VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani nuk vdes kurrë, thyen Tiranën në frymën e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 9:25

VOLEJBOLL MESHKUJ/ Partizani nuk vdes kurrë, thyen Tiranën në frymën e fundit

Partizani ka fituar fi nalen e tretë të Su perligës së volejbollit të meshkujve, duke thyer Tiranën pas një beteje dramatike në Farkë, për ta ngushtuar serinë në 2-1. Raundi i tretë i derbit ishte një spektakël i vërtetë, një sfidë për infarkt, ndërsa në fund triumfi shkoi për të kuqtë me rezultatin 3- 2, pas një përballje që zgjati 2 orë e 34 minuta. Një sukses që e mban në garë Partizanin, me Tiranën që nga ana tjetër nuk arrin ta shfrytëzojë “bonusin” e parë për të mbyllur llogaritë e titullit.

partizani tirana volej

NDESHJA – Finalja e tretë startoi me tri pikët e para në favor të Tiranës, por Partizani reagoi shpejt duke kaluar në avantazh, për ta fituar setin e parë 25-21. Të kuqtë e udhëheqin thuajse gjatë të gjithë kohës edhe setin e dytë, teksa e fitojnë 25-23. Por bardheblutë tjetërsohen me rikthimin në parket dhe arrijnë ta fitojnë setin e tretë 21-25, duke ngushtuar në 2-1. Në setin e katërt, Partizani shkëputet deri në 4 pikë në shifrat 11-7, por më pas kampionët në fuqi e marrin lojën në kontroll, duke përmbysur, për të fituar 22-25, duke e çuar takimin me set final. Ndonëse diferencat janë të ngushta, seti i pestë sheh Tiranën vazhdimisht në avantazh, madje duke pasur edhe shansin e pikës së ndeshjes dhe të titullit, teksa kryesonte 13-14.

Por kur ishin “buzë greminës”, të kuqtë gjejnë forcë për të reaguar, ndërsa janë dy lojtarët vendorë që e nxjerrin ekipin nga situata. Raul Sabliqi me dy blloqe fituese dhe në fund Osman Qepa, përmbysin në 16-14, duke i dhënë fitoren Partizanit. Ndërsa FSHV duhet ta “mbulojë” trofeun, pasi një seri e tillë finalesh emocionuese nuk meritonte të mbyllej me vetëm 3 derbi. Braziliani Coutinho me 22 pikë ishte shënuesi më i mirë për Partizanin, mbështetur nga Sabliqi me 18 dhe Qepa me 15. Për bardheblutë nuk mjaftoi dyshja Ledion Martiro – Oforah, me kapitenin që realizoi 26 pikë, ndërsa nigeriani 23.

TOMORRI: TREGUAM KARAKTER

Trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri përgëzoi skuadrën e tij, ndërsa shprehu keqardhje për mungesën e tifozëve të kuq: “Falënderoj lojtarët e mi për gjithçka dhanë në fushë, duke treguar karakter të fortë dhe që besuan deri në fund. Gjithashtu, i përgëzoj edhe lojtarët e Tiranës për temperamentin, për nivelin dhe lojën e tyre. Në këto ndeshje me nivel kaq të lartë më vjen vërtet keq që mungon publiku, me këto lëvizjet e sallave. Edhe pse ne ishim pritës, Tirana na mbyti me tifozët. Megjithatë, ne do të bëjmë punën tonë deri në fund dhe nuk dorëzohemi. Tirana e di se çfarë humb, ndërsa ne nuk e dimë se çfarë fitojmë”, deklaroi Tomorri.

SAKO: MENDUAM SE DOLËM KAMPIONË

Nga ana tjetër, trajneri i Tiranës, Arben Sako, u shpreh se ekipi e tij mendoi se e fitoi titullin para kohe, megjithatë theksoi se bardheblutë do t’i korrigjojnë shpejt gabimet. “Këto finale janë 50 me 50 dhe fiton kush gabon më pak. Ne u futëm në lojë në setin e tretë dhe të katërt, duke menduar që kishim dalë kampionë, por titulli fitohet me topin e fundit. Megjithatë, ne do t’u rikthehemi menjëherë stërvitjeve për të korrigjuar defektet dhe për t’u futur në ndeshjen tjetër për ta fituar. Nuk e menaxhuam mirë bllokun dhe mbrojtjen, nuk ishim në ditën tonë, por në ndeshjen tjetër do të shikoni një Tiranë tjetër”, u shpreh Sako për “Rtsh Sport”. Më 1 maj në orën 19:00 në sallën “Feti Borova” do të jetë radha e Finales 4.

pae

kal

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"