Titulli në dorën e Skënderbeut, Dita takohet me Shehin si kundërshtar: I uroj suksese, por pas kësaj ndeshjeje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2020 | 21:20

Titulli në dorën e Skënderbeut, Dita takohet me Shehin si kundërshtar: I uroj suksese, por pas kësaj ndeshjeje

Skënderbeu do marshimin. Pas 5 ndeshjesh radhazi pa humbje (mes 2 barazimeve dhe 3 fitoreve), në Korçë nuk e llogarisin blofin. I këtij mendimi është edhe Bruno Dita, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” hapur e thotë që skuadra ka moralin e duhur për ta kaluar me sukses edhe Kukësin.

bruno dita

E pranon që e lehtë nuk do të jetë, por jo e pakalueshme. Ky duel e vendos përballë ish-trajnerit, megjithatë mesfushori e paralajmëron Orges Shehin se për 90 minuta do të jenë kundërshtarë.

Bruno këtë javë përballeni me Kukësin. Si ju duket kjo ndeshje?
Goli i Kukesit

Për të qenë i sinqertë, është një ndeshje e vështirë. Luajmë përballë një ekipi që është ndër pretendentët kryesorë për të fituar titullin këtë sezon, por duket se ecuritë e ndeshjeve të fundit nuk janë ato që priten. Gjithsesi, mbetet një takim delikat që kërkon përqendrim maksimal nga ana jonë për të arritur maksimumin e mundshëm në këtë takim shtëpie.

Në ndeshjen e fazës së dytë u keni shënuar veriorëve. A keni rezervuar ndonjë gol edhe për të hënën?

bruno dita

Të them të drejtën ai ka qenë një gol i veçantë për ne. Dhe këtu i referohem mënyrës së realizimit, pasi vinte nga një skemë e nisur në mënyrën më të mirë nga Gripshi dhe unë. Më pas mund të them se ajo pikë e marrë na rriti moralin, sepse vinim nga një seri rezultatesh jo të mira dhe barazimi na ndihmoi. Të shpresojmë që të përsëritet, pasi do të ishte vërtet mirë.

Pas këtyre rezultatesh pozitive, si vjen Skënderbeu në këtë takim?

Vijmë me moralin në majë, në një ndeshje delikate kemi sigurinë e lojërave të mira që kemi prodhuar. Në këtë pikë them se jemi në kushtet e duhura për ta përballuar këtë javë. Jemi gati për të dhënë maksimumin dhe marrë një rezultat pozitiv.

Cili është sekreti i kësaj forme që po kaloni në këtë vit?

Nuk kemi asnjë sekret, jemi të përqendruar për të dhënë maksimumin njësoj si në fillim. Ajo që është e rëndësishme mbetet fakti që patëm kohë të përgatiteshim para nisjes së pjesës së dytë të kampionatit. Morëm maksimumin nga idetë e Dajës dhe u përshtatëm me lojën e njëri-tjetrit. Këto ndikojnë te paraqitja jonë.

Ndaj Kukësit do të gjeni Shehin si kundërshtar…

Shehi5

Po, do të jetë speciale për ne, por edhe për Shehin. Kemi punuar bashkë dhe ka dhënë mjaft për ekipin tonë. Do ta kemi kundërshtar për 90 minuta, pasi ai mbetet një person i rëndësishëm për Skënderbeun.

E uruat për detyrën e re?

E kam telefonuar profesor Shehin sapo mori drejtimin e Kukësit për t’i uruar suksese, por sot më duhet ta ndryshoj pak urimin. I uroj pa dyshim sukses, por pas kësaj ndeshjeje.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"