Stadiumi i ri dhe rinovimet e yjeve, por Lautaro tremb/ Zbulohet strategjia dhe plani i pronarëve të rinj

May 25, 2024 | 7:31
SHPËRNDAJE

Herët paradite doli njoftimi zyrtar i “Oaktree” ku sinjalizuan se klubi zikaltër është në duart e tyre, ndërsa pasdite ndodhi takimi i parë me drejtuesit e klubit për të treguar vazhdimësinë.

lautaro

Nga një anë Bepe Marota dhe Alesandro Antonelo që përfaqësonin “gardën e vjetër” të një skuadre që sapo ka festuar titullin kampion dhe në anën tjetër disa prej menaxherëve më të rëndësishëm të fondit amerikan, avokatja britanike Katerin Ralf dhe spanjolli Alehandro Kano. Këta të fundit nuk duan të humbasin kohë dhe që nga komunikata u kuptua që kanë ide të qarta për të ardhmen: Të rrisin sa më shumë Interin.

PLANET- Por si ndodh kjo? Duke rritur të ardhurat komerciale dhe duke u konfirmuar fitues në fushën e lojës për të garantuar stabilitet financiar. Është një arsyetim që e bëjnë ata që kanë plane afatgjata dhe duket se “Oaktree” s’ka asnjë qëllim për ta shitur Interin shpejt.

Në optikën e argumenteve ka fituar terren edhe çështja e stadiumit dhe ndërtimi i një impianti që të jetë i gjithi në pronësi të klubit. Kjo që do të sillte rritje të vlerës dhe një aset të rëndësishëm në pritje të blerësve të rinj. Interi për momentin ka bllokuar zonën e “Rozanos” për të ndërtuar stadiumin deri në 31 janarin e vitit 2025.

Është një zonë që ndodhet mes 2 komunave të Milanos. Në vitin 2023 blerje e atyre tokave kushtonte 850 mijë euro dhe tani janë në pronësinë e Interit. Me marrjen e dritës jeshile për ndërtimin e stadiumit në Rozano dhe në pritje të lajmeve për San Siron, Antonelo ka për detyrë që të nisë punën për të ngritur projektin.

RINOVIMET- Nëse Interi i ri lind nën shenjën e vazhdimësinë ashtu si ai i vjetri, atëherë pronarët e rinj duhet të vazhdojnë linjën e rinovimeve të disa personazheve të rëndësishëm të skuadrës: Lautaro Martinez, Nikolo Barela dhe Simone Inzagi. Nëse për mesfushorin dhe trajnerin rruga është një dishezë, për firmën e kapitenit duhet ende pak punë.

Pavarësisht deklaratave të fundit se palët do të arrijnë marrëveshjen shumë shpejt, argjentinasi ka kërkuar rrogë 12 milionë euro. Diçka që i ka befasuar drejtuesit e Interit, që bisedat deri tani i kishin bërë për 10 milionë. Një lëvizje që mund të bjerë ndesh me politikat që ka klubi për vetëfinancim. Sigurisht që këto ditë do të jenë të ngjeshura dhe me shumë lëvizje në kampin e kampionëve të Italisë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura