“Tomorin ma mohuan për 2 vjet”, trajneri Mile: U bë si autoshkollë, ja si po e rilind këtë ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 17:44

“Tomorin ma mohuan për 2 vjet”, trajneri Mile: U bë si autoshkollë, ja si po e rilind këtë ekip

Me trajnerin Kristaq Mile në krye, ti fozët beratas besojnë fort se Tomori nuk do ta diskutojë kthimin në Kategorinë e Parë në fund të këtij sezoni. 

kristaq mile

Trajneri i njohur beratas ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku flet për fitoren e fundit në Patos dhe për atë çfarë ka ndodhur kohët e fundit me Tomorin, duke zbuluar edhe një prapaskenë. Ai rrëfen se si njerëz pa lidhje me futbollin, por me lidhje të forta me politikën, e kanë mbajtur “peng” për më shumë se dy vjet, duke mos e lejuar të merrte drejtimin e skuadrës. Ja dhe intervista e plotë e Miles:

Mile, nën drejtimin tuaj Tomori ka arritur 5 fitore radhazi. E kishit parashikuar këtë ecuri kur morët drejtimin e ekipit?

Gjithçka po funksionon sipas parashikimit tim. E njoh mirë Kategorinë e Dytë, kam eksperiencë të gjatë këtu. Të rinjtë duhet t’i motivosh të japin maksimumin dhe kështu ia gjeta “ilaçin” kësaj pune. Po shpërblehemi të gjithë, suksesi nuk është vetëm i imi, por i gjithë skuadrës dhe atyre që na mbështesin. Pesë fitoret s’janë rastësi, por shpërblim i punës së përbashkët.

Kjo skuadër udhëhiqet nga një mendësi që e konsideroj si motivin kryesor të punës sonë, e kam fjalën për fanellën që përfaqësojmë. Flasim për një nga klubet më të vjetër në vend, fanella e Tomorit ka peshë të rëndë dhe kush e ka kuptuar, e ka gjetur mirë veten te kjo skuadër. Suksesi qëndron edhe te harmonia me faktorët mbështetës të skuadrës, klubin, presidentin Ervin Demo dhe ish-presidentin dhe biznesmenin Gramoz Toto. Po ashtu, edhe me mbështetjen e tifozërisë sonë të zjarrtë po funksionojmë si një familje.

Ku mendoni se Tomori bëri diferencën ndaj Albpetrolit rival, ku ju fituat 1- 2?

Nuk ishte rastësi ajo fitore, e merituam plotësisht. Gjatë javës skuadrën e shkarkova nga tensioni, duke i dhënë përparësi aspektit taktik dhe psikologjik. I mbajta lojtarët larg zhurmës mediatike dhe ia dolëm me këtë strategji. Në fushë futbollistët shfaqën disiplinë të lartë taktike dhe luajtën me zemër. I imponuam kundërshtarit lojën tonë dhe për asnjë çast nuk e ndiemë faktorin fushë, falë edhe ndihmës së tifozëve tanë të mrekullueshëm.

Çfarë ndodhi që u ndëshkuat me karton të kuq? 

As vetë nuk e di çfarë ndodhi. Isha në kontakt me skuadrën në fushë dhe kam mbetur i shtangur nga ai ndëshkim. Fola me gjyqtarin dhe i thashë se ishte ndëshkim i padrejtë. Ai më tha se ka ndëshkuar tre pjesëtarë të stafit me karton të verdhë në të njëjtën kohë dhe për rastin tim nuk mora shpjegim. Me siguri ka ndodhur ndonjë keqkuptim. E kam lënë në ndërgjegjen e gjyqtarit të gjejë shkakun e ndëshkimit tim.

Pas fitores në Patos, opinioni në Berat e bën fakt të kryer rikthimin e Tomorit në Kategorinë e Parë. Ju si mendoni?

Jo, nuk është kështu. Unë dhe skuadra që drejtoj nuk vihemi në gjumë në asnjë rast, nuk kënaqem me pak. Nuk kemi bërë gjysmën e rrugës. Sot (dje) është ditë pushimi, por ne po stërvitemi. Fitorja në Patos ka vlera, na ka ngrohur, por jemi ende në vend të dytë. Për mua dhe skuadrën tani fillon kampionati.

Pavarësisht kësaj ecurie, a ka kjo skuadër nevojë për përforcime?

Ne kërkojmë të përmirësohemi në të gjitha drejtimet. Pas fazës së parë do të bëjmë disa afrime të rëndësishme me futbollistë beratas, sepse kjo është e diktuar nga rregullorja e FSHF-së për inferiorët. Synojmë 5 afrime, sepse dua të kem në dispozicion 25 futbollistë sa më cilësorë. Pastaj, më duhet një skuadër cilësore edhe për finalen (qesh).

A biseduat me trajnerin Mariol Miho të Albpetrolit, i cili është edhe i afërmi juaj?

Patjetër biseduam, ndamë disa shqetësime të punës sonë. Me Mariolin kemi lidhje gjaku, por jemi profesionistë dhe në fushë ishim kundërshtarë. E kam provuar edhe me djalin tim Vangjelin, nuk kam asnjë kompleks. Mariolit i thashë të mos mërzitet, sepse ky është futbolli. Albpetroli ka një skuadër cilësore, i uroj vendin e dytë.

Ju vjen keq për faktin që u rikthyet te Tomori pas dy sezoneve?

Dua të sqaroj një të vërtetë këtu, sepse ndonjëherë të vërtetat mbulohen me mister. Pasi ngjita Naftëtarin në të Parën dy sezone e gjysmë më parë, isha pranë rikthimit te Tomori. Madje edhe në mes të kampionatit, kur Tomori u bë “autoshkollë” trajnerësh që vinin dhe iknin, paguheshin edhe pa rezultate. Po e them për “Panorama Sport” se për fatin tim të keq dhe jo vetëm timin, mbeta peng i “dallavereve” politike. Herë më votëbesonin dhe herë më shkarkonin në ajër, kështu e donte oreksi i politikanëve lokalë. Vlerësimin profesional e bënte një kategori që vetëm me futbollin nuk kishte lidhje. Kaq për momentin, mjafton ta denoncoj këtë rast si peng i politikës që më mbajti larg Tomorit për dy sezone radhazi. Me mbështetjen e tifozëve të Tomorit, po u jap një përgjigje atyre që luajtën me mua për arsye politike.

Si do ta përcaktonit nivelin e së Dytës?

Kategoria e Dytë në të dyja sistemet ka pasur një lloj “hije” të rëndë dhe të frikshme për skuadrat udhëtuese. Mungesa e infrastrukturës dhe kulturës sportive nxisin dhunën, por së fundi po duket dora e FSHF-së me dënimet e rënda dhe të shpeshta, që i ndërgjegjëson klubet. Jam i mendimit se një bashkëpunim sa më efikas midis klubeve dhe forcave të rendit, do të sjellë përmirësim të ndjeshëm. Në çdo qytet të vogël duhet kuptuar se futbolli është argëtim në radhë të parë.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"