Mario Rabiu: Mundim Erzenin dhe sigurojmë qëndrimin në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 19:20

Mario Rabiu: Mundim Erzenin dhe sigurojmë qëndrimin në elitë

Ndeshja e radhës ndaj Erzenit është shumë e rëndësishme për sezonin e korçarëve. Ata e dinë shumë mirë këtë gjë dhe po përgatiten shumë seriozisht për të marrë pikët maksimale në shtëpi. Me një trepikësh të mundshëm Skënderbeu mbyll llogaritë e mbijetesës në Superiore, ndaj dhe për të qenë sa më të qetë në kampin bardhekuq e duan të fituar këtë takim.

Mario-Rabiu

I këtij mendimi është edhe Mario Rabiu, mesfushori nigerian që po tregon vlera këtë sezon të parë me Skënderbeun. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Rabiu flet për ndeshjen e së shtunës dhe rëndësinë e saj në këtë pikë delikate të kampionatit. “Pas fitores me Kukësin, që ishte shumë i rëndësishme për ne, vjen një tjetër ndeshje e vështirë. Luajmë në shtëpi përballë Erzenit dhe me anë të kësaj ndeshjeje mund të siguruar matematikisht qëndrimin në Superiore. Për këtë arsye e kemi vlerësuar shumë këtë 90-minutësh. Duam të shmangim surprizat për të mos e komplikuar situatën më tej.

Kemi bërë një sezon pozitiv deri në këtë pikë ku ndodhemi dhe në ndeshjet e mbetura do të kërkojmë të marrim sa më shumë pikë, duke nisur nga Erzeni. Është gjithçka e hapur, ndaj do të tentojmë të kapim maksimumin, sepse vërtet kemi potencialin për ta synuar një gjë të tillë. Le ta nisim me një fitore në ndeshjen e së shtunës me Erzenin dhe më pas të bëjmë llogaritë e këtij kampionati”, tha fillimisht mesfushori i Skënderbeut.

AMBICIET – I ndalur më pas tek ambiciet në aspektin personal, Rabiu është shprehur i kënaqur me zgjedhjen e bërë, pasi te Skënderbeu ka pasur mundësinë të luajë rregullisht dhe të tregojë vlerat e tij. Nigeriani nuk e fsheh se kalimi te një ekip cilësor të një kampionati më të fortë se ai shqiptar mbetet dëshira kryesore. “Kur mbërrita në Korçë e dija që do të ishte një rinisje në aspektin personal, ndaj vendosa të jem pjesë e këtij ekipi. Është një ambient shumë pozitiv që ta bën më të lehtë përshtatjen dhe mbi të gjitha të lejon të jesh i qetë për të shprehur vlerat. Kjo më ka lënë një përshtypje shumë të mirë.

Ndjehem mirë këtu dhe të jem i sinqertë dua ta shfrytëzoj në maksimum këtë mundësi që më jep Skënderbeu. E ardhmja është diçka që nuk mund ta parashikojmë, ambiciet shkojnë larg, por gjithçka ja lëmë në dorë kohës dhe Zotit. Do të jap gjithnjë maksimumin, pasi kam një pikësynim final. Shpresoj të arrij atë që dua dhe të jem sërish në elitën e futbollit” ka përfunduar mesfushori i Skënderbeut. Korçarët kanë të shtunën mundësinë për fitoren e dytë radhazi, pas asaj me Kukësin në transfertë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"