U përfol se do merrte drejtimin e Flamurtarit, Memushi gjen skuadër në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 11:18

U përfol se do merrte drejtimin e Flamurtarit, Memushi gjen skuadër në Kategorinë e Parë

Artan Sakaj nuk është më trajner i Orikut. Trajneri vlonjat dhe drejtuesit e klubit bregdetar e kanë mbyllur dje bashkëpunimin, ndërsa sot Oriku do të ketë një “timonier” të ri.

Sakaj-Orikumi

Lajmi është konfirmuar për gazetën “Panorama Sport” nga administratori i klubit, Gëzim Çapoj, i cili është shprehur: “Po, Sakaj është larguar nga drejtimi i ekipit. Ai po ndjek një kurs për trajner dhe do të shkojë edhe në Zvicër, por edhe rezultatet e fundit kanë ndikuar”, ka thënë shkurt drejtuesi i Orikut.

Më tej, administratori Çapoj ka pohuar se trajneri i ri do të zyrtarizohet sot dhe se kandidatë për të marrë vendin e lënë bosh nga largimi i Sakajt janë tre vlonjatë, të tre mjaft të njohur. Bëhet fjalë për Eqerem Memushin, Gert Haxhiun dhe Petraq Bifshën. Por, gazeta mëson se i përzgjedhuri i drejtuesve të Orikut është Memushi, ish-trajneri i Flamurtarit, Tomorit, Apolonisë dhe Bylisit.

eqerem memushi

Vjen kështu ndryshimi në stolin e Orikut pas 5 javësh kampionat, ku skuadra ka grumbulluar 7 pikë dhe mban vendin e shtatë në Grupin B. Dy humbjet radhazi javët e fundit kanë ndikuar në vendimin e drejtuesve të klubit bregdetar, 0-1 me Elbasanin në shtëpi dhe ajo 2-0 me Lushnjën në “Roza Haxhiu”.

Në fakt, Oriku nuk është një klub që i ndryshon shpesh trajnerët dhe lajmi i largimit të Artan Sakajt është disi i befasishëm. Ish-lojtari i Flamurtarit ka punuar dy vjet në krye të Orikut dhe ka lënë përshtypje nga më të mirat. Sezonin e kaluar, kur Oriku ishte debutues, bëri një paraqitje mjaft të mirë në kampionat. Në këtë moment, trajneri i ri vlonjat kërkon që të rritet sa më shumë profesionalisht, ndërsa drejtuesit e Orikut duan pikë, kështu që rrugët e tyre janë ndarë.

Eqerem Memushi pritet të zyrtarizohet sot dhe të nisë menjëherë punën me ekipin e ri. Ai ka pak ditë kohë deri në ndeshjen e radhës me Turbinën, që luhet në fundjavë në shtëpi, por nuk është problem, sepse e njeh grupin e futbollistëve, të cilët janë të gjithë vlonjatë.

Enriko Gabaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"