ZYRTARE/ Nga elita e futbollit kroat në kampionatin e Kosovës, ish-futbollisti i Skënderbeut prezantohet te… Llapi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2023 | 20:52

ZYRTARE/ Nga elita e futbollit kroat në kampionatin e Kosovës, ish-futbollisti i Skënderbeut prezantohet te… Llapi

Ish-mesfushori i Skënderbeut, Suad Sahiti ka bërë hapa pas në karrierën e tij, teksa është larguar nga skuadra e Sibenikut që militonte në elitën e futbollit kroat, duke u transferuar te Llapi i Podujevës në Superligën e Kosovës.

Sahiti

Futbollisti është prezantuar ditën e sotme me klubin e ri, duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2024. Vlen të theksohet gjithashtu se Sahiti është pjesë edhe e përfaqësueses së Kosovës.

NJOFTIMI ZYRTAR:

Mirësevjen Suad Sahiti 

Ish-reprezentuesi i Kosovës, Suad Sahiti nënshkruan për 1 vit e gjysmë me Llapin 

Klubi futbollistik Llapi njofton se Suad Sahiti është përforcimi më i ri i Llapit. 28-vjeçari ka firmosur sot kontratën që e mban lidhur me klubin deri në verën e vitit 2024. Pas disa ditëve negociata me futbollistin, gjatë ditës së sotme është arritur marrëveshja finale për nënshkrimin e kontratës 1 vjeçare e gjysmë.

Sulmuesi i djathtë ka eksperiencë të pasur në Greqi, Bullgari, Poloni e së fundmi në Kroaci, ku ishte pjesë e skuadrës së Sibenikut. Sahiti në vitin 2014 iu bashkua skuadrës së Rabotniçkit në Maqedoni, kurse tri vite më pas u transferua në Shqipëri tek Skënderbeu.

Pas një edicioni, sulmuesi i djathtë u transferua tek AE Larisa në Greqi, kurse karrierën e ka vazhduar edhe tek Semptevri Sofia (Bullgari) dhe Wisla Plock (Poloni).  Nga edicioni 2020/21, Sahiti luajti për Sibenikun në Kroaci kurse nga sot do i mbroj ngjyrat e KF Llapi.  Suadit i dëshirojmë mirëseardhje dhe suksese me ngjyrat bardhekaltër të KF Llapi. 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"