Trajneri i Skënderbeut motivon lojtarët, Ivan Gvozdenoviç: Dua edhe një sforco të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 15:57

Trajneri i Skënderbeut motivon lojtarët, Ivan Gvozdenoviç: Dua edhe një sforco të fundit

Përtej merkatos dhe zhurmës që qarkullon jo vetëm për Liçon, por edhe për futbollistë të tjerë të Skënderbeut, drejtuesit dhe stafi teknik janë duke u munduar të mbajnë ekipin e përqendruar për ndeshjen e radhës në kampionat, e fundit dhe tejet përcaktuese sa i përket verdiktit përfundimtar të këtij sezoni, që nëse merren në analizë nga fillimi në fund, është përtej parashikimeve dhe pritshmërive të bardhekuqve.

Ivan Gvozdenovic

Por, trajneri Ivan Gvozdenoviç duket se nuk kënaqet me kaq. Në kohën kur është fare pranë “Final 4”, kërkon që edhe për 90 minuta t’i marrë maksimumin ekipit të tij. Diçka të tillë trajneri u ka bërë me dije lojtarëve në seancën e djeshme stërvitore në Korçë. Para nisjes së kësaj seance, Gvozdenoviç ka kërkuar nga të tijtë një sforco të fundit për të tejkaluar parashikimet. “Mbeten edhe 90 minuta nga fundi i sezonit dhe jemi shumë pranë arritjes së një objektivi që askush nuk e kishte imagjinuar.

Prandaj, dua që në Shkodër të shoh grintën dhe të gjithë potencialin që ju keni. Le të bëjmë edhe një sforco të fundit dhe të bërtasim me bindje që jemi Skënderbeu. Vetëm kështu do të mbushim me lavdi këtë fanellë dhe klubin që përfaqësojmë. Jemi vetëm 90 minuta larg lavdisë ndaj le të bëjmë që zëri jonë dhe pesha e kësaj fanelle të ndjehet sërish në kampionatin shqiptar”, u tha veç të tjerash kryepankina korçare lojtarëve të tij në seancën e djeshme stërvitore. Të shtunën, Skënderbeu do të luajë javën e fundit të kampionatit në transfertën shkodrane.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"