VIDEO/ Kupa është përsëri e Vllaznisë! Shkodranët mundin Laçin në finale dhe sigurojnë edhe Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 0:20

VIDEO/ Kupa është përsëri e Vllaznisë! Shkodranët mundin Laçin në finale dhe sigurojnë edhe Europën

Vllaznia ka fituar për të dytin edicion radhazi Kupën e Shqipërisë, duke mundur këtë radhë në finale ekipin e Laçit pas kohëve shtesë me rezultatin 2-1.

vllaznia-laci

Në një ndeshje shumë të luftuar, shkodranët fituan me përmbysje pasi ishte Guindo ai që i dha avantazhin kurbinasve shumë shpejt, që në minutën e 4-t. Hoxhaj barazoi shifrat në minutën e 18 dhe më pas skuadrat luftuan shumë duke krijuar raste për shënim.

Por deri në fund të 90 minutave nuk kishte ndryshim rezultati dhe skuadrave iu deshën kohët shtesë për të gjetur një fitues. Aty, ishte goli nga distanca i Adilit ai i cili vendosi fatin e kësaj sfide duke i dhënë një trofe të rëndësishëm kuqebluve si dhe i garantoi praninë në Europë.

VLLAZNIA-LAÇI 2-1
4′ Guindo, 95′  Adili / 18′ Hoxhaj

KOMENTI LIVE: 

120’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Vllaznisë që shpallet për të dytin vit radhazi fituese e Kupës së Shqipërisë.

120’ Jepen 2 minuta shtesë.

120’ Tentativa të njëpasnjëshme të kurbinasve për të gjetur rrjetën, por pa sukses.

118’ Harkim perfekt i Mazrekajt në qendër të zonës, por ku është lojtari i gabuar pasi shtatshkurtri Spahiu nuk arrin të devijojë me kokë para portës shkodrane.

117’ Gjurgjeviç mundohet të nisë një pasim drejt Çobës i cili është i vetëm në zonë. Qato kupton gjithçka dhe me kokë kthen sferën te Dajsinani.

115’ Spahiu gjen hapësirën para zonës dhe tenton portën, sfera devijohet lehtë e shkon jashtë katërkëndorit.

113’ Josa largon Aralica nga fusha e lojës, duke aktivizuar Gjurgjeviç.

108’ Duro hedh në fushë edhe Spahiun në vend të Roganoviç.

106’ Tension mes Hakajt dhe Roganoviç, gjyqtari Xhaja u tregon të dyve kartonin e verdhë.

106’ Zarubica merr vendin e Akiniemi në radhët e Laçit.

105’+3’ Mbyllet pjesa e parë shtesë me avantazhin 2-1 të Vllaznisë.

105’+3’ Kërkojnë penallti kurbinasit pas një kontakti mes Kyrmit dhe Shehut në zonën e Vllaznisë. Pavarësisht protestave, Xhaja bën shenjë që loja të vazhdojë.

105’ Jepen 4 minuta shtesë.

104’ Hoxhaj nuk mund të vazhdojë më pas një problemi muskulor dhe zëvendësohet nga Çoba.

97’ Lëviz shpejt Duro, duke larguar Deliun për të aktivizuar Qaton.

96’ Pikërisht Adili ndëshkohet me karton të verdhë për festimin e ekzagjeruar të tij me tifozët.

95’ GOOOL VLLAZNIA! Shënon Adili i cili merr topin në gjysmëfushë dhe nga më shumë se 30 metra lëshon një predhë të pakapshme për Dajsinanin.

93’ Shkodranët provojnë të gjejnë golin me harkime nga krahët për Aralica, por deri tani sulmuesi nuk ia ka dalë të gjuajë në portën e kurbinasve.

91’ Zëvendësim në fillimin e shtesës së parë për Laçin, me Ujkën i cili merr vendin e Guindo në fushë.

90’+4′ Mbyllet 1-1 koha e rregullt, për të mësuar fituesin e Kupës duhen edhe kohët shtesë. 

90’+3’ Pas një goditje nga këndi, topi shkon te Guindo, i cili gjuan me të majtën por pa gjetur katërkëndorin e kuqebluve.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

87’ Zëvendësimi i dytë te Vllaznia, me Krujën i cili merr vendin e Heriç.

83’ Tentativë e Latifit nga jashtë zonës në krahun e majtë, sfera nuk ka shënjestrën për të vënë në rrezik portën e Dajsinanit.

81’ Aksion me shumë pasime i Laçit që finalizohet me një gjuajtje nga jashtë zone të Shehut, i cili nuk gjen katërkëndorin e shkodranëve.

77’ Hoxhaj nga krahu i djathtë harkon në zonë, por bllokohet me trup nga Ziko.

70’ Ndërpritet për pak çaste ndeshja pasi gjyqtari Juxhin Xhaja është goditur me shishe nga tribuna e tifozëve të Vllaznisë.

66’ Guindo nis Akiniemi drejt portës me këtë të fundit që ndalet nga Zogoviç me ndërhyrje vendimtare.

54’ Predhë e Veliajt drejt portës shkodrane, Zogoviç eviton golin me një grushtim.

53’ Jonuzi rrëzohet në zonë pas një pasimi të Latifit nga e majta. Shkodranët kërkojnë penallti por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

50’ Gabim i Krymit i cili lejon Guindo t’i vjedhë topin. Akiniemi përfiton dhe shfaqet në pozicion gjuajtje, pro tentativa e tij përfundon jashtë portës së Vllaznisë.

46’ Nuk ka ndryshime në radhët e dy ekipeve të cilat nisin pjesën e dytë të duelit.

45’+1’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin 1-1.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

40’ Mazrekaj sheh hapësirë për të nisur topin drejt Guindo, Zogoviç del nga zona dhe largon sferën para sulmuesit të Laçit.

39’ Deliu gjen Adeleke në zonë, por ky i fundit nuk gjen kohën të godasë me Jonuzin i cili i heq topin nga këmbët.

36’ Goditje dënimi në pozicion ballor për Vllazninë, Ekzekuton Latifi i cili kalon murin, por edhe traversën e portës së Dajsinanit.

30’ Dy harkime në zonë radhazi të Heriç neutralizohen nga Dajsinani cili largon sferën.

28’ Harkim perfekt i Gurishtës nga e djathta për Hioxhajn i cili tenton roveshatën, por nuk ka kontaktin e duhur më topin.

25’ Pak çaste më vonë është Aralica i cili ndëshkohet me karton të verdhë për lojë të rrezikshme ndaj Roganoviç.

25’ Aksion i shpejtë i Vllaznisë me kombinime të Hakajt i cili nis Aralica, por ky i fundit nuk kontrollon topin siç duhet për të hyrë i vetëm në zonë dhe mbrojtja e Lacit largon rrezikun.

18’ GOOOL VLLAZNIA! Aksion në krahun e majtë i Latifit i cili shmang dy futbollistë dhe pastaj harkon në shtyllën e dytë. Aty është Hoxhaj i cili me një fluturim gjuan me kokë dhe tund rrjetën duke vendosur barazinë në shifra.

16’ Kombinim mes Jonuzit dhe Aralica, në fund kroati tenton vetë por duke çuar sferën shumë larg portës së Dajsinanit.

12’ Roganoviç ndalon një sprint të shpejtë të Latifit i cili ishte nisur drejt zonës në rreptësisë së kurbinasve.

11’ Da Silva bën shenjë që nuk mund të vazhdojë më, Josa i bën shenjë Hoxhajt që të bëhet gati për t’u futur në fushën e lojës.

9’ Kontakt mes Da Silva dhe Ziko në zonën e kurbinasve. Shkodranët kërkojnë penallti por Xhaja lë lojën të vazhdojë.

4’ GOOOL LAÇI! Kundërsulm perfekt i Laçit i nisur nga Mazrekaj me një top të gjatë për Velijan. Ky i fundit pason për Guindo i cili nuk gabon para Zogoviç.

1′ Finalja e Kupës së Shqipërisë nis me një atmosferë elektrizuese, ku të dy tifozeritë kanë hedhur mjete të shumta piroteknike!

FORMACIONET ZYRTARE:

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Krymi, Latifi, Jonuzi, Heriç, Bulatoviç, Hakaj, Aralica, Viktor Da Silva.

Trajner: Mirel Josa

LAÇI: Dajsinani, Roganoviç, Shehu, Guindo, Malota, Mazrekaj, Adeleke, Deliu, Velija, Ziko, Viktor.

Trajner: Shpëtim Duro

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"