“Shpresoj që me Bylisin të luhet në stadium elitar”. Nga të pezulluarit te finalja, Dede zbërthen Elbasanin para Vorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 9:03

“Shpresoj që me Bylisin të luhet në stadium elitar”. Nga të pezulluarit te finalja, Dede zbërthen Elbasanin para Vorës

Elbasani pret një tjetër fitore sot,  ora 18:00, në mënyrë që të ruajë diferencën nga Bylisi dhe t’i afrohet gjithnjë e më shumë titullit kampion. Me 4 mungesa të deklaruara, Hila e Karakaçi të pezulluar, Telushi i dëmtuar dhe Bobi me kartonë, Trajneri Nevil Dede shpreson të vijojë me ecurinë pozitive me skuadrën e tij.

dede

Në intervistën për “Panorama Sport” para kësaj sfide, Dede pohon se vendi i parë është me meritë dhe do dinë ta ruajnë deri në fund. Ai jep edhe një opinion personal sa i përket finales me Bylisin, si dhe për pezullimin e Hilës dhe Karakaçit.

Si vjen skuadra para ndeshjes me Vorën?

Synimet tona që në fillim të sezonit diheshin nga te gjithë dhe që po bëhen realitet. Gara nuk ka mbaruar, sepse janë edhe tri ndeshje shumë delikate për ne. Kemi disa mungesa të rëndësishme, por ekipi tregoi edhe ndeshjen e fundit që ka forcën dhe kapacitetet e duhura për të zëvendësuar çdo mungesë. Me Flamurtarin besoj se ishte një duel në nivel “Kategorie Superiore” dhe djemtë treguan çfarë dinë të bëjnë.

Tri ndeshje nga fundi, tri pikë diferencë me Bylisin, por asgjë nuk ka mbaruar. Sa besim keni që nuk do e lëshoni këtë pozicion?

Vendi i parë është i merituar, besoj se ekipi do e mbajë deri në fund.

Flitet se ndeshja me Bylisin mund të luhet në Elbasan, keni ndonjë dëshirë apo koment për këtë gjë?

Mendimi im për këtë është personal dhe askush s’dua të më keqkuptojë.  Shpresoj që me Bylisin, si ndeshja e fundit, të luhet në Elbasan, në një stadium elitar, me sa më shumë tifozë. Futbolli luhet për të kënaqur njerëzit, prandaj sa më shumë njerëz në stadium aq më mirë.

Edhe pse ndoshta është herët, a do të ketë Elbasani i Superiores shumë ndryshime nga ky aktuali në përbërje?

Filozofia do të jetë e njëjtë. Derisa ky vit ishte i suksesshëm, ashtu do vazhdohet me shpresë te Zoti dhe te mbështetja pa limit e presidentit tonë, bashkë me grupin e tij të ngushtë.

Sa do të vazhdojë pezullimi i Hilës dhe Karakaçit dhe sa punë i prish skuadrës mungesa e tyre?

Veprimi i Karakaçit dhe Hilës, për mua ishte një zhgënjim i madh, pikërisht para ndeshjes vendimtare me Flamurtarin. Sa zgjat?! Duhet të pyesni drejtuesit administrativ të skuadrës. Jam i bindur se të dy djemve u mungon ekipi, si dhe skuadrës i mungojnë ata… Por, mua më shumë më prish punë mendimi se a mund të mbështetemi përsëri tek ata…

 

ELBASANI

Formacioni i mundshëm:

Në portë: Totoshi;

Në mbrojtje: Fernandesh, Zaimi, Pere, K. Kasa;

Në mesfushë: A. Kasa, Hasani, Lila;

Në sulm: Melo, Greca, Lleshi;

Trajner: Nevil Dede

SKEMA: 4–3-3

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"