Besa e Korabi, polemika për një pikë. Kumbarçe: Barazimi i drejtë, penalltia ishte qesharake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 12:03

Besa e Korabi, polemika për një pikë. Kumbarçe: Barazimi i drejtë, penalltia ishte qesharake

Në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, Besa dhe Korabi barazuan pa gola, ndonëse luajtën 105 minuta. Besa prej kohësh është pa shtëpi dhe ndeshjet pritëse i organizon sa në një stadium në një tjetër. Zakonisht si shtëpi përdorin stadiumin e Luzit, por duke ditur që luznjakët kishin vetë ndeshje brenda, kavajasit u spostuan në Lushnjë, pikërisht aty ku një javë më parë u mundën si udhëtues.

besa korabi

Në mungesë të trajnerit Bubeqi të pezulluar nga Disiplina, Besën e drejtuan dje nga pankina dy zv.trajnerët, Ylli Teliti dhe Fidaim Haxhiu. Verdhezinjtë bënë një tjetër hap fals në luftën për mbijetesë, pasi tashmë Luzi i vendit të parafundit është vetëm 2 pikë larg. Besa humbi një penallti në minutën e 68-të me Emir Spahiun, një 11-metrësh i kontestuar gjatë nga dibranët që paralizojnë ndeshjen për rreth 10 minuta. Korabi mbetet në vendin e gjashtë dhe mendon për “play off”-in, ndërsa Besa në dy javët e mbetura duhet të shmangë rënien direkte në të Dytën.

NDESHJA– Të ambientuar me terrenin e stadiumit të Lushnjës, takimi nisi më mirë për kavajasit. Mundësia e parë është për Korabin, ku Çema i shkëputet mbrojtjes verdhezi dhe përballë portierit Ahmataj godet në drejtim të portës. Pranë vijës fatale, topin e ndal Ersi Kapo, që i ndryshon drejtimin dhe shpëton ekipin nga pësimi i golit. Për shkak të temperaturave të larta në mes të pjesës së parë loja ndërpritet që lojtarët të freskohen pak.

Besa luan më mirë dhe rrezikon dy herë me Balin. Në minutën e 28-të, ai ekzekuton një goditje dënimi, por topi përfundon jashtë. Ndërsa në minutën e 33-të, topi i drejtuar drejt portës devijohet në korne nga Paplekaj. 0-0 mbyllen 45 minuta e para. Fraksioni i dytë nis pa ndryshime dhe pa raste. Në minutën e 58-të Besa fiton penallti. Emini rrëzohet në zonë dhe gjyqtari Çela tregon dorën nga pika e bardhë e penalltisë. Dibranët nuk janë dakord me vendimin dhe protestojnë.  Lojtarët e Korabit shkojnë te pankina e tyre dhe qëndrojnë aty për 10 minuta në shenjë proteste, ndërkohë që kavajasit presin të gjuajnë penalltinë.

Pas bisedimeve mes palëve dhe zyrtarëve të ndeshjes, pas 10 minutash lojtarët e Korabit i drejtohen zonës. Gjithçka bëhet gati, godet Spahiu, por portieri Qyrani devijon topin në korne. Nga trishtimi, Korabi kalon në delir. Besa e kërkon golin me ngulm, por nuk gjen dot kuadratin. Dy gjuajtje nga afër të Mustafa Ba dhe goditja e Spahiut nuk sjellin asgjë. Korabi mund të kishte kaluar në avantazh në minutën e 75-të, por topi i goditur nga Kasalla përfundon ngjitur me shtyllën pingule. Jepen 12 minuta shtesë dhe luhet deri në minutën e 105-të, pas dëmtimit të portierit Qyrani por nuk ka gol. Përfundon pa gola kjo sfidë dhe kavajasit shumë të dëshpëruar.

 

Trajneri i Korabit

Kumbarçe: Barazimi i drejtë, penalltia ishte qesharake

Korabi është treguar dinjitoz në ndeshjen ndaj Besës, ku përmes tensionit morën një barazim pa gola. Shpendi Kumbarçe, trajneri i Korabit, për “Panorama Sport” pas ndeshjes pohoi se barazimi me Besën ishte i drejtë, pavarësisht se e cilësoi qesharake penalltinë e dhënë kundër skuadrës së tij në pjesën e dytë. Tekniku i dibranëve deklaroi se do të kërkojnë finalen e tretë radhazi në fazën “play off”. “Si fillim dua të përgëzoj futbollistët, pasi i bënë një interpretim të mirë ndeshjes. Kemi një ekip që bëjmë punën tonë me seriozitet dhe gjithmonë kërkojmë të japim më të mirën në fushën e lojës. Ndaj Besës, ishte një ndeshje me shumë raste, siç krijon Korabi në çdo ndeshje. Mendoj se barazimi ishte një rezultat i drejtë. Terreni i Lushnjës ishte fantastik, na lejoi të qarkullonim topin. Krijuam 2-3 mundësi në pjesën e parë, që po t’i kishim finalizuar do të flisnim ndryshe. Në të dytën lodhja bëri të veten, pasi luajtëm në mesjavë me Luzin. Udhëtuam 2 herë drejt Peshkopisë, sepse na u shty ndeshja me Luzin”, u shpreh fillimisht trajneri Kumbarçe.

Penalltia dhe kontestimi- “Në qoftë se ka penallti shumë qesharake, kjo e sotmja(e djeshmja) ishte e tillë. Nuk e di të paktën për sa e ndoqëm ne, do të doja të isha unë i gabuar. Nuk dua të paragjykoj asnjë gjyqtar. Unë i kam miq të tre gjyqtarët e Lushnjës. Mua mu duk një penallti inekzistente. Nuk pati kontakt e as shtytje. Nuk e di. Edhe ato që flisnin lojtarët, jo hidhuni në zonë, mos u hidhni në zonë, ishin pak qesharake. Ndërprerja? Në këto raste nuk ka nevojë për llafollogji. Vetë situata bëri që djemtë të karikoheshin edhe më shumë. Të jepnin shpirtin, të tregonin karakterin e tyre, forcën e kësaj skuadre në fushë. Jo më kot Korabi konsiderohet një skuadër shumë e fortë. Portieri ynë Qyrani, jo më kot ka dalë 7-8 herë portieri më i mirë i javës. Është portieri më i mirë i Kategorisë së Parë. Më vjen keq që nuk ka pasur një shans të luajë në Superiore. Është portier fantastik dhe këtë e tregoi edhe te penalltia. Tani do të përgatitemi për fazën “play off” dhe kjo ndoshta është e treta e vërteta për Korabin”, përfundoi trajneri Kumbarçe.

 

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"