Trauma e penalltive, mesfushori i Anglisë: Po përgatitemi me… psikolog!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 9:06

Trauma e penalltive, mesfushori i Anglisë: Po përgatitemi me… psikolog!

Anglia e ka intensifikuar stërvitjen e penalltive përpara ndeshjes së 1/8-ave kundër Senegalit mbrëmjen e së dielës, duke mos i lënë asgjë në dorë rastësisë.

RAJS

Skuadra e Garet Sauthgejtit dëshiron që të jetë e përgatitur në rast se dueli në Al Khor do të përcaktohet nga goditja e 11-metërshave. Kampionët e Afrikës janë një skuadër pragmatiste dhe e mirorganizuar.

Ata kanë eksperiencë me penalltitë këtë vit, ndërsa e fituan finalen e Kupës së Afrikës ndaj Egjiptit pikërisht prej goditjeve nga 11 metra.

Por anglezët po stërviten për ekzekutimin e tyre pas çdo seance stërvitore në 18 ditët e fundit. Ata po përdorin rrjetën “Skilz” për të përmirësuar teknikën e tyre, por tani po stërviten me portierin në portë.

Nik Poup dhe Aron Ramsdejl kanë bërë punën më të madhe me to, ndërsa në ditët e fundit është përfshirë edhe portieri titullar, Xhordan Pikford. Futbollistët anglezë po konsultohen edhe me një psikolog sportiv, i cili po i ndihmon për të kontrolluar emocionet e tyre në Katar. Përpara ndeshjes së nesërme në “Al Bayt Stadium”, mesfushori Deklan Rajs tha:

“Që kur në stol është ulur Garet, vëmendja jonë është spostuar te penalltitë. Ne humbën finalen e Europianit kundër Italisë, por arritëm një fitore të madhe ndaj Kolumbisë në Botërorin e 2018-ës.

E dimë që jemi në një fazë ku ndeshjet mund të përcaktohen nga penalltitë dhe ne do të jemi të mirëpërgatitur për to.

Jam optimist duke parë se çfarë po ndodh në stërvitje, jo vetëm për lojtarët që ne kemi, por edhe për përgatitjen që kemi bërë si skuadër.

Rrjeta ‘Skilz’ vetëm sa të ndihmon me teknikën, për të gjetur këndin e duhur.

Ne kemi edhe psikologët me vete, të cilët na tregojnë se cila është mënyra më e mirë për t’u qetësuar. Po ushtrohemi për to dhe kur në portë hyjnë portierët, është një tjetër test psikologjik.

Të gjithë kanë teknika të ndryshme. Rëndësi ka të stabilizosh frymëmarrjen, të jesh i qetë dhe të japësh gjithçka drejt rrugës së goditjes”, shtoi mesfushori i Uest Hemit.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"