Trajneri Bellai: Bylisi duhet të ruhet, vlonjatët mund të surprizojnë edhe në shtëpinë tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 10:17

Trajneri Bellai: Bylisi duhet të ruhet, vlonjatët mund të surprizojnë edhe në shtëpinë tonë

Bylisi ka realizuar prej dy javësh rikthimin në Superiore, e ndërsa sot, në  orën 15:00 do të presë Flamurtarin e vendit të tretë në Ballsh. Trajneri Arian Bellai, ka folur në prononcimin para ndeshjes për “Panorama Sport”, dhe sipas tij skuadra do të kërkojë të rikthehet te fitorja në takimin me vlonjatët.

BELLAI

Bellai, si është situata në skuadrën tuaj para sfidës me Flamurtarin? 

Vijmë në këtë ndeshje pas një humbje, të cilën e kemi harruar sepse i kemi kushtuar më shumë rëndësi kësaj përballje në shtëpi. Por, natyrisht që e kemi analizuar dhe disfatën në Fier për të nxjerrë mësime në kuadër të vazhdimësisë.

Në tri javët e mbetura luani me Flamurtarin, Vorën dhe Elbasanin, rivalë në këtë sezon…

Po, bazuar në statistika dhe sfidat që kemi zhvilluar kemi rezultate pozitive dhe fitore me ekipet rivale, duke mundur si Flamurtarin në Ballsh dhe Vlorë ashtu edhe Vorën apo dhe Lushnjën, ndërsa me Elbasanin kemi barazuar. Kështu që, edhe me Flamurtarin do të kërkojmë të vazhdojmë këtë traditë me ekipet rivale të këtij sezoni.

Besoni se do të triumfoni për herë të tretë me vlonjatët këtë sezon?

Janë ndeshje që ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Madje, Flamurtari ka pasur një ekip nga më cilësorët dhe nga më të investuarit këtë sezon. Ajo që dua të shtoj, është se ka bërë ndeshje të mira në transfertë dhe në shtëpi. Kështu që, duhet që t’i ruhemi ndonjë surprize të tyre. Ne luajmë në fushën tonë dhe na duhet fitorja edhe për ato synime që ne kemi.

Prej fazës së dytë keni aktivizuar edhe disa të rinj, cilat janë politikat e klubit në këtë aspekt?

Është e vërtetë që kemi disa elementë të talentuar, por i kemi aktivizuar gradualisht pasi kishim një objektiv madhor për të realizuar, marrjen e pikëve dhe ngjitjen në Superiore. Normalisht tashmë që objektivi është realizuar, do të ketë më shumë hapësira në takimet e mbetura për ta, duke kërkuar njëkohësisht edhe rezultatin dhe duke përfituar edhe nga lojtarët me eksperiencë.

Një fakt domethënës, që Bylisi si rrallë ekipe nuk ka asnjë humbje, madje ka një ecuri perfekte në shtëpi.

Nuk është skuadër fushe, por ndoshta këtu luajmë më të qetë edhe për atë se kemi tifozët tanë, por edhe fusha është në gjendje mjaft të mirë. Kemi qenë gjithmonë në “piacë” që kur ka nisur gara e deri më sot kur kanë mbetur edhe 270 minuta nga fundi i kampionatit.

 

BYLIS

Formacioni i mundshëm:

Në portë: Beqaj;

Në mbrojtje: Trumçi, Abazaj, Peralta, Përndreca;

Në mesfushë: Kasaj, Maçolli (Buraneli), Lajthia, Ruçi;

Në sulm: Emini, Xheferson (Akibu);

Trajner: Arian Bellai

SKEMA: 4-4-2

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"