Turqit duan De Biazin, trajneri: Jemi si Leiçesteri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2016 | 11:24

Turqit duan De Biazin, trajneri: Jemi si Leiçesteri

Pedalon. “E nisim nga çiklizmi”. Por, është një sport tjetër. “E kush e thotë këtë?”. Udhëtimi i Xhani De Biazit ka gjithçka brenda aeroplanë, anije, gomone, kujtime, bileta dhe lodhje. Ai është 59 vjeç dhe ka reshtur së luajturi në moshën 33- vjeçare… një vit më vonë nisi karrierën si trajner.De-Biazi-te-kulla-e-Parisit-653x420 Ka eksperiencë, fantazi, ide, profil të ulët, disa oferta për të cilat nuk dëshiron të flasë, dy numra telefoni dhe dy profile në “WhatsApp”, ku në njërin ka vendosur fotografinë e së bijës dhe në tjetrin atë të Nënë Terezës. Shkrepje, rrëfime dhe fotografi.

Xhovani, që i thonë ndryshe Xhani De Biazi “dhe jo Di Biazi”, po bëhet gati që të fluturojë drejt Francës, pasi do të udhëheqë Shqipërinë në prezencën e parë të saj në një event kaq të madh. Ja rrëfimi i tij për të përditshmen italiane “Il Messaggero”…

Çfarë po bënit në momentin që ju pyetën nëse do të merrnit drejtimin e përfaqësueses shqiptare?

Po pedaloja. Isha në Vittorio Veneto, në shalën e biçikletës sime të garave. Më telefonoi një mik për të më treguar për këtë ofertë.

Po ju çfarë i thatë?

Që më duhej të mendohesha. Dhe vazhdova që të pedaloja.

Cili ishte mendimi i parë që ju kaloi në mendje?

Isha dyshues. Sapo kisha mbyllur një eksperiencë të keqe tek Udineze, doja që të stakoja mendjen, mbase edhe ta mbyllja me aq karrierën time si trajner. Flitej për Shqipërinë, një vend që nuk e njihja aspak.

A do t’i kishit kaluar ndonjëherë pushimet në Shqipëri?

Në atë kohë, jo.

Po tani?

Sigurisht që po. Në jug të vendit ka disa zona të mrekullueshme siç janë Dhërmiu apo Porto Palermo.

Le të kthehemi në Vittorio Veneto dhe rrotës së mendimeve…

Mendova: Gjithsesi do të shkoj në Shqipëri për të dëgjuar ofertën e tyre. Dhe mendova për Karlon dhe Arturon.

Cilët janë këta?

Xhaxhallarët e mi, të cilët kanë emigruar në Zvicër. Sepse kështu ishte Veneto e viteve ’60-’70, toka prej së cilës duhej emigruar. Kështu u nisa drejt Shqipërisë.

Çfarë gjetët?

Ide të qarta, donin një trajner italian. Kur mbërrita unë kishin bërë një seleksion të parë.

Kështu nisi gjithçka…

Katër vite më parë i shkuam shumë pranë kualifikimit në Botërorin e Brazilit. Por, së bashku me ndihmësin tim, Paolo Tramexani, dhe të gjithë stafin vumë re se duhej diçka më shumë. Duhet të ishim një ekip, gjithmonë.

Si ka mundësi që në Itali nuk kishin dalluar se çfarë trajneri kishin në duar?

Sigurisht që dinin se çfarë kishin, jam krenar për atë që kam bërë në Itali. Dhe mbase do të përjetoj të tjera situata në Itali. Por le t’i kthehemi Shqipërisë. Ne shkuam në Francë sepse ishim një ekip. Kemi individualitete, por mbi të gjitha një skuadër solide. Kështu shumëfishohen forcat. Nuk ka individualitete. Jemi si Leiçesteri i mikut tim Ranieri. Ose më mirë se ata, pasi ne kemi arritur të parët.

Le të prekim disa histori. Ta nisim nga ajo e familjes së Hysajt…

Babai i asaj familje ka bërë shtatë udhëtime me gomone për të marrë të gjithë familjen në Itali. Ishte murator, ndërsa tani shikon të birin teksa luan për Napolin dhe Europianin në Francë…

Po historia e Berishës?

Herën e parë që një bashkëpunëtor i imi shkoi ta takonte ai po peshkonte. Jetonte dhe luante në Kalmar. Banonte në një kthinë peshkatarësh të atij qyteti. Përpara se të stërvitej me ne nuk kishte pasur kurrë një stërvitës portierësh. Na mjaftoi që ta shikonim në një miqësore kundër Iranit për të dalluar potencialin e tij.

Tani nuk jeni mbi biçikletë, mbyllini sytë dhe na thoni dy ndodhitë që ju kanë emocionuar më shumë gjatë karrierës suaj.

Lamtumira e Baxhos! E stërvita te Bresha dhe e zëvendësova pak minuta përpara fundit të takimit. Duartrokitje, buzëqeshje, lot edhe unë u preka. Mbylla sytë dhe përjetova emocionet e një kampioni që po mbyllte një karrierë të madhe.

Po tjetër?

Herën e parë që sfidova Italinë, vendin tim. Miqësorja që u luajt në Xhenova u pa prej më shumë se 11 000 shqiptarësh, të cilët kishin ardhur në stadium. Pasi kënduan himnin shqiptar nuk u ndalën dhe kënduan edhe atë italian. E dinin përmendësh. Ky është emocioni më i madh i karrierës sime.

Çfarë kanë sot më shumë shqiptarët krahasuar me italianët?

Duan të djegin etapat, nuk dorëzohen kurrë.

Po më pak?

U mungon infrastruktura, edhe pse po punojnë për atë.

Le t’i kthehemi futbollit. Keni marrë oferta prej skuadrash italiane?

Asnjë. Jo, më falni, një.

Ju si i jeni përgjigjur?

Faleminderit, por jam komisari teknik i Shqipërisë. Po shkojmë të luajmë Europianin në Francë.

Emri juaj është afruar shpeshherë me pankinën e Italisë. A keni dhjetë sekonda për të na dhënë një përgjigje?

Çdo trajneri italian i pëlqen që të stërvitë kombëtaren e vet. Jam italian dhe stërvit Shqipërinë me të cilën do të shkojmë në Europian për të luajtur ballëhapur.

Pas Francës?

Kurrë mos thuaj kurrë.

A mund të na rrëfeni diçka më shumë për turin që keni bërë me biçikletë?

Turin?  Po turin e Shqipërisë me miq si Giovanni Storti, ai i “Aldo Giovanni e Giacomo”-s.

Sporti do të thotë të dish të buzëqeshësh?

Edhe, edhe pse motivi i turit tonë ishte “gëzimi i mundit”. Kjo vlen edhe për turin tonë të Francës. Pedaloni atëherë! Sepse gjithmonë keni një rrugëtim për të nisur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"