Taçi: S’më vjen turp që kam punuar Enver Hoxhën

May 11, 2011 | 9:21
SHPËRNDAJE

Në jetën e një artisti, ka momente të shumta reflektimi.Ka nga ato momente marrëzie, kur nuk të pëlqen asgjë, kur ke turp nga ato që ke bërë, sepse të duken të shëmtuara, apo të indoktrinuara. Këtë fazë Stefan Taçi e ka kaluar 20 vjet më parë. Tani është në kohën kur ka bërë “paqe” me veten, madje nuk i vjen turp të ekspozojë punimet e tij, që nga ato më naivet, kur ishte 11 vjeç shkruante me shkrim dore, tek kopjimet e fotografive të Enver Hoxhës, apo Leninit, tek heronjtë e imponuar të diktaturës, deri tek ata që i kanë mbijetuar kohërave, si Skënderbeu. “Lindur në diktaturë”, titullohet ekspozita e artistit Stefan Taçi, hapur mbrëmë në galerinë “Kledio”. Janë një seri punësh në vizatim, pikturë, grafikë, terrakotë, skulpturë, të realizuara gjatë viteve 1972-2011. Është marrëdhënia e tij me heronjtë dhe pseudoheronjtë.
Në një ekspozitë të para shumë kohëve ju evokonit Tiranën e fëmijërisë suaj, ndërsa tani i ktheheni kohës së vizatimeve të para, ç’është kjo grishje për të shkuarën?
Nuk është një grishje për t’ia kthyer së shkuarës si nostalgji, por një këndvështrim i parë nga distanca kohore. Një rikthim në të kaluarën tonë, për ta parë me sy të ftohtë, racional, qoftë kritik, qoftë për ta sjellë si dëshmi, pa emocione. Për t’i treguar një brezi të ri që nuk e ka idenë se si kemi jetuar ne, si jemi rritur e edukuar, por edhe si kujtesë për një pjese të bashkëmoshatarëve tanë, për të mos harruar.
Kishte ardhur koha e “hapjes së dosjeve”?

“Vajza reciton përpara Enver Hoxhës”, fragment. Pjesë e diplomës së Stefan Taçit, viti 1986

Kjo “hapja e dosjeve” më ndodhi në një moment interesant, kur isha duke ecur mbi urën e ish-Bllokut, ku shiten libra, dhe pashë dy syresh prej të cilëve kam vizatuar në fëmijërinë time. Bëhet fjalë për një libër të Qemal Stafës, kopertinën e të cilit e kam kopjuar. As sot nuk e di se kush është autori i asaj grafike. Si dhe një libër i Leonardo da Vinçit, i cili më ka rënë në dorë në vitin 1974 dhe për ne ishte një gjë e rrallë të shihnim një libër të ilustruar me vizatimet e tij. Kur pashë këto dy libra, u ktheva pas në kohë dhe thashë, përse të mos ndërtoj një ekspozitë me këto punë që kam bërë qysh i vogël. Mjaftoi ai moment i rastësishëm për të ngjizur këtë ekspozitë, pasi dosjet mund t’i hapësh çdo ditë, pa të shkuar mendja ta bësh një gjë të tillë.
Përse e keni quajtur “I lindur në diktaturë”?
Shumë vetë më kanë pyetur pse ky titull: “I lindur në diktaturë”. Kjo mund të duket provokative. Por, “Të lindurit në diktaturë” nuk është thjeshtë një nocion kohor që tregon se ke lindur në një periudhë të caktuar, por ka të bëjë se si rritesh në atë sistem, si edukohesh, si të imponohen heronjtë apo historia. Me kalimin e kohës kupton se shumë gjëra janë thënë ndryshe nga ç’ishin në të vërtetë. Po të ishim lindur në kohën e demokracisë, nuk do të ishim ne. Shumë të lindur në vitet ’80, apo ’90, nuk e kuptojnë dot mënyrën tonë të të jetuarit. Prandaj ia vlen ta kthesh si dëshmi historike.
Shumë artistëve u ka ndodhur t’i kenë shkatërruar punët e tyre, pasi nuk u kanë pëlqyer, apo u ka ardhur turp.., ju ka ndodhur edhe juve?
Në fillim të viteve ’90, kur kam parë vizatimet e mia, mes të cilave ishte edhe Enver Hoxha, një pjesë e kam grisur, thyer, por në një moment të caktuar m’u kujtua ajo ngjarja e famshme e Bethovenit, i cili pasi u zhgënjye nga Napoleoni, ndryshoi emrin e simfonisë që ia kishte kushtuar atij, duke e quajtur thjesht “Heroike”. Kështu mendova edhe unë, që duke i grisur ato po shkatërroja një pjesë të dëshmisë historike dhe vendosa t’i ruaj, qoftë edhe për veten time, apo për t’i ekspozuar më vonë. Për disa punë të grisura më vjen keq, sepse mbaj mend se mes tyre kishte gjëra të bukura. Dhe kjo ekspozitë le t’u shërbejë njerëzve për t’u thënë, që gjërat që kanë, t’i ruajnë mirë, sepse neve na mungon pak kultura e të arkivuarit dhe jam i mendimit që duhet arkivuar çdo gjë, për të ndërtuar kujtesën. Besoj që kjo ndodh edhe tek shumë artistë të tjerë. Ndoshta ky është një hap i parë që unë po hedh, për të treguar se nuk më vjen turp nga ajo që kam bërë.
Plot 20 vjet nga ky “inkuizicion” i parë, si i shihni sot punët që keni bërë për Enver Hoxhën?
Nuk më vjen turp që kam bërë Enver Hoxhën, madje e kam zgjedhur edhe si temë diplome. Arsyeja pse e kam zgjedhur është jo sepse doja të tregoja ndonjë dashuri të madhe ndaj udhëheqësit, por sepse në një moment të caktuar, Enver Hoxha ishte kthyer në një grackë artistike për artistët. Quhej si shumë i vështirë për t’u bërë dhe kush e arrinte këtë, quhej artist i aftë. Kështu që më së shumti doja të matja aftësitë e mia, të shpalosja çfarë mund të bëja dhe jo të tregoja një afeksion ndaj udhëheqësit. Nuk e mohoj se shumë artistë mund ta kenë bërë për servilizëm, për të treguar devotshmërinë ndaj partisë. Unë nuk kam pasur këtë qëllim dhe, duke e nxjerrë para publikut, jam i sinqertë me të dhe me veten. Pra nuk ka penalizim për atë që ne kemi krijuar qoftë të ndikuar, apo të imponuar. Imagjinoni një fëmijë që rritet në një vend të mbyllur, nën propagandën se jeton në vendin më të lumtur në botë, që botën e kemi kundra, por ne ecim përpara, çfarë mund të dijë më shumë. Ne jemi rritur nën këtë propagandë dhe kjo do të reflektohej në gjithçka që ne mendonim ose bënim. Duke u rritur e duke rënë në kontakt me gjëra të tjera, fillon e dyshon për gjëra të ndryshme, por për shkak të izolimit të plotë, ishte e pamundur të bëje krahasime dhe mendoje që gjithçka që nuk shkonte mirë mund të ndreqej brenda sistemit, por më pas ne e pamë se s’mund të ndreqej diçka që ishte ngritur shtrembër që në fillim, ndaj dhe duhej shembur.
Na tregoni pak për punën e diplomës, cili është fati i saj?
Për punë diplome kisha një ndarje dekorative dhe dy kompozime, por që nuk i kam sot. Tek kompozimi tjetër ishte po Enver Hoxha, por me një vajzë me kostum popullor. Vlerësimi ishte “i shkëlqyer” (qesh). Ishte i realizuar shumë bukur. Drejtuesi i diplomës, Thoma Thomai, e vlerësoi si një nga ndarjet dekorative më të bukura të bëra deri atëherë. Ishte i vendosur në hyrje të Akademisë së Arteve, ndërsa më tej nuk e di se ku përfundoi. Deri në një farë kohe, ka qenë tek muzeu i Akademisë, pastaj pas ’97-ës, nuk u mor vesh më fati i saj.
Si kanë qenë reagimet e njerëzve kur u keni thënë se do të hapnit një ekspozitë të tillë?
Reagimet e para kanë qenë të çuditshme. Shumë njerëz, mes tyre dhe familjarë, kur e morën vesh se do të hapja këtë ekspozitë më thanë: Po ti, çne me Enverin!?”, pa e ditur arsyen pse unë po e bëja një gjë të tillë. Disa i “trembeshin” faktit se mos më merrnin për nostalgjik. Por kjo ka lidhje thjesht me dëshminë historike. Shpresoj që njerëzit të marrin nga kjo ekspozitë atë që unë doja të përçoja.
Një vend të rëndësishëm në ekspozitën tuaj zë Skënderbeu, si ka evoluar njohja juaj mbi të?
Heroi i parë që kam ndeshur kur isha fëmijë, qoftë nga propaganda, apo ajo që shihnim në libra e filma, ishte Skënderbeu. Dy vjet më vonë bëra kompozimin e parë që ishte mbi një betejë të Skënderbeut. Vite më vonë, më 1989, realizova një kompozim në gips për një ekspozitë fundviti, të cilën nuk ma pranuan si moderne, por unë mendoj që ai është brenda skemës se si i shikonim ne heronjtë. Pas rënies së sistemit, e kam trajtuar edhe disa herë të tjera. Në një kompozim të 2005-s, e kam parë në një këndvështrim krejt tjetër. Ne kishim dëgjuar që i thoshin “atlet i Krishtit”, por nuk mund ta jepnim në këtë aspekt përpara viteve ’90. Tanimë kishe mundësi ta shihje si një princ në ambientin e tij të Mesjetës, në sfondin fetar, madje edhe përkrenaren ia kam hequr dhe ai e mban në dorë. Ne gjithnjë mendonim se ai e mbante përkrenaren edhe kur luftonte, por ishte qesharake. Ajo ishte një përkrenare ceremoniale dhe unë e paraqes në një moment betimi. Pra, në periudha të ndryshme, ndryshon dhe mënyra se si ne i shihnim heronjtë. Dhe ky është një këndvështrim i ekspozitës.
Duke parë këto punë, si do ta vlerësonit fëmijërinë tuaj?
Kur flet për fëmijërinë nuk është edhe aq e thjeshtë. Nëse e sheh si nostalgji, ka momente shumë të bukura, nëse e sheh nën trysninë e propagandës, ka momente të hidhura, që sot duken tërësisht absurde. Megjithatë, ka pasur momente shumë të bukura, kemi ëndërruar shumë. Të gjithë ëndërronim të bëheshim si Leonardo apo Mikelanxhelo. Zhgënjimet erdhën pak më vonë, kur kuptuam se jetonim në një vend të vogël, të izoluar, me mundësi të vogla. Por të gjitha këto të regjin pak lëkurën e të bëjnë më racional. Por fëmijëria është një periudhë shumë e rëndësishme e krijimtarisë, jo thjesht për të marrë motive, por për të parë atë sensin e pastërtisë dhe ideales, që asnjëherë nuk humbet nga fëmijëria. Pavarësisht nga sistemi ku jeton, fëmijëria është ajo parajsa e humbur.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura