Sulmuesi i Kukësit, Salami: Rrugëtim fantastik, luajmë gjithçka për Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 17:54

Sulmuesi i Kukësit, Salami: Rrugëtim fantastik, luajmë gjithçka për Kupën

Ndonëse në Kupën e Shqipërisë nuk shënoi asnjë gol përgjatë pesë ndeshjeve të luajtura, Gbolahan Salami është “ylli” i këtij Kukësi. Nigeriani i afruar në merkaton e verës u kthye në liderin e bluve në fazën e avancuar, duke qenë rreziku numër një për çdo kundërshtar. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, 22-vjeçari rrëfen emocionet e kalimit në finale të Kupës, me synimin për ta fituar atë.

SALAMI

Në 90-të minuta Kukësi do të japë shpirtin në fushë dhe ta mbyllë vitin me trofe, ndonëse nga ana tjetër i vjen keq për situatën në kampionat. Për Salamin kanë vërshuar ofertat në merkato, brenda dhe jashtë vendit, por Kukësi deri tani e mban fort, ndërsa vetë sulmuesi preferon të mor flasë për këtë situatë para mbylljes së sezonit.

Sa i kënaqur jeni me arritjen në finalen e Kupës?

Normalisht që jam shumë i lumtur së bashku me të gjithë ekipin që arritëm në ndeshjen finale të Kupës. Është një moment i mrekullueshëm për ne. E prisnit të dilnit në finale? Po. E them këtë, sepse kemi bërë gjithnjë paraqitje dhe ndeshje të mira, edhe pse klubi nuk ka qenë në maksimumin e tij.

Do të përballeni me Egnatian në finale, si e shihni?

Mund të them që nuk do të jetë e lehtë. Por unë besoj se është vetëm një ndeshje, 90 minuta dhe ne do të japim gjithçka për të fituar Kupën.

Do të ishit më i lumtur nëse do të kishit Vllazninë përballë?

Nuk më intereson me kë luajmë tani. Ne këtë sezon jemi përballur me të gjithë në kampionat dhe nuk ka të bëjë me faktin se cilin do të kishim përballë, Vllazninë apo Egnatian. E gjitha ka të bëjë me fitimin e Kupës.

Sa shanse ka tani Kukësi për të fituar këtë trofe?

Ne kemi të gjitha shanset për të fituar. Është e gjitha në duart tona.

Ndërkohë, në kampionat po bini nga kategoria. Ju vjen keq?

Po, nuk ia dolëm dot, sepse humbëm shumë pikë në kampionat. Normalisht që u ndjeva keq, por kjo është pjesë e rrugëtimit.

Çfarë do të synoni në ndeshjen me Teutën?

Nuk kemi asgjë për të humbur, vetëm duhet të çlirojmë zemrat tona dhe të luajmë lirshëm kundër Teutës. Të na shërbejnë këto ndeshje për të qenë gati për finalen e Kupës.

Kampionati po përfundon, ku do të vazhdojë e ardhmja juaj?

Nuk mund të them gjë tani. Gjithçka është në pritje deri në përfundimin e sezonit.

Sa i kënaqur jeni nga pikëpamja personale për sezonin që keni bërë?

Epo, ishte një sezon i mrekullueshëm, edhe pse ne nuk arritëm të përmbushnim pritshmëritë tona. Personalisht mendoj se kam krijuar njëfarë ndërgjegjësimi edhe në ligën e Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"