Pikantet e Tirana-Partizani/ Arbitrat sulmohen nga tifozët, shfryn Abazaj! Lulaj e mbyll me qepje në kokë, dy tifozeritë rrihen rrugëve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 23:53

Pikantet e Tirana-Partizani/ Arbitrat sulmohen nga tifozët, shfryn Abazaj! Lulaj e mbyll me qepje në kokë, dy tifozeritë rrihen rrugëve (E PLOTË)

Tirana-Partizani ka gjithmonë spektakël brenda dhe jashtë fushës së lojës. Gjatë më shumë se 100 minutave të djeshme ja cilat ishin pikantet e takimit.MixCollage-28-Apr-2024-07-11-PM-3933

-Që në orën 18:00 dy tifozëritë kishin mbushur shkallët e stadiumit. Të pranishëm në “Air Albania” kanë qenë 12700 tifozë.

-Drejtoria e “Air Albania”, kishte hequr karriget në dy pjesët e ultrasve. Një gjendje që do të qëndrojë edhe në “Final 4”, që ndenjëset të mos dëmtohen.

-Tirana del e para në nxemje në stadium, e ndjekur pas nga të kuqtë. -Tefik Osmanit nuk i ndahet Tiranës. Dje ishte i pranishëm për të ndjekur bardheblutë. Më pas vjen presidenti Alban Xhaferri dhe trajneri Tomas Brdariç.

-Në stol dy titullarë te Tirana, Najdovski dhe Latiti. Edhe te të kuqtë disa titullarë në stol.

-Xhulio Skuka largohet i fundit nga nxemja, madje duke ndihmuar magazinierët të mbledhin bazën materiale.

-Adnard Mehmeti bën nxemje deri pesë minuta para nisjes së ndeshjes, pasi zë vendin e Taipit që ishte në protokoll, por dëmtohet në fillim të përgatitjeve. Lojtari e nis sfidën si titullar.

-Partizanit për pak sa nuk i griset koreografia gjatë hapjes.

-Gjyqtari fal Hoxhallarin për një faull në mesin e fushës ndaj Mbasë. Ishte i verdhë sade.

-Derbi i kryeqytetit zgjon si zakonisht interes të madh, por edhe kontrolle më të rrepta nga forcat e rendit, të cilat si gjithmonë “pushtojnë” impiantin “Air Albania” për këtë sfidë. Edhe dje, forcat e rendit kanë qenë në gatishmëri të plotë, duke vendosur kontrolle të rrepta në hyrjet e tribunave. Kjo ka bërë që sidomos para tribunave të ultrasve, të krijohen radhë të gjata të mbështetësve që pritnin të futeshin në ambientet e brendshëm të stadiumit.

– Tirana-Partizani, bën bashkë gjithmonë personalitete të njohura si dhe  shumë tifozë. Në “Air Albania” ndodhej edhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Silvinjo. Ai ishte i shoqëruar nga ndihmësi i tij Zabaleta dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në krah të këtij të fundit është edhe Refik Halili, presidenti i Tiranës.

-Tymuese dhe fishekzjarrë gjatë gjithë lojës.

-Para një korrneje, gjyqtari vendos të lidhë këpucët. Në vazhdim të aksionit dëmtohet dhe kërkon zëvendësim Tedi Cara.

-Shehi vazhdimisht këshillon Muratajn dhe Rrapajn, ndërsa Fagu duket shumë i tensionuar dhe pi në çdo moment ujë.

-Në minutën e 45-të çahet në kokë Bruno Lulaj. Mjekët e Tiranës sërish bëjnë të pamundurën, ndërsa lojtari futet në fushë, luan me disa të qepura në kokë.

-Tirana-Partizani natyrisht një nga fokuset kryesore u jep edhe tifozëve. Dy banderola të mëdha janë shpalosur dje në “Air Albania”, në anën e të dy tifozërive. Të kuqtë kishin zgjedhur një banderolë të madhe “Ultras”, ndërsa bardheblutë një tjetër: “Fight for glory”.  Për t’u theksuar është edhe veshja e ultrasve të Tiranës, teksa janë të gjithë “uniform” me ngjyrat bardheblu.

-Bruno Lulaj ka qenë dje i shenjëstruar nga dëmtimet. Para se të çahej në kokë, mbeti pa frymë pas një topi të marrë në brinjë dhe të goditur nga Rrapaj.

Shehi-Keko për gjatë gjithë lojës diskutojnë me njëri-tjetrin, ndërsa trajneri mundohet që ta fusë në lojë.

-Kristal Abazaj nuk e pret mirë zëvendësimin në minutën e 87-të të lojës. Për të mos krijuar polemika, Fagu i kep dorën dhe të njëjtën gjë bën edhe lojtari.

-Alban Hoxha në fund të lojës rrezikon jo pak, të goditet nga një makinë që po dilte nga parkingu i “Air Albania”-s.

-Në përfundim të lojës dy anëtarë të stafit të Tiranës, polemizojnë me gjyqtarin Eldorado Hamiti, por ndalen nga stjuartët. Më pas, arbitri i derbit Partizani-Tirana, Eldorian Hamitaj, së bashku me ndihmësit e tij, është goditur me gota birre pas përfundimit të ndeshjes së fituar nga të kuqtë me rezultatin 2-1. Ndeshja përfundoi me 14 kartonë të verdhë (7 për secilin ekip) dhe 2 kartonë të kuq (1 për secilin ekip), gjë që duket se nuk i ka pëlqyer tifozëve, të cilët pakënaqësinë e tyre e shprehën në një mënyrë të shëmtuar ndaj arbitrit kryesor

-Derbi mes “Partizanit” dhe “Tiranës” ka vazhduar edhe pas mbarimit të ndeshjes. Por këtë herë në rrugët e Tiranës. Një grup të rinjsh, tifozë të “Partizanit” janë përleshur me mjete të forta me një grup të rinjsh, dyshohet tifozë të “Tiranës” pranë kompleksit “Kika” në Komunën e Parisit”. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policie që kanë qetësuar situatën. Mësohet se nga përleshja mes të rinjve nuk ka pasur të plagosur.

-Stadiumi në panik në mesin e pjesës së dytë. Grupimi “Urban Crew” hap një banderolë me top dhe në të njëjtin moment para stadiumit, ka dy shpërthime të forta, aq sa të gjithë mendojnë se plasi ndonjë bombë para stadiumit. Panik i vogël, por më pas kuptohet që veprimi është vepër e tifozëve bardheblu.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"