Vetëm 14 gola në 18 ndeshje, Teuta kërkon sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2023 | 17:01

Vetëm 14 gola në 18 ndeshje, Teuta kërkon sulmues

Vetëm 14 gola të shënuar në 18 ndeshje të luajtura në këto dy faza kampionat. Teuta është ekipi që realizon më pak në Superiore dhe përveç vendit të fundit në klasifikim, pozicionohet edhe në grupin e skuadrave që shënojnë me pikatore.

teuta

Sulmuesit Klejdi Daci, Ergys Peposhi dhe Realdo Fili kanë shënuar nga tre gola secili, ndërsa nga një herë kanë gjetur rrugën e rrjetës Erando Karabeci, Artan Jazxhi, Ergis Arifi, Mario Gjata dhe David Gjinollari. Në total janë tetë lojtarë që kanë treguar se dinë të shënojnë, por skuadrës i mungon bomberi i vërtetë, që e nxjerr nga situata në momentet të veçanta.

Në fakt, Teuta ka disa kohë pa një golashënues të mirëfilltë. Edhe pse çdo sezon paraqitet e njëjta problematikë, ende nuk është gjetur sulmuesi i shumëkërkuar. Gjetja e një “pyke” është kthyer në një mision këtë merkato për drejtuesit blu, paçka se nga ana financiare asnjëherë nuk janë kursyer. Mjafton të kthehesh pas në kohë dhe e kupton që i fundit sulmues që ka “shpërthyer” është Lorenco Vila, i cili si për ironi të fatit në ndeshjen e fundit i shënoi dy gola Teutës si pjesë e Dinamos.

Edhe pse klubi ka afruar gjatë kësaj periudhe shumë lojtarë për vijën e parë, vetëm Lorenco Vila dhe Dejvi Bregu rezultojnë si më të suksesshmit. Falë golave të tyre, Teuta shpallej kampione tri sezone më parë, mirëpo që prej 2020-ës dhe deri më tani, edhe pse në Durrës kanë luajtur një mori emrash në qendër të sulmit, askush prej tyre nuk “shpërtheu” si Vila dhe Bregu.

PËRGATITJET – Durrsakët kanë zbritur në fushë dhe deri të shtunën do të jenë në stërvitje, për t’u rikthyer sërish më 3 janar 2024. Grupi i lojtarëve s’ka qenë i plotë, pasi Harrallamb Qaqi, Realdo Fili dhe Klejdi Daci, kanë marrë një ditë më shumë leje dhe priten që sot të jenë me ekipin. Teuta e rinis kampionatin me një ndeshje delikate në transfertë kundër Partizanit, që do të luhet më 14 janar. Deri atëherë trajneri Martini pret që skuadra të përforcohet me disa lojtarë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"