Uzuni “vrasësi” i Lushnjës: E di si fitohet derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2017 | 18:34

Uzuni “vrasësi” i Lushnjës: E di si fitohet derbi

Derbi myzeqar Apolonia – Lushnja përbën një nga çiftet më interesante jo vetëm të Grupit B, por të të gjithë Kategorisë së Parë. Pavarësisht gjendjes aktuale, këto dy skuadra kanë ditur që në ndeshjet midis tyre të dhurojnë emocione, të bëjnë një luftë të fortë sportive dhe me shumë rivalitet.

Fierakët janë tepër të tendosur e të përqendruar për t’i shkaktuar humbjen e parë sezonale Lushnjës, që ka 44 vjet pa fituar në “Loni Papuçiu”. Për sa u përket statistikave kujtojmë se në 10 ndeshjet e fundit mes këtyre dy skuadrave, bilanci tregon superior ekipin fierak që ka arritur 8 fitore ndaj dy të Lushnjës me golaverazhin 16-8.

uzuni

Uzuni

Myrto Uzuni mbetet pika referuese e sulmit fierak. Tetë gola të shënuar e kuotojnë atë jo vetëm si kryeshënuesin e Apolonisë, por edhe një nga shënuesit më të mirë të Grupit B, së bashku me Cankën e ekipit kundërshtar të Lushnjës. Numri 7 i fierakëve është një njohës i mirë i portës së Lushnjës, pasi në 3 ndeshjet e këtij sezoni, dy në Kupë dhe një në kampionat, i ka shënuar plot katër gola. Tre i ka shënuar në ndeshjet e Kupës dhe një në kampionat.

“Sfida e radhës është e vështirë, pasi luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë e të fortë që kryeson grupin B. Ne e respektojmë dhe vlerësojmë kundërshtarin, por nuk i trembemi aspak atij. Po përgatitemi me qetësi dhe intensitet, duke marrë masat e nevojshme që të triumfojmë në këtë ndeshje, si në lojë, ashtu dhe në rezultat.

Jemi të përqendruar e të motivuar maksimalisht dhe jemi betuar se të gjithë si grup do të japim maksimumin. Nuk kemi pse të tolerojmë në lojën tonë, pasi ashtu si kundërshtari që do të rrisë diferencën me ekipet më të afërta që e ndjekin, edhe ne duam të shkurtojmë diferencën e pikëve”, shprehet 21-vjeçari.

I pyetur për duelin e golashënuesit më të mirë të grupit, mesfushori me tipare sulmuese përgjigjet: “Gëzoj një formë të mirë sportive. Luajmë në fushën tonë dhe me ndihmën e shokëve të tjerë të ekipit kam besim të plotë se do të shënoj edhe në këtë sfidë derbi, dhe do të jem shënuesi më i mirë i grupit. Di si të shënoj ndaj Lushnjës dhe kam shumë besim se do të realizoj edhe nesër(sot)”, përfundoi prononcimin e tij Myrto Uzuni.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"