Valbona kampione dimri me goleadë, tropojanët e mbyllën fazën e parë të Kategorisë së Dytë si kryesues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2023 | 11:50

Valbona kampione dimri me goleadë, tropojanët e mbyllën fazën e parë të Kategorisë së Dytë si kryesues

Valbona e Tropojës shpallet kampione dimri për grupin A të Kategorisë së Dytë, teksa të shtunën mposhti Murlanin në transfertë me shifrat 5-1. Skuadra e drejtuar nga Alfred Allamani, i cili mungoi në pankinë për shkak të dënimit nga Disiplina (ekipi i drejtua nga ndihmësi i tij, Gazmir Fuçia), ka pasur një ecuri mbresëlënëse deri më tani, duke qenë e vetmja pa asnjë humbje.

valbona

Valbona ka regjistruar në total 9 fitore dhe një barazim. Duke shtuar këtu edhe fitoren ndaj Shënkollit, e cila konsiderohet e pavlefshme pas përjashtimit të kësaj skuadre nga Disiplina dhe zerimit të pikëve, ecuria e tropojanëve në këtë fazë të parë, mund të quhet fantastike. I vetmi barazim ka qenë ndaj Ilirisë në Fushë-Krujë, ndërsa rivalin direkt për ngjitjen në Kategorinë e Parë, Besëlidhjen, e kanë mundur në Tropojë.

Ndeshja e ardhshme për Valbonën është pikërisht kundër lezhjanëve në transfertë, teksa është parashikuar të luhet më 10 shkurt 2024. Tashmë skuadra ka kohën e nevojshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje dhe pjesën e dytë të sezonit në tërësi, ndërsa pritet që klubi të bëjë disa afrime në merkaton e janarit.

NDESHJA – Takimi i zhvilluar ndaj Murlanit në fushën sportive në Barbullush të Vaut të Dejës, ka qenë pa shumë histori, pasi dominimi i Valbonës u konkretizua me tri gola që në pjesën e parë.

Kapiteni dhe njëkohësisht golashënuesi më i mirë i skuadrës, Gerhard Progni, hapi serinë e golave që në minutën e 3-të. Më pas ishte mesfushori Ersil Ymeri që i çoi shifrat në 0-2. Për të mbyllur pjesën e parë me tripletë golash, sërish Progni u bë protagonist.

Murlani reagoi pa u mbyllur ky fraksion, duke shkurtuar shifrat me Çokajn në minutën e 40-të. Megjithatë, ky gol ishte sa për statistikë, sepse në pjesën e dytë, miqtë arritën të shënojnë edhe dy herë me Farruku dhe Qelian. Valbona kryeson renditjen me një pikë më shumë se Besëlidhja.

20220

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"