Vendimet e Komitetit Ekzekutiv/ Kombëtare U-17 për femrat dhe fushë në Librazhd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2017 | 20:48

Vendimet e Komitetit Ekzekutiv/ Kombëtare U-17 për femrat dhe fushë në Librazhd

Në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së është diskutuar kryesisht për zyrat e reja të institucionit. Vëmendje kryesore në njoftimin e bërë nga FSHF në faqen zyrtare, ka marrë selia e re e institucionit të futbollit, për të cilin janë miratuar disa ndryshime, si dhe është miratuar gjithashtu rikonstruksioni i një fushe sportive dhe ndërtimi i një ministadiumi në fushën e dytë. Në mbledhjen e radhës, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv në FSHF kanë miratuar gjithashtu ndërtimin e një skuadre kombëtare për femra U- 17.

komiteti_ekzekutiv_2_dhjetor

Më poshtë është edhe njoftimi i FSHF-së në faqen zyrtare në lidhje me mbledhjen e radhës, ku gjithashtu është miratuar ndërtimi i fushës sportive në Librazhd, së bashku me sistemin vaditës.

“Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka marrë vendimet e radhës në mbledhjen e tij, ku vëmendja kryesore është përqendruar te projekti i zyrave të reja të FSHF-së, me ndryshimet përkatëse, ku përfshihet përveç zyrave edhe një fushë, por edhe miratimi i ndërtimit të një ministadiumi të ri, afër zyrave të reja të federatës, si një kompleks më vete. Anëtarët e Komitetit vendosën për ndryshimet e reja, duke kaluar më pas në miratimin e tyre.

Po kështu, Komiteti Ekzekutiv miratoi ngritjen dhe në vijimësi mbështetjen për ekipin kombëtar të femrave U-17, një projekt i ri për futbollin e femrave. Pas Kombëtares A të femrave, Kombëtares U-19, tashmë do të ketë skuadrën dhe stafin e saj edhe ekipi përfaqë- sues i femrave U-17. Me miratimin e strukturës nga KE, do të nisë menjëherë puna për këtë ekip përfaqësues. Në aspektin e investimeve, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka miratuar fondin për fushën sportive të Librazhdit dhe sistemin vaditës aty, të dyja këto me koston e mbuluar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Gjatë gjithë kohës në vijimësi të mbledhjeve të tij, KE ka miratuar fonde për infrastrukturën sportive të futbollit, dhe kjo e fundit lidhet këtë radhë me fushën në Librazhd”, shkruhej në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"