Sulmi i paprecedent ndaj “Focus Media Group”, Bashkimi Europian mesazh të prerë qeverisë: Gazetarët të mbrohen nga presioni politik

Dec 2, 2022 | 7:24
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI

Parlamenti Europian ka reaguar ashpër për sulmin e paligjshëm në ‘Prestige Resort’, pronë e Presidentit të grupit mediatik “News 24” dhe “Panorama”.

Në përgjigje të një amendamenti të propozuar nga deputeti i opozitës, Gazment Bardhi, në Komitetin Parlamentar të Asociim-Stabilizimit BE-Shqipëri, Parlamenti Europian ka përfshirë në rezolutën përfundimtare një rekomandim, ku i bën thirrje Shqipërisë që të heqë dorë nga dhuna dhe kërcënimet ndaj medias.

Po kështu, Parlamenti Europian u kërkon autoriteteve që të marrin veprime decizive kundër dhunës, intimidimit, fushatave të shpifjes dhe influencës indirekte financiare dhe politike ndaj medias së pavarur dhe gazetarëve. “Beson fuqimisht se liria e shprehjes dhe e medias përfaqësojnë shtyllat kryesore të demokracisë dhe se gazetarët duhet të mbrohen nga presioni politik; vëren me shqetësim, në këtë drejtim, se Shqipëria ka rënë me tetë vende në ‘Indeksin Botëror të Shtypit’ të Reporterëve pa Kufij që nga viti 2018; i kërkon Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet për të garantuar ushtrimin e garantuar të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, pavarësisë dhe pluralizmit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias; bën thirrje veçanërisht për rritjen e transparencës së pronësisë së medias, financimit dhe reklamimit publik; bën thirrje për të siguruar që gazetarët të mund të kryejnë punën e tyre jetike pa padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), kërcënime dhe sulme fizike”, thuhet në rekomandimin e 12 të draftit që Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit, në përputhje me rregullën 3 të Rregullores së tij të Procedurës dhe nenin 122 të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit BE-Shqipëri, i adreson Këshillit të Stabilizim -Asociimit dhe institucioneve të Shqipërisë dhe të BE-së.

Në rekomandimin e 5-të që i është adresuar Këshillit të Stabilizim -Asociimit ShqipëriBE lidhet me vazhdimin e Procesit të Berlinit si nismë për bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Inkurajon Shqipërinë të vazhdojë rolin e saj konstruktiv në zhvillimin dhe kultivimin e bashkëpunimit rajonal dhe rolin e saj aktiv në nismat rajonale, duke nënvizuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes së tyre; përshëndet, në veçanti, tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit nga krerët e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor më 3 nëntor, që do të lehtësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në të gjithë rajonin dhe njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve ; mirëpret heqjen e tarifave të roaming ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor; nxit, në këtë drejtim, të gjitha palët përkatëse të negociojnë një plan që do të çonte në eliminimin përfundimtar të tarifave të roaming midis Shqipërisë dhe të gjithë anëtarëve të BE-së”, thuhet në këtë rekomandim.

REKOMANDIMET E TJERA

Parlamenti Europian ka rekomanduar edhe eliminimin e korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale në nivel të lartë, kritikon PPP dhe sheh me shqetësim rënien e Shqipërisë në indeksin e perceptimit të korrupsionit dhe vlerëson punën e SPAK.

“U kërkon autoriteteve shqiptare të vazhdojnë eliminimin e korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale, veçanërisht në nivel të lartë, nga të gjitha fushat e jetës publike, duke përfshirë nga procedurat e prokurimit publik dhe financimin e partive politike; mirëpret punën e Strukturës së Specializuar për Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përfshirë gjykatat e saj, në trajtimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar; thekson domosdoshmërinë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e drogës; vëren me shqetësim se Shqipëria ka rënë me 27 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International që nga viti 2016”, thuhet në rekomandimin e 11-të.

Po ashtu në pikën 8, Parlamenti Europian rekomandon se: “Nënvizon përgjegjësinë e përbashkët të forcave politike të Shqipërisë për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv politik ndërpartiak dhe brendapartiak, për të mundësuar funksionimin efektiv të institucioneve demokratike të vendit dhe për të vazhduar përmirësimin e qeverisjes, transparencës dhe pluralizmit, duke përfshirë nxitjen e pjesëmarrjes aktive të shoqërisë civile; rikujton, në këtë drejtim, rëndësinë e një qasjeje konsensuale ndaj Reformës Zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias dhe në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të forcuar kulturën parlamentare demokratike të Shqipërisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura