“Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, dështoi” – Media greke: Kosova i vendos kushte Serbisë, kërkon njohjen pastaj bashkimin e Komunave Serbe

Sep 18, 2023 | 18:06
SHPËRNDAJE

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe refuzimi i asociacionit nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë sërish vëmendjen e mediave të huaja.

kosove-serbi

Mediat greke shkruajnë se kryeministri i Kosovës, ka deklaruar se nuk mund të lejojë formimin e Unionit të Komunave Serbe, pa njohjen paraprake de facto nga pala serbe.

Po ashtu, në artikullin e “Protothema.gr”,  thuhet se Kurti ka “theksuar se qeveria e tij nuk do t’i japë një pushtet të tillë një institucioni të vetëqeverisjes lokale’.

Artikulli i plotë

“Në takimin në Bruksel (më 14 shtator) e thashë qartë se nuk mund t’u ofroj kafe pa filxhan. Njohja e parë de facto, sepse korniza ligjore për themelimin e Unionit të Komunave është Kushtetuta e Kosovës dhe jo Kushtetuta e Serbisë”, tha Albin Kurti në një konferencë për media të hënën në Prishtinë.

Kryeministri kosovar tha se Beogradi është kryesisht i interesuar për kompetencat ekzekutive të Unionit të Komunave Serbe, duke theksuar se qeveria e tij nuk do t’i japë një pushtet të tillë një institucioni të vetëqeverisjes lokale.

Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për qëndrimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, duke theksuar se për shumë çështje gjatë negociatave koordinohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Raundi i ri i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës i mbajtur më 14 shtator, në nivelin më të lartë politik, në Bruksel përfundoi pa një marrëveshje.

Të dyja palët nuk arritën të bien dakord për udhërrëfyesin për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë të propozuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme Josep Borel dhe Lajçak.

Propozimi parashihte fillimin nga Prishtina të procesit për themelimin e Unionit të Komunave Serbe, ndërsa në të njëjtën kohë, Beogradi do të fillonte t’i përmbushte obligimet e veta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura