“Tomori pa aleanca, ra se nuk na kthyen as nderet”. Administratori Ajazi tregon arsyet e dështimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 13:04

“Tomori pa aleanca, ra se nuk na kthyen as nderet”. Administratori Ajazi tregon arsyet e dështimit

Humbja e fundit ndaj Besës në shtëpi është pranuar gjerësisht në Berat, si humbja e shpresës për mbijetesën në Kategorinë e Parë. Administratori i klubit beratas Ismet Ajazi, duke folur për “Panorama Sport”, bën prezent projektin e ri, si dhe sqaron fatin e lojtarëve nën kontratë me Tomorin.

tomorii

“Përkundrejt dëshirave tona si staf drejtues, por edhe të tifozërisë që na ka mbështetur fuqishëm, humbja e fundit me Besën thuajse na ka dhënë përfundimin, që Tomori nuk i shpëton dot rënies në Kategorinë e Dytë. Tifozët dhe shumë personalitete drejtuese të skuadrës, por edhe figura të rëndësishme të historisë së futbollit beratas, me të drejtë kujtojnë nderet pa fund që Tomori ka bërë në vite dhe dekada me radhë ndaj klubeve të ndryshme, duke i falur atyre tituj kampioni, apo pjesëmarrje në Kupat e Europës. Madje, pa shmangur as ndihmën për të shpëtuar skuadra pa fund nga rënia nga kategoria, si në elitë ashtu edhe në kategorinë ku jemi.

Kjo kujtesë shërben më së shumti që ndryshe nga sa ka qenë ndihma e Tomorit indirekt për skuadra të ndryshme, në kampionatin aktual, nuk ka pasur asnjë aleancë fluide, apo dashamirësi nga skuadra të ndryshme për të na ndihmuar. Kësisoj të ndërgjegjshëm për rënien një kategori më poshtë, kemi vendosur që në 6 javët e mbetura të kampionatit të mbështetemi tek elementi i ri dhe me perspektivë beratas. Kjo do të thotë se po projektojmë skuadrën e ardhshme në Kategorinë e Dytë, ku ka të tjera kushte për aktivizimin e futbollistëve.

Dhe duke nisur nga ndeshja e radhës me Flamurtarin, veç pjesës aktuale të skuadrës me futbollistët beratas, do të jenë edhe të rinjtë e talentuar dhe me perspektivë që vijnë nga skuadra U-19 si Fjordi Mesiti, Gledio Kule, Xhejson Lajthia, Theodhor Buda, Sadi Hamzaj. Bëj me dije, se do të respektojmë deri në fund kontratat me futbollistët e huaj dhe ata ‘jabanxhinj’, por në rast se dikush prej tyre do të kërkoj zgjidhjen e kontratës me konsensus, ne do të japim mirëkuptimin tonë të plotë në çdo rast. Aktivizimi në 6 javët e mbetura i përket Tomorit të sezonit të ardhshëm dhe për këtë besoj se çdo futbollist i huaj dhe ‘jabanxhi’ do të na mirëkuptojë”, u shpreh për “Panorama Sport” administratori i Tomorit, Ismet Ajazi.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"