BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja “dërrmon” Tiranën, Vllaznia mund Teutën në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 9:36

BASKETBOLL MESHKUJ/ Besëlidhja “dërrmon” Tiranën, Vllaznia mund Teutën në Shkodër

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj vijon me ndeshjet e “play off”-it, teksa në fundjavë janë zhvilluar edhe gjysmëfinalet e dyta. Besëlidhja ka bërë një tjetër hap drejt finaleve, teksa ka fituar sërish ndaj Tiranës, ndërsa Vllaznia ka barazuar serinë kundër Teutës.

beselidhja tirana basket

TIRANA-BESËLIDHJA – Lezhjanët vijojnë me paraqitjet e shkëlqyera në një kampionat rekordesh, ku qëndrojnë të pamposhtur. Ndryshe nga gjysmëfinalja e parë në “Asllan Rusi”, e cila ishte me rivalet, takimi i dytë i zhvilluar të shtunën në “Farie Hoti” foli tërësisht për Besëlidhjen. Skuadra e Afrim Bilalit u shfaq dominuese në parketin e kampionëve në fuqi, duke e shkatërruar Tiranën me rezultatin 63-89. Ekipi verior ishte superior në të katërta periodat, duke e thelluar avantazhin në mënyrë konstante. Miqtë u treguan që në fillim më kërkues, duke i mbyllur 10 minutat e para me avantazhin 17-22. Edhe në çerekun e dytë Besëlidhja vijoi të komandojë, duke e marrë periodën 18-27, për të shkuar në pushimin e madh me epërsinë 35-49 në shifra të përgjithshme. Pjesa e dytë nuk ndryshon asgjë, teksa miqtë fitojnë edhe dy periodat e mbetura 17-25 dhe 11- 15, duke vulosur suksesin me 26 diferencë.

Njeriu i ndeshjes ishte Julian Hamati, lojtari më i mirë i kampionatit të kaluar me ngjyrat e Tiranës, i cili tashmë po i sposton ekuilibrat në favor të skuadrës lezhjane. Hamati e ndëshkoi ish ekipin e tij me 25 pikë, 13 kërcime dhe 4 asistime. Për bardheblutë rendimentin më të lartë e kishte Gerard Davis me 22 pikë. Më 1 maj në “Asllan Rusi” do të jetë radha për gjysmëfinalen e tretë, me Besëlidhjen që është vetëm një fitore larg kalimit në finale.

VLLAZNIA-TEUTA – Pasi ishte mundur me 30 pikë diferencë vetëm pak ditë më parë në Durrës, Vllaznia arriti të reagonte, duke fituar gjysmëfinalen e dytë në shtëpi kundër Teutës. Shkodranët triumfuam me rezultatin 86- 81 në takimin e mbrëmjes së djeshme në “Qazim Dervishi”. Një sfidë e luftuar, në të cilën Vllaznia u tregua më e saktë, për të vendosur baraspeshën 1-1 në serinë e gjysmëfinaleve. Vendësit e nisën më mirë, duke fituar periodën e parë 23- 18, ndërsa Teuta mori minimalisht çerekun e dytë 19-20, me ekipet që shkuan në pushimin e madh në shifrat 42-38 në favor të kuqebluve. Skuadra e Damian Bekteshit e menaxhon mirë periodën e tretë, duke e fituar 18-16, për të kryesuar 60-54 pas 30 minutash. Megjithatë, durrsakët nuk dorëzohen dhe provojnë të rikuperojnë, madje ia arrijnë edhe të përmbysin duke kaluar në epërsi 67-69 kur kishin mbetur edhe 5 minuta lojë.

Gjithsesi, Vllaznia arrin ta rimarrë avantazhin, me periodën e katërt që mbyllet 26-25 për miqtë, por në shifra të përgjithshme fitojnë shkodranët me 5 pikë diferencë. MVP u shpall amerikani Saab, autor i 37 pikëve, 7 kërcimeve dhe 7 asistimeve për Vllazninë. Për Teutën nuk mjaftuan Bacon me 32 pikë e 9 kërcime, si dhe Lawani me 23 pikë e 16 kërcime. Tashmë gjysmëfinalja e tretë zhvendoset në Durrës, me skuadrën e Nikola Milatoviçit që ka avantazhin e fushës në këtë seri, për shkak të renditjes më të mirë në sezonin e rregullt.

SKE

kale

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"