“Keqardhje për krahinën e jugut, asnjë ekip në Superiore”. Memushi apel lojtarëve: Tregoni që jemi Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 9:12

“Keqardhje për krahinën e jugut, asnjë ekip në Superiore”. Memushi apel lojtarëve: Tregoni që jemi Flamurtari

Eqerem Memushi nuk i druhet Bylisit. Kundërshtarët i cilëson të gjithë të barabartë dhe në Ballsh kërkon vazhdimësinë e skuadrës së tij e cila ka marrë 3 fitore dhe katër barazime në ndeshjet e fundit.

eqerem memushi

Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat nuk e shikon aspak të vështirë transfertën e radhës e cila do të luhet sot në orën 15:00 në “Adush Muça”, por e shqetëson vetëm ngërçi që ekipi kalon në shtëpi. “Kundërshtarët janë të gjithë të vështirë. Ne presim që skuadra të ketë vazhdimësinë. Të vazhdojmë siç kemi vijuar në këto javët e fundit. Të tregojmë që ne mund të luajmë në çdo fushë. Nuk ka fusha të vështira. Ne luajmë njëlloj dhe këtë e them sinqerisht.

Skuadra shprehet njëlloj qoftë në Vlorë, qoftë jashtë fushës sonë. Por po të shikosh, problemet më të mëdha i kemi hasur në fushën tonë. Kemi pasur një ngërç që… Pavarësisht një loje të bukur me Elbasanin, bëmë spektakël, i kënaqëm sportdashësit, por sërish morëm barazimin. Është barazimi i tretë radhazi që bëjmë në fushën tonë. Kjo situatë duhet të ndryshojë”, shprehet fillimisht Memushi.

KËSHILLA – Një këshillë të drejtpërdrejtë për futbollistët e ka. Thotë së duhet të tregojnë se janë Flamurtari dhe se meritojmë finalen që i çon në Superiore. “Ata duhet të tregojnë se ne jemi Flamurtari. Ne jemi skuadra që po përgatitemi fortë për “play off”-in. Unë e kam thënë që në fund fare e meritojmë edhe nga klasifikimi që jemi të tretët. Meritojmë edhe “play off”-in e madh që ta luajmë me skuadrën elitare”, thotë trajneri.

RIKTHIMI – Eqerem Memushi ka drejtuar Bylisin në sezonin 2016-2017. Rikthimi në Ballsh i ngjall emocione, ndërsa thotë se aty ka shumë miq. “Pa diskutim që i kemi emocionet. Ballshin pothuajse e kemi njëlloj si Vlora. Kemi kaluar shumë bukur. Kemi marrëdhënie shumë të mira. Jemi ndarë në mënyrën më të shkëlqyer sa herë kemi punuar. I kemi miqtë tanë. I uroj suksese dhe Bylisit që është një nga skuadrat që ngjitet në Superiore. Pse mos t’i bashkangjitemi dhe ne. Bëhen dy skuadra të një krahine këtej. Përfaqësojnë futbollin e krahinës sonë në një kategori më të lartë, në Superiore”, shprehet Memushi.

KEQARDHJA – Në fundin e intervistës, trajneri i Flamurtarit shpreh edhe keqardhjen, që për momentin asnjë skuadër nga jugu i Shqipërisë nuk është në Superiore. “Është shumë shqetësuese që krahina jonë, jugu i vendit nuk përfaqësohet në Superiore. Dje, (pardje) kam ndjekur edhe ndeshjen Luftëtari-Pogradeci. Isha i bindur se Luftëtari do t’i bashkohej Kategorisë së Parë. Më vjen shumë keq për investimet që kanë bërë. Ju uroj që të kthehen sa më shpejt”, përfundon Eqerem Memushi për gazetën.

FLAMURTARI

Formacioni i mundshëm:

Në portë: Teqja;

Në mbrojtje: Beqja, Deliaj, Sidibe, Frashëri;

Në mesfushë: Kriviçiç, Batha, P.Pjeshka, Oliveira;

Në sulm: La Torre, Leshi;

Trajner: Eqerem Memushi

SKEMA: 4-4-2

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"