur atë natë, por të paktën oficerët dhe nënoficerët e gjuajtësit e kanë kuptuar. Por, personi që ka pasur më shumë informacion mbi këtë vizitë të kundëradmiral Teme Sejko në një anije ushtarake të një vendi të NATO-s, ka qenë Komandanti i GJMD “Semani”. Pra, një veprim i tillë i kundëradmiral Teme Sejko, nuk mund të fshihej nga udhëheqja e kohës. Në bordin e GJMD “Semani” gjendeshin 80 sy që e panë ku shkoi kundëradmirali, dhe pa diskutim shumica e tyre ishin komunistë. Ky veprim mund të bëhej vetëm me udhëzim të udhëheqjes së kohës, por duke mbajtur sa më të ulët numrin e njerëzve në dijeni. Por, ekuipazhi i GJMD nuk mund të përjashtohej, pasi ishte mjeti më i mundshëm dhe i sigurt i transportit e tij. Po cili ishte qëllimi i vizitës së Komandantit të FLD Teme Sejko në një anije ushtarake të një vendi të NATO-s, në mes të detit dhe në fshehtësi të plotë. Kundëradmiral Teme Seiko ka hipur i vetëm në anijen e huaj ushtarake, por siç deklaron dhe gjeneral Halim Xhelo ai fliste përveç rusishtes dhe italishten. Takimi i Teme Sejkos me ushtarak të NATO-s në det të hapur, edhe pse ishte një “provë” e fortë dhe e pakundërshtueshme për të provuar akuzën kundër tij nuk u prezantua në procesin gjyqësor që e shpalli Teme Sejkon armik. Përse? Kush ishte eprori I lartë që kishte dhënë urdhrin e fshehtë për takimin e Sejkos me detarët e NATO-s. Kjo nuk u muarr vesh kurrë. Sidoqoftë, i mirëbesuari Sejko mbeti viktimë e këtij takimi në Adriatik. Dhe nga i besuar u kryqëzua për besëprerë.

FIGURA E TEME SEJKO KËRKON RIVLERËSIM

Arrestimi i Teme Sejko është bërë me urdhër të Enver Hoxhës. Kjo tashmë nuk ka më dyshim. Studiuesi Kastrot Dervishi e ka provuar me dokumente këtë fakt në librin e tij për Kadri Hazbiun. Ndërkohë e ka pohuar këtë dhe këtë vetë Kadri Hasbiu në mbledhjen e Byrosë Politike. Nga ky debat midis Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut në vitin 1982 Enveri synonte të akuzonte Kadri Haziun për dënimin pa prova të Teme Sejkos, por ky i fundit ka qenë i qartë se Enver Hoxhën e ka bindur ai dhe Beqir Balluku dhe se ka qenë pikërisht Enveri që ka urdhëruar arrestimin e Teme Sejkos.

Pikërisht këtu nis zanafilla e manipulimit të të gjithë procesit të Teme Sejkos. Që Teme Sejko nuk ishte agjent i perëndimit dhe Flotës së 6-të të SHBA janë dokumentet e CIA-s, tashmë të deklasifikuara që e provojnë. Nuk ka më dyshim se Teme Sejko është dënuar me një proces fund e krye të manipuluar, duke servirur thashetheme të stisura të disa agjentëve që kërkonin të shpëtonin lëkurën e tyre. Sakaq, edhe vetë dëshmia e Kosta Filit është manipuluar nga Sigurimi i Shtetit dhe personalisht Kadri Hazbiu. Natyrisht, dëshmia e Teme Sejkos nuk mund të jetë provë se ka qenë agjent, por dhe ai vet nuk e provon këtë.

A thua t’ia kenë hedhur Enver Hoxhës, Kadriu, Beqiri, Halimi, Mehmeti, etj. Jo. Teme Sejo duhet të dënohej pa pasur asnjë kontakt me familjarët e tij, apo persona të cilët mund të nxirrnin ndonjë sekret që ai dinte. Teme Sejko, nga momenti i arrestimit deri tek i vrasjes, nuk ka takuar asnjë njeri të familjes apo dikë që mund të fliste.

Ai ka takuar vetën hetuesit, Beqir Ballukun dhe Kadri Hazbiun, disa herë. Ndoshta dhe Mehmet Shehun. Mënyra e ekzekutimit të Teme Sejkos është një provë tjetër se atij nuk duhet t’i jepej kohë të fliste. Vendimi i Gjykatës i datës 27 maj 1961 nuk u ekzekutua si të gjithë të dënuarve të tjerë. Ai u masakrua në datën 31 maj 1961 në një shtëpi në Marikaj. Ai ka qenë një komunist i devotshëm dhe zbulues inteligjent. Teme Sejko u emërua Komandant i Flotës Luftarake Detare në moshën 36-vjeçare me një karrierë brilante më parë në zbulimin e Ushtrisë, Në gjykimin tim, ai ka qenë një nga njerëzit me besnik të Enver Hoxhës.

Për shkak të detyrës dhe inteligjencës, jam i bindur se Sejkon e dogji besnikëria dhe sekretet që dinte ndaj Enver Hoxhës dhe për të justifikuar dënimin e tij u improvizua një grup puçist çam, veprime të cilat do të masakronin familje të tëra. Unë personalisht kam bindjen se kundëradmiral Teme Sejo, në momentin më të vështirë të marrëdhënieve të Enver Hoxhës me Hurshovin, ishte ngarkuar të negocionte me Perëndimin për të garantuar pushtetin etj. Se çfarë është biseduar atë natë në anijen ushtarake të huaj dhe a ka pasur rezultat në negociata, këtë nuk mund ta provojmë dot sot. Por, arrestimi, kurthi, dënimi dhe vrasja e Teme Sejkos, duket se ishte një pakt i prishur i Enver Hoxhës që dënoi jo vetëm kundëradmiralin, por për të qenë bindës me alibinë e tyre edhe gjithë komunitetin çam.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura