Dinamo në “filtër”, priten largime të shumta nga klubi blu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2024 | 10:40

Dinamo në “filtër”, priten largime të shumta nga klubi blu

Deri në fund të muajit maj Dinamo do të kalojë në një “filtër”, që do të bëjë “krehjen” e grupit aktual të futbollistëve.

DINAMO STERVITJE

Klubi ka në plan të mbajë një pjesë të mirë të lojtarëve, të cilët janë nën kontratë dhe e kanë justifikuar fanellën blu gjatë sezonit blu. Me të tjerët situata ndryshon dhe gjasat janë që largimet nga kryeqytetasit të jenë të konsiderueshme. Përveç atyre që u përfundon kontrata në fund të këtij muaji dhe nuk kanë rinovuar, pritet që edhe disa emra me peshë në futbollin shqiptar të shkëpusin marrëdhëniet me Dinamon. Në këtë grup bëjnë pjesë disa lojtarë, mes tyre edhe portieri Bekim Rexhepi dhe sulmuesi Lorenco Vila, ndërsa numri i saktë do të mësohet në vazhdim.

REXHEPI Bekim Rexhepi erdhi në Dinamo në verë, me statusin e portierit kampion në fuqi me Partizanin, nga i cili ishte larguar. Por “gardiani” luajti vetëm një fazë kampionati, kur Dinamon e drejtonte trajneri Luixhi Di Biaxho. Me ndryshimin e stafit teknik dhe ardhjen e Dritan Mehmetit, mes shtyllave luajti Edmir Sali. Vlonjati nuk e lëshoi vendin e titullarit deri në fund. Në kushte aktuale, as Dinamos dhe as Rexhepit nuk u intereson që ta vazhdojnë bashkëpunimin në këto kushte. Klubi nuk mund të paguajë kosto të lartë për një portier stoli, kurse vetë Rexhepit i intereson të luajë rregullisht. Me shumë mundësi, në fund të majit rrugët mes palëve do të ndahen.

VILA- Drejt largimit nga blutë është edhe Lorenco Vila. Sulmuesi durrsak erdhi në verë te Dinamo dhe në atë kohë u konsiderua si lëvizja më e rëndësishme e merkatos së Superiores. Në fund të kampionatit llogaritë në klubin kryeqytetas, rendimenti i Vilës është larg asaj që pritej dhe duket se drejtuesit e Dinamos nuk e kanë në plane lojtarin në fjalë për sezonin e ardhshëm. Vila është aktivizuar në 31 ndeshje sezonin që përfundoi dhe ka shënuar 6 gola. Ai është golashënuesi i tretë më i mirë i bluve, pas Kaçorrit dhe Denisonit.

TË TJERËT – Lista e largimeve nga Dinamo me siguri do të zgjatet deri më 31 maj. Rexhepit dhe Vilës dot’u shtohen emrat e Behiratçes, Markut dhe Bardhit, të cilëve u përfundon kontrata dhe nuk do të jenë më pjesë e bluve. Danaj, që ka qenë i dëmtuar pjesë më të madhe të sezonit, pritet gjithashtu të mbyllë bashkëpunimin me kryeqytetasit, ndërsa pozicioni i lojtarëve të tjerë nën kontratë mbetet për t’u parë, pasi ka disa prej tyre që janë në dyshim. Fundi i majit do të saktësojë shumë gjëra. Klubi ndërkohë ka nisur punën për të sjellë në skuadër ata elementë që i duhen Dinamos për të sezon me synime madhore, jo thjesht qëndrimin në Superiore.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"