“Ylli” i ekipit shpreson për pikët e para të 2024-ës, Salami: Kam ende për t’i dhënë Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 10:10

“Ylli” i ekipit shpreson për pikët e para të 2024-ës, Salami: Kam ende për t’i dhënë Kukësit

Te Kukësi është ngritur shumë morali pas asaj fitoreje në kupë ndaj Partizanit, që solli kualifikimin në gjysmëfinale. Në kampin blu e shohin këtë moment si një “asist” për kampionatin, aty ku nuk e kanë shijuar ende pikën e parë për këtë vit.

Mustafa Salami duke festuar golin kundër Partizanit

Mustafa Salami duke festuar golin kundër Partizanit

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ylli i Kukësit për këtë sezon, Gbolahan Salami, pohon se avancimi në kupë ishte një moment që nuk mund të harrohet. “Kualifikimi në kupë ishte një moment fantastik. Nuk mund të harrohet ai kalim në gjysmëfinale. Megjithatë, tani duhet të mendojmë për kampionatin, ku nuk po kalojmë moment të mirë. Nuk do të dorëzohemi deri në fund, janë edhe 10 ndeshje të tjera për t’u luajtur dhe ka ende pikë në lojë”, u shpreh fillimisht 22-vjeçari.

LAÇI –Të hënën Kukësi do të presë Laçin në shtëpi, në një ndeshje që konsiderohet si një finale, pasi një fitore mund të mbajë shpresat gjallë për mbijetesë. Salami ka besim për këtë sfidë: “Besoj tek aftësitë që ka ekipi ynë për t’ia dalë. Të gjithë kemi besim se gjërat do të ndryshojnë dhe do të marrim maksimumin. Po punojmë që të largohemi sa më parë nga zona e rënies”, vijoi më tej sulmuesi i krahut, një pikë referimi për Kukësin.

SYNIMET –Salami deri tani ka shënuar 4 gola për Kukësin në kampionat dhe ka asistuar për shokët e skuadrës. Ndaj tij nuk kanë munguar ofertat nga jashtë vendit, por Kukësi i ka bërë “bllok”, pasi e sheh të rëndësishëm për skuadrën. Salami thekson se ka ende për të dhënë nga potenciali i tij. “Do të jap maksimumin në çdo ndeshje. Ka ende kampionat dhe do të tregoj vlerat e mia”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën sulmuesi i Kukësit. Edhe në ndeshjen e kupës me Partizanin ishte pikërisht nigeriani që dha asistin për Hasajn, i cili shënoi golin, duke i hapur rrugën skuadrës të shkonte në gjysmëfinale. Tani pritet që këto paraqitje të ndodhin edhe në kampionat.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"