“Udhëtojmë me disa mungesa, por nuk ka justifikime”, Duro: Lushnja shkon larg në Kupë, duhen 4 afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2022 | 10:43

“Udhëtojmë me disa mungesa, por nuk ka justifikime”, Duro: Lushnja shkon larg në Kupë, duhen 4 afrime

Lushnja ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Fitorja 2-0 kundër Tërbunit i jep statusin e favorites, e megjithatë Klodian Duro kërkon kujdes. Trajneri ka ambicie në këtë kompeticion dhe hapur e thotë për “Panorama Sport” që do të shkojnë larg. Ndonëse do të udhëtojnë me disa mungesa në Pezë, elbasanasi mendon se nuk ka vend për justifikime.

klodian duro

“Tërbuni është një kundërshtar shumë i fortë. E tregon edhe renditja në kampionat. Pavarësisht se kemi fituar 2-0 në shtëpi, asgjë nuk ka mbaruar.

Kemi kryer vetëm gjysmën e punës. Nesër (sot) luhet ndeshja e kthimit dhe do të jetë e vështirë, ndaj e përgatitëm në mënyrën më serioze të mundshme.

Mungesat? Jemi mësuar tashmë me këto kushte, nuk është gjë e re për ne. Që nga ndeshja e parë nuk kemi Dacin, pastaj na u shtua Gjyla dhe Canka me Ruçon.

Ka dhe dy-tri shqetësime, që do t’i shikojmë nesër (sot). Rëndësi ka, që ne si grup të përqendrohemi te kalimi i turit. Është përballje konfirmimi, por edhe morali e besimi.

Unë e kam thënë që në fillim para se të vija, që punët e mira bëhen avashavash.

Siç e thashë dy ditë më parë, ne nuk kemi një president që të na krijojë lirshmërinë e zgjedhjes në merkato. Të merrnim të paktën 4 futbollistë që bëjnë diferencën dhe që kanë cilësitë.

Deri në këto momente jam shumë i kënaqur, ndonëse e mira nuk ka fund.

Mund të kishim edhe ndonjë pikë më tepër në kampionat. Por po t’ia bashkëngjisim edhe ndeshjen e Kupës, për të qenë në rrugën e duhur.

Ne duam të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion. Prandaj ia kemi bërë edhe hyzmetin që në ndeshjen e parë, që të mos i lëmë asgjë rastësisë.

Edhe nesër në kryeqytet dua maksimumin, sepse kjo është rruga e vetme drejt suksesit.

Në çdo ndeshje, pavarësisht se është kampionat, Kupë apo edhe thjesht miqësore, ekipi im duhet të japë maksimumin dhe të marrë maksimumin nga çdo ndeshje. Kjo do të ndodhë edhe me Tërbunin”, përfundoi Duro.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"