Zbardhen planet e Shkumbinit, baza do të jenë… peqinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2013 | 13:02

Zbardhen planet e Shkumbinit, baza do të jenë… peqinasit

Shkumbini-Tomori 2-1Që prej më shumë se dy javësh, skuadra e Shkumbinit stërvitet nga trajneri i dytë Klodian Dervishi, i cili gjatë ndeshjeve të zhvilluara ndaj Laçit dhe Tomorit i ka dhënë udhëzimet skuadrës nga tribuna për shkak të pezullimit. Duke analizuar situatën në të cilën ndodhen peqinasit, ndërsa ndihet që në sezonin e ardhshëm Shkumbini do të luajë në Kategorinë e Parë, Dervishi shprehet për gazetën se klubi do të ruajë boshtin e ekipit, duke u bazuar te elementi i ri vendës. “Gjatë këtij sezoni pjesë e projektit të klubit tonë ka qenë pa dyshim aktivizimi i elementit të ri, që ka dalë nga ekipet zinxhir dhe sigurisht që kjo ka pasur anët e vet pozitive dhe negative. Ana pozitive është fakti që futbollistët e rinj janë angazhuar në skuadër, pasi ne shohim tek ata të ardhmen e Shkumbinit dhe deri-diku paraqitjet e tyre kanë qenë relativisht të kënaqshme. Ndërsa ana negative ka qenë fakti që në disa ndeshje vendimtare ka rënë në sy mungesa e përvojës së tyre, çka ka shtuar presionin te futbollistët e rinj, të cilët nuk janë shprehur siç duhet. Gjithsesi, nuk është faji i tyre që Shkumbini ka rënë një kategori më poshtë, pasi ne u ndëshkuam nga pazaret që bënë klubet e tjera në kurriz të Shkumbinit dhe, për këtë, shpresojmë që drejtësia një ditë do të vendoset në vend. Në sezonin e ri ne do kërkojmë një përfaqësim dinjitoz dhe sigurisht që objektiv do të kemi ringritjen e Shkumbinit në elitën e futbollit. Sa i takon skuadrës, ne kemi plan që të ruajmë boshtin aktual të saj, duke u bazuar tek elementi vendës, por sigurisht që shpresojmë që të krijojmë një skuadër kompetitive”, – përfundon Dervishi.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"